Home KRYESORE Rama: Dy arsyet pse nuk hyra në Partinë Demokratike

Rama: Dy arsyet pse nuk hyra në Partinë Demokratike

DOSSIER nga MONIKA SHOSHORI STAFA

NËN HIJEN E MURIT

Rrëfimi i Kryeministrit të tanishëm për ngjarjet e dhjetorit ’90 Çështja e të burgosurve politikë dhe ndarja me kultin e Enver Hoxhës

Shkrimtari dhe gazetari amerikan, Michael Meyer, shkruan në librin e tij “Rënia e Murit” se historia e revolucionit në Europën Lindore, nuk u shkrua në Uashington. Më shumë sesa me fuqinë ushtarake amerikane, popujt e Lindjes e lidhnin këtë ngjarje me ardhjen në pushtet të Gorbaçovit, kombinuar me shembjen ekonomike të sistemit sovjetik dhe kontrastin e mprehtë me dinamizmin e Europës Perëndimore.

Gjatë rrugës së gjatë të shembjes së një botë të vjetruar tashmë dhe ndërtimit të një të reje, Gorbaçov dhe Regan do të duhej t’i shtrëngonin dorën njëri-tjetrit, teksa takoheshin pasi kishin përshkruar secili, gjysmën e vet.

Vendimtare ishte gatishmëria e të gjithë liderëve të Europës Lindore, përjashtim bëri veç Rumania, akoma dhe më e përjashtuar ishte ende Shqipëria. Sepse më shumë sesa çdo gjë tjetër, gjithçka kish të bënte me njeriun e atëkohshëm, në aspektin individual, më shumë sesa kolektiv, ishte që të vendoste me kokën e vet, shembjen e Murit në jetën e tij.

Pasi kishe dëgjuar atë që po ndodhte në atë pjesë të botës që nga fillimet e vitit ’88 e deri në fundin e ”˜89, do të kuptoje se gjithçka po vraponte pas një kopeje të madhe kafshësh në shtegtim. Në këtë pikë, shpejtësia e njëllojtë e ndryshimit ishte kthyer brenda vetes, në një forcë shtytëse drejt ndryshimit vetë. Ajo që ndodhte në një vend, përsëritej thuaj menjëherë në një vend tjetër. Udhëheqësit e lartë të Byrosë Politike e kishin kuptuar se beteja e tyre kishte humbur ndaj, do të duhej ta fillonin nga kreu, ta rinisnin atë nga zero. Dhe kjo ishte vetëm maja e ajsbergut të së keqes së madhe në kurriz të shqiptarëve, të abuzimeve të shumta të lirisë së tyre individuale, të shkeljes së minimumit të së drejtës për dinjitet dhe mirëqenie. Në gjuhën e përditshme po dëgjohej gjithmonë e më shumë fjala: Demokraci! Të rinjtë e reformuar nga njëra anë, garda e vjetër nga ana tjetër, e secili nga grupet bënte përgatitjet e tij për një përleshje që do të rezultonte çuditërisht e shkurtër. Disa kujtime zbehen, të tjera mbeten gjallë në memorie pavarësisht se vitet kalojnë.

Po përse? Ndoshta sepse mbajnë me vete fragmente eksperiencash që nuk mund të të përfshijnë, mesazhe jo plotësisht të kriptuara që mund të ndihmojnë të lexosh të ardhmen. Por kujtesa nuk duhet të funksionojë vetëm mbrapsht. Ajo duhet të nxisë për të parë përpara duke i dhënë formë të tashmes dhe duke projektuar mirë të ardhmen. Në rrjedhën e historisë, njeriu jeton shumë duke i besuar asaj që duhej të ndodhte sesa asaj që ka ndodhur në të vërtetë. Rënia e Murit, shpërbërja e perandorisë sovjetike, thërrmimi i regjimeve të tjera komuniste dhe në fund, kthesa e madhe gjermane shënuan një akt të pashlyeshëm, vendimtar dhe ende jopërfundimtar në procesin e vet të kërkimit, një zgjim të jashtëzakonshëm, por edhe një transformim hibrid për shkak të pasojave të ndërlikuara dhe dramatike në të njëjtën kohë. 25 vjet nga ajo eksperiencë emocionuese, gjykimi mbi të kaluarën mbetet ende një çështje historike e papërfunduar, dhe pyetjet mbi rënien e Murit, por dhe mureve të tjera të padukshe që mbijetojnë në ndërgjegjen e njerëzve të Lindjes dhe në kujtesën kolektive, mbeten ende pa përgjigje.

