Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ngre shqetësimin për prerjet masive dhe të shfrenuara që janë vënë re në zonën e Malit të Munellës dhe më gjerë në bashkitë e Pukës, Fushë-Arrëzit dhe Mirditës në periudhën Nëntor-Dhjetor 2015. Gjendja në këtë rajon ka qenë e rënduar prej shumë vitesh, por që prej njoftimit për shpalljen e moratoriumit të pyjeve në fillim të vitit 2016, situata ka degraduar masivisht.
 PPNEA ka dokumentuar një shtim të jashtëzakonshëm të subjekteve, makinerive dhe individëve të cilët po shfrytëzojnë pa kurrëfarë kriteri edhe ato pak pyje të mbetur. Nisur nga ky ritëm i papreçedentë shfrytëzues, PPNEA vlerëson se shpallja e moratoriumit të pyjeve në fillim të vitit që vjen do të ketë shumë pak vlera ruajtëse dhe benefite për pyjet e kësaj zone, pasi nuk po mbetet asnjë sipërfaqe pyjore për tu ruajtur.
Situata kthehet në më alarmante nisur nga fakti që Munella është rajoni i vetëm në Shqipëri ku është dokumentuar prezenca dhe riprodhimi i Rrëqebullit të Ballkanit, një nënlloj tejet i rrezikuar sipas klasifikimeve të Unionit Botëror për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Nisur nga studimet e zhvilluara me kamera-kurth PPNEA vlerëson se në Munellë mbijeton një mini popullatë e Rrëqebullit Ballkanik e përbërë prej 4 deri në 6 individësh. Javën e shkuar PPNEA raportoi një këlysh rrëqebulli të vrarë në rajonin e Malit të Munellës. Degradimi i shfrenuar i habitatit në këtë zone ndikon në shqetësimin e sjelljes së rrëqebullit dhe rrit mundesitë e kontaktit njeri ”“ rrëqebull. Me ritmet e vëzhguara të shfrytëzimit në Malin e Munellës ekziston mundësia reale që kjo popullatë të zhduket në një afat shumë të shkurtër kohor dhe të humbasim përfundimisht një nga pasuritë natyrore më të mëdha të vendit.
Rrëqebulli i Ballkanit është një specie kyç për mbrojtjen e trashgimisë natyrore dhe ekosistemeve në të gjithë Ballkanin jugperëndimor. Popullata e totale e tij llogatitet të jetë në më pak se 40 individë. Sipas kritereve të Listës së Kuqe të IUCN-s, Rrëqebulli i Ballkanit konsiderohet si një specie e rrezikuar në mënyre kritike (CR). Në Shqipëri, rrëqebulli është i mbrojtur me ligj që prej vitit 1969. Së fundmi, kuadri ligjor është përmirësuar me Ligjin Nr. 10253, datë 11.03.2010 “Për gjuetinë” dhe Ligji Nr. 7/2014, “Për shpalljen e ndalimit të gjuetisë në Republiken e Shqipërisë”. Munella është deri më sot, një nga dy zonat e vetme në të gjithë Ballkanin, bashkë me Parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoni, ku rrëqebulli riprodhohet.
PPNEA ka dëshmuar prej kohësh degradimet e pyjeve në Malin e Munellës, një realitet i cili nuk ka ngjallur kurrëfarë reagimi nga institucionet përkatëse për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve.Â
Situata e rënduar në Malin e Munellës si dhe pasojat që rrjedhin për mbijetesën e Rrëqebullit të Ballkanit, duhet që të ndërgjegjësojnë institucionet përgjegjëse në marrjen e masave urgjente për ndalimin e kësaj masakre mjedisore. PPNEA bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm e veprimtarive shfrytësuese në rajonin e Malit të Munellës, përpara shpalljes së moratoriumit pasi situataka degraduar ne nje pike kritike. Nëse ritmet dhe aktivitetet aktuale shfrytëzuese nuk ndalojnë rrezikojmë seriozisht të humbasim të vetmen popullatë të mbetur të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri.