Posta Shqiptare zhvilloi sot një takim me partnerë dhe operatorë të sistemit financiar për të diskutuar rreth rolit të Postës Shqiptare në sistemin financiar. Fokusi i këtij takimi ishte ofrimi i shërbimeve financiare nëpërmjet Postës Shqiptare si një institucion financiar jo-bankë dhe një agjent serioz për palët e tjera të cilat e ofrojnë apo do ta ofrojnë shërbimin e tyre nëpërmjet zyrave postare.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, z. Majlind Lazimi bëri një vlerësim të përgjithshëm të situatës financiare të Postës e cila në dy vitet e fundit duket mjaft pozitive, si edhe foli për vizionin dhe të ardhmen e Postës Shqiptare. “Jemi një institucion ndër më të vjetrit në Shqipëri, me një përvojë 103 vjeçare si kompani, por nga ana tjetër me një ambicie për të diversifikuar portofolin e shërbimeve tona, dhe tashmë kemi një objektiv shumë të qartë që, përveç atyre shërbimeve të cilat janë klasike në sportelet tona, ne kemi dashur në mënyrë shumë agresive të rrisim prezencën tonë edhe në shërbime të cilat i vijnë më afër qytetarit, i vijnë më afër klientëve tanë, të cilët nëse mund të llogariten ne vlerë absolute i kalojnë 1 milion klientë në vit, duke përfshirë pjesën dërrmuese të cilët janë pensioniste, mbi 550 mijë, apo edhe klientë të tjerë të cilët bëjnë 70 shërbime të ndryshme, qofshin këto postare, apo financiare dhe bankare” ”“ tha Lazimi.
Në lidhje me projektet për të ardhmen, Drejtori i Postës tha se pagesat nëpërmjet celularit në bashkëpunim me USAID dhe Postbanka janë projekte konkrete të cilat pritet të realizohen shumë shpejt. “Është e rëndësishme që në të gjithë këto iniciativa, patjetër të kemi mbështetjen institucionale të qeverisë, por jo vetëm, edhe të partnerëve tanë institucional, që këto iniciativa të bëhen realitet” ”“ tha Lazimi.
Se fundmi, Drtejtori i Postës Shqiptare nuk la pa përmendur edhe çështjen e pensionistëve të cilët e marrin pensionin në Postë, duke thënë se mediatizimi i fundit i kësaj çeshtjeje nga ana e MMRS-së për t’i marrë ato në banka ka qenë një keqinformim për këtë kategori qytetarësh. “Dua të konfirmoj që ky shërbim do të vazhdojë të behët nga Posta Shqiptare, dhe jo vetëm per 550 mijë pensioniste, por ndoshta edhe me shume pensionistë mund të zgjedhin Postën shqiptare për të bërë këtë shërbim në të ardhmen. Ne kemi burimet njerezore dhe e ofrojme edhe në shtëpi këtë shërbim” ”“ perfundoi Lazimi.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga USAID, Konfindustria, bankat, kompanitë e sigurimeve dhe institucioneve të tjera financiare.