Ndërsa nga Lindja ”˜The Wind of Change’ ishte bërë kolona zanore e mëngjeseve të çdo qytetari, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, ende kishte ndalur nga kalbja e sistemit të vjetër. E zhytur në krizën e skajshme ekonomike, ajo vazhdonte të dukej sikur i përkiste një orbite tjetër ku koha kishte ndalur. Cili ishte perceptimi juaj për atë kohë?

edi rama te qemal stafaKur filloi ndryshimi në Lindje askush në Shqipëri nuk e perceptoi këtë ndryshim si fillimin e fundit të regjimit komunist për shkak se ishin mësuar me idenë që regjimi komunist në Shqipëri ishte diçka krejt tjetër, në formën e tij shumë brutale dhe i izoluar jo vetëm nga Perëndimi, por edhe nga Lindja. E vërteta është se në atë kohë unë kam qenë gjithmonë i mendimit bashkë me të tjerë njerëz, të cilët ndanin idetë antikomuniste që vetëm nëse Rumania do të binte, atëherë gjeopolitika në Shqipëri do të kuptonte se kishte një sinjal edhe për të. Pasi në Perandorinë e Lindjes regjimi i Çausheskut ishte ai më brutali dhe më i ngjashmi dhe pse me shumë distancë nga regjimi ynë. Dhe faktikisht, unë besoj dhe po të shikoni edhe nga mënyra se si u përshkallëzuan reagimet e Byrosë Politike, fotografia e Çausheskut së pushkatuar me kravatën e kuqe, ishte ndezja e llambës së alarmit në Byronë Politike. Deri në atë moment ishte frenuar çdolloj reagimi me vetëdijen e gabuar se Lindja po binte si rezultat i kalbëzimit të revizionizmit dhe se çka ndodhte në Lindje nuk kishte të bënte fare me mbijetesën e Byrosë Politike.

Në dhjetor të vitit 1989, Ramiz Alia thirri me të shpejtë një mbledhje të Byrosë Politike, ndërsa Sigurimi i Shtetit ishte më shumë se kurrë në gatishmëri për të kontrolluar se ku ishte turma, jo vetëm popullore. Në janar të 1990 organizohet një protestë e heshtur me kodin e çuditshëm si numër telefoni, 28/18. Zhvillime pas zhvillimesh, a shfaqej e qartë Tirana e bulevardeve ose ende e turbullt, e trembur, e pasigurt ballë një thirrjeje të re ulëritëse në sfond? Si e keni perceptuar ju?

Për sa më takon si dëshmitar i asaj kohe momenti i pushkatimit të Çausheskut dhe rënia e regjimit të tij, sollën dy përshkallëzime. Nga njëra anë përshkallëzimin e Byrosë Politike ku ndihej qartë që frika e kishte prekur atë nomenklaturë deri aty tërësisht inerte dhe mendjemadhësisht të bindur, që do t’i rezistonte asaj dallge të madhe dhe nga ana tjetër përshkallëzimin në Akademinë e Arteve e një procesi pikërisht për të matur hapat dhe për të parë se sa i fortë ishte ai regjim duke e provokuar në vazhdimësi përmes vënies në funksion të elementëve të artit të ndaluar. Dhe kjo shoqërohej paralelisht edhe me zhvillime të tjera sporadike si ajo që përmendët ju, ose ajo tjetra në Kinostudio, pra përgjithësisht në rrethin e artit e të zhvillimit të kulturës dhe ishte tamam si matja e forcave në distancë mes dy trupave që ishin të destinuar të përplaseshin me njëri-tjetrin.

Megjithatë, nuk duket e qartë, kjo lloj vale në Akademinë e Arteve ose dhe në Kinostudio. Ishin pak të pasigurt në vetvete përtej këtyre zhvillimeve?

shenasi-rama-greva-e-urise-1991Jo, ishte një përpjekje shumë kurajoze, por njëkohësisht edhe lidhur me pasigurinë se deri ku regjimi ishte i gatshëm të shkonte për të na thyer. Dhe praktikisht u desh një vit që të kryhej cikli i plotë i përballjes dhe që u materializua më pas me përplasjen finale që solli edhe lejimin e pluralizmit.

Më lejoni të citoj nga libri juaj “Refleksione” me bashkautor Ardian Klosin disa rreshta që sot ngjajnë si dje: “Shqipëria i ngjante në dhjetor të ’90-s një pusi të thellë që sapo i ishte hapur kapaku. Kur iu dha shtysa atij kapakut u munduam edhe ne, që të vinim një dorë. Shohim e shohim teposhtë dhe nuk e kuptojmë pse nxikan kaq shumë të vërtetat, pse nuk u gjendka dot fundi i tyre”. Ndihet shqetësim në këto rreshta, z. Rama dhe të mendosh që secili nga ne në atë kohë jetonte entuziazmin e tij për ndryshimin e madh. A mund të më tregoni cilat ishin këto të vërteta? Besoj ka ardhur koha.

