Home KRYESORE Rrok Mirdita – mbresa te një takimi.

Rrok Mirdita – mbresa te një takimi.

Nga Edgar Frasheri

Sikundër edhe ka ndodhur rëndom, per te mos thëne perhere, historia e Shqipërise është stisur kryesisht me emra e personazhe te cilët me shume i kane marre atdheut se sa ti kenë dhëne Atij. Ata qe e kane “shkrire” veten për atdheun pa ambicie per te zëne ndonjë vend faqet e historisë, atdheu me mosmirënjohje u ka hedhur pluhurin e harresës, sepse Shqipëria ne rrjedhën e vete gjithmonë ka përfunduar pre e impostoreve, spekulanteve e figurave qe kane punuar vetëm për ta kthyer këtë vend ne oborrin e vet personal.

Keta jane qe edhe e kane bere kete histori e cila sot ende nuk ka zene vend si duhet, por kontestohet sa here qe ikën nje pale, e vjen një tjetër pale nga kjo fare zullumqaresh. Nuk kam asnje te drejte te bej orakullin apo kritizerin, por druaj se edhe i nderuari e i paharruari Rrok Mirdita e ka vendin e vet ne këndin e te harruarve! Sepse ai ka qene nder ata te rralle qe i kane ardhur ketij vendi te pocaqisur, pikërisht ne momente te veshtira, por qe, per sa kohe ai jetoi ne Shqipëri punoi modestisht dhe duhet te kete ikur me dhimbjen se ky vend vështire se behet ashtu si duhet…..

E them kete sepse e kam takuar Rrok Mirditen ne rrethana kur Shqipëria ishte ne kulmin e Gënjeshtrës se Madhe e ne prag te vitit te mbrapshte 1997, lidhur me nje problem qe kishte te bente me ndertimin e nje kompleksi te murgeshave ne Durrës, i cili ndërtohej nga ana e jone, por qe befasisht pa paralajmërim, shteti ne mes te rruges ndryshoi ligjet, dhe i taksoi ne mënyre ultimative donatoret e veprës (investim dhurate per vendin tone)! Një shtese parash prej rreth 5 milion lekesh ju vu Kishesh Katolike. Na priti te dyve, Principalen e Murgeshave dhe mua si përfaqësues i firmës ndërtuese, ne nje vile ku banonte tek vendi ku tani eshte ndertuar katedralja e Shen Pali ne Tirane. Mbasi ju shpjegua nga ne te dy se kjo ishte e padrejte sepse dhuratat nuk taksohen dhe se murgeshat e kishin te vështire gjenin fondet shtese qe kërkoheshin, Imzot Mirdita, mbasi u mendua pak, na u drejtua me nje qetësi karakteristike e nje  njeriu te mençur e te vetëpërmbajtur:

“Inxhinier, po flas italisht qe te degjoje edhe Principalja. Kam jetuar ne Nju Jork per 18 vite dhe para se te kem qene fetar, kam qene shtetas amerikan, taksapagues dhe zbatues i rrepte i ligjit. Ne keto pak vite mbasi kam ardhun ne Shqiperi, kam gjetur gjana te cuditeshme. Ne asnje vend te botes nuk taksohet dhurata, si ndodh ketu. Une jam njekohesisht edhe i pari Karitasit. Por, meqenëse keni ardhe me kerkue ndihmen time, po ju them se sic jane punet ketu, veshtire se ju ndihmoj. Vetem ne Shqiperi ndodh qe per te qitur nje kamion te Karitasit nga oborri i Doganes, duhet te marresh leter nga Presidenti i Shtetit. Kryeministrin nuk kam mundur me e takue, sepse sa here jam i ftuar ne ngjarje, ai me shmanget. Ndersa ate Ministrin e Financave nuk e kam percaktue se cfare asht: dinak (furbo) apo idiot. Juve ju kane kerkue 5 milion leke. Mua me ka ardhe fatura shtese edhe per kompleksin e murgeshave te Shkodres, qe asht baraz me 50 milion e nuk po di se ku do te gjenden. E dashur Principale, shko ne Itali dhe gjej me i mbledh ato pare se pastaj do te shtohen ma shume nese nuk i pagon ne kohe.”

Kishin mjaftuar dy tre vite qëndrim ne Shqipëri qe Rrok Mirdita ua kishte bere fare sakte “radiografine” shtetit e shtetareve tane. Njerëzit e thjeshte e donin dhe nderonin atë figure modeste, ndërsa shteti ynë i puthadorëve e servileve, duhet te ketë ndjere bezdi nga prania e një personaliteti me karakter te pacenueshem. Prandaj mendoj se sa kohe qe shteti do te jete i kapur, figura e ndritur e Imzot Mirditës, edhe pas vdekjes, nuk ka per te bere kompromis me te. Populli do ta kujtoje me respekt e nderim.

Share: