Nga Afrim Krasniqi
Me siguri merrni dhe jepni urime, dhe me siguri e shihni ditën e sotme, ashtu siç duhet te jetë, një ditë që bashkon miqtë, familjet dhe që lidh më shumë njerëzit edhe kur ata janë të besimeve të ndryshme fetare. Unë mora shumë urime nga miq për gëzim e mbarësi, u ktheva përgjigje me të njëjtën dëshirë, – të ndajmë së bashku edhe gëzimet edhe të mirat!
Për një vend si Shqipëria ku kultura e kuptimi i të mirës janë ende në embrion, festat si Krishtlindjet apo të tjerat, kanë një vlerë edhe më të veçantë: na largojnë nga ditët e zhurmshme e të lodhshme të zhgënjimit, na largojnë nga dhuna që prodhon politika dhe pamja dramatike që prodhon media; na bëjnë të shohim se ende midis nesh ka mbetur mirësi e solidaritet, dhe se nëse të gjithë, veç apo së bashku, mendojmë dhe e duam më shumë vendin ku jetojmë, me siguri, ai do të ketë të ardhme edhe për fëmijët tanë.
Sot lexova mesazhin e Papa Françeskut dhënë për Krishtlindje. Nuk e përcjell si mesazh me konotacion fetar, por si mesazh që vlen për të gjithë, pavarësisht feja dhe mendimet që kemi për ditët që po kalojmë. Në adresimin e tij ai u shpreh: “mos u mungoftë ngushëllimi ynë atyre, që ikin nga mjerimi ose nga lufta, duke shtegtuar në kushte tepër shpesh çnjerëzore e jo rrallë, duke rrezikuar edhe jetën.
U shpërblefshin me bekime të begata të gjithë ata, njerëz të veçantë e shtete, që përpiqen bujarisht t’i mbështesin e t’i mirëpresin emigrantët e shumtë e refugjatët, duke u mundësuar ndërtimin e një ardhmërie dinjitoze për vete e për të dashurit e tyre, e edhe integrimin brenda shoqërive, që i pranojnë….
Zoti u dhëntë shpresë të gjithë njerëzve, që nuk kanë punë dhe e mbështet angazhimin e atyre, që kanë përgjegjësi publike në fushën politike dhe ekonomike, që të përpiqen për të mirën e përbashkët dhe mbrojtjen e çdo jete njerëzore”…..
A nuk vlen ky mesazh edhe për shqiptarët që ikën e duan të ikin, por vendimmarrësit tanë politikë dhe ekonomikë që vendosin për ne që kemi zgjedhur të jetojmë në Shqipëri?
Sot nuk i duam në kamera televizive, nuk i duam të sfilojnë akte protokollare pa domethënie, nuk i duam të bëjnë si të ndershëm, humanë dhe burra shteti, sepse nuk janë të tillë. I duam të na lënë të festojmë dhe të lutemi që e ardhmja jonë të mos varet nga vullneti i tyre, por që ne, veç apo së bashku, të bëjmë më shumë për të marrë fatin tonë në dorë, për më shumë demokraci, më shumë shtet të së drejtës, më shumë liri zgjedhjeje, më shumë standard jetese dhe më shumë besim në vlerat e mira dhe refuzim në sistemin antivlerë që imponojnë sundimtarët në tokë, përfshirë këta tanët! Gezuar miq, në të mira dhe së bashku!