“Refleksionet” kanë qenë të lidhura me një zhgënjim të madh nga qasja që zgjodhi partia e parë e paskomunizmit, Partia Demokratike, e cila u njehsua për një periudhë të gjatë kritike të themi të kohës, me Ramiz Alinë. Dhe ky njehsim solli qoftë refuzimin për të trajtuar çështjen e të burgosurve politikë, qoftë dhe refuzimin për të goditur pa referenca Enver Hoxhën, si kult i kudondodhur dhe pas tij, Ramiz Alinë, si zëdhënësi në tokë i atij kulti. Dhe sigurisht që pa këto dy pjesë, Lëvizja Demokratike ose antikomuniste ishte e destinuar të provokonte zhgënjim për ne që kishim kohë që e shikonim ndryshe horizontin dhe që ishim të stërpërgatitur brenda vetes për të përballur në tërësinë e vet problemin e rrënjëve të regjimit që ishin jo thjesht të ngulura politikisht, por kulturalisht, shoqërisht dhe të shtrira në të gjithë teksturën e vetëdijes sociale në atë kohë.

Më tej shkruhet kështu: “Na ngriu fjala në buzë, sepse tani e tutje edhe kryengritja paqësore humbi kuptimin e saj, sepse asaj i dhanë një kanal ku programi duhej të futej. Po ne që s’hymë dot, si t’ia bëjmë“? Pse nuk hytë ju z. Rama?

Qartazi për arsyen që sapo ju fola. Për mua dhe për ne që të themi ishim krahu radikal i lëvizjes që vinim nga Akademia e Arteve, përjashto ndonjë individ të veçantë, ishte e pamundur që të pranonim si përfaqësuesen tonë Partinë Demokratike, e cila faktikisht nuk pati një qasje haptazi të qartë në raport me ato qasje që ju shpjegova më sipër. Dhe “Refleksionet” lindën si nevojë për reflektim, jo si një bërthamë e një partie politike, por si një hapësirë për t’u dhënë zë të gjithë atyre që nuk e gjenin dot këtë hapësirë në kutinë ku u fut Partia Demokratike. Dhe faktikisht, ajo periudhë hezitimi shërbeu si një periudhë për të kontrolluar pushtetin brenda Partisë Demokratike dhe pasi u kontrollua pushteti u kalua në një antikomunizëm barbar, që nuk kishte lidhje më me vlerat dhe parimet që demokracia e sapolindur duhet t’i mishëronte përmes Partisë Demokratike.

Gjatë viteve të fundit ka pasur diskutime të gjata dhe të ashpra në lidhje me kujtesën e ardhshme historike dhe kulturore të Europës. Çështjet më të diskutuara dhe më kontroversale në forumet europiane janë ato që kanë të bëjnë me historinë e vendeve ish-komuniste. Konfliktet për t’i përkujtuar dhe memoralizuar ngjarjet e errëta të komunizmit janë nxitur kryesisht nga perceptimet të ndryshme kombëtare, ngjyrime thuajse totalisht politike. Po ashtu dhe diskutimet mbi trajtimet e tyre ende pa asnjë vlerësim ndaj së kaluarës, sjell shqetësim për Europën që pret të na përcillet si bashkudhëtare të vlerave njerëzore. A keni një reflektim tuajin mbi këtë çështje?

berisha rama klosiNe kemi një problem të pazgjidhur me çështjen e datave, sepse ka rezultuar e pamundur në një çerekshekulli që të biem dakord për të njohur të njëjtën datë për atë pjesë që lidhet drejtpërdrejt me partitë politike ose me bashkëkohësinë tonë. Kemi pranuar 28 Nëntorin e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk pranojmë dot 29 Nëntorin si datë çlirimi dhe pastaj vijmë te datat e tjera që janë të gjitha jokonsensuale, për shkak se janë të gjitha të vendosura aty për qëllime politike. Por më shumë sesa kujtimi i një date mua më ka shqetësuar gjithmonë mungesa e vullnetit për t’i dhënë vendin e vet në kujtesën tonë historike, të gjithë asaj barbarie që ishte regjimi komunist. Dhe për t’i dhënë të drejtën e dritës së diellit të gjitha skutave të asaj historie në mënyrë që njerëzit të shikojnë dhe të gjykojnë përmes syve të tyre, jo të jenë të detyruar të shohin përmes syve të një partie ose të një partie tjetër, që imponon një mënyrë të vetën të të parit të gjërave. Dhe hapja e dosjeve është një hap shumë i rëndësishëm përpara, ashtu siç është një hap tjetër shumë i rëndësishëm përpara, krijimi i një institucioni të mirëfilltë i arkivimit të kujtesës historike të komunizmit.

Share: