Nga Edison Ypi
Kujto antikomunistat më të mëdhenj të historisë së botës, ata që i ke lexuar nëpër libra ose i ke parë nëpër filma, për shembull Çurçillin, Hitlerin, Frakon etj. Sill në mendje tiparet e tyre karakteriale, kulturore, shoqërore, qytetare, vendosmërinë e tyre, seriozitetin, argumentat, qëndrimet, sjelljet. Shtoi këtyre cilësitë e të tjerëve që ke patur fatin t’i njohësh personalisht, ose ke dëgjuar nëpër biseda, si dhe të atyre që ke parë nëpër ëndërra.
Sofo ishte më antikomunist se të gjithë këta së bashku.
Sofo antikomunist nuk u bë nga ndonjë shkak apo rrethanë specifike.
Sofo antikomunist kishte qënë para se të lindëte.
Sofo ishte antikomunist në kockë, në mish, nën lëkurë, mbi lëkurë, në ind, në qelizë, në gen.
Antikomunizmin njeriu edhe e harron për pak çaste kur bën gjëra që s’kanë lidhje me politikën, për shembull, kur ha, 10, këndon, apo fërshëllen.
Sofo ishte antikomunist çast pas çasti pa u ndalur asnjë moment gjatë gjithë jetës pavarësisht se çfarë bënte, me çfarë merrej, edhe zgjuar, edhe në gjumë, edhe në realitet, edhe nëpër ëndërra.
Sofo kishte dijeni për ishujt, por ishullar nuk ishte, ishujve por nuk u afrohej. Jo se tek ishujt dhe ishullarët nuk besonte, por sepse mënyrën e grumbullimit të disidentëve përmes ishujve nuk e preferonte, i dukej me shumë llafe, jo efikase. Ndërkohë që vete Sofo ishte njeri i heshtur, Sofo kishte bindjen se antikomunizmi me llafe nuk ishte antikomunizëm, ishte argëtim, zbavitje, kalim kohe, qef. Sipas Sofos, sa kohë qëndresa aktive nuk ishte e mundur, qëndresa më e mirë dhe pa rrezik për tu futur në burg ishte ndejtja në distancë i kombinuar me një mirkuptim i heshtur. I bindur në vetmjaftueshmërinë e tij, ishull, gadishull, tokë, det, kontinent, Sofo ishte vetë.
Prej qindrave që kam njohur, antikomunist si dhe sa Sofo nuk kam hasur asnjë tjetër.
Sofo punonte te një hekurishte me emrin bombastik “uzina e traktorave” e tëra nën kontrollin e rreptë të spiunave të frikshëm dhe proletarëve zhulanjosë.
Sofo ja doli të mos e burgosnin duke zbatuar si shumë nga ne të tjerët skemën “puno dhe hesht’.
Sofon e mbanin në survejim si mbaheshin në survejim të gjithë të dyshuarit. Si në një pyll ku dihet që ka kafshë të egra prej të cilave duhej të ruheshin, por ngaqë nuk mund të vinin nga një roje për secilin, mbanin nën kontroll pyllin.
Sofo përgatiste stampa metalike për pjesë këmbimi traktorash.
Kur Sofo na rrëfente për “traktorin e parë të prodhuar me forcat tona” na dilte shkumë nga goja dhe na iknin lotë nga të qeshurat.
Traktori i parë prodhuar “me forcat tona” nuk kishte asgjë shqiptare. Të gjitha pjesët, vidat, kushinetat, llamarinat, i kishte të huaja, kryesisht kineze. Edhe pasi përgatitja e të gjitha elementëve të këtij biçim traktori mbaruan, për ti bashkuar ato pjesë, u desh të punonin me limë duke j’u ikur djersa për lug të bythës nja 100 puntorë gjatë disa muajve. Traktorin propagandistik e inauguroi mes duartrokitjeve djalli vetë hipur mbi të, kryeministri që vrau veten. Traktori i forcave tona dhe pjesëve kineze, bëri nja 200 metra rrugë, nxori ca shtëllunga tymi, ngeci dhe nuk lëvizi më asnjë centimetër, dhe s’do ment që s’bëri asnjë plugim, nuk çau asnjë arë.
Sofo bëri diçka që unë nuk e bëra kurrë. U martua. Për tu martuar Sofo u mendua dhe bëri kërkime që zgjatën mbi dy vjet për të gjetur një grua që t’i përshtatej, një grua që ta urrente diktaturën për vdekje familjarisht, dhe e gjeti.
Sofo është autor i shprehjes që u përhap rrufeshëm nëpër ishuj;
Që ky vend të ndreqet nuk ka disa mënyra, por vetëm 1 mënyrë, 3 milionë ton dinamit për ta hedhur në erë nga Konispoli në Vermosh në mënyrë të atillë që të bjerë përmbysur dhe të