Sipas Reporter.al koncesionet me vlerë dhjetëra milionë euro të ministrisë së Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të gjerë, të nisur së fundmi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Procedimi penal është regjistruar nga Njësia Antikorrupsion, përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe pritet të shtrihet në të gjithë piramidën drejtuese të ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë edhe ministrin Ilir Beqaj.
Hetimi për koncesionet në shëndetësi është nisur me iniciativë të Prokurorisë, pas publikimit të një serie artikujsh nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN dhe agjencia Investigimi.al. Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas do të jenë në qendër të verifikimeve të grupit hetimor.
Rrjeti BIRN, ka kontaktuar këshilltarin e Prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani i cili i ka konfirmuar nisjen e hetimeve me iniciativë për koncesionet në shëndetësi, pas investigimeve të botuara nga media. - “Ky hetim ka nisur pas shqetësimeve të shpeshta të ngritura në publik për disa tendera dhe koncesione të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë muajve të fundit, vlera e të cilave arrin në disa dhjetra miliona euro,” ka thene Serani per BIRN. Ndersa i pyetur nëse procedimi penal përfshin edhe ministrin Ilir Beqaj, Serani u është përgjigjur se ”asnjë zyrtar nuk do të jetë i përjashtuar nga hetimet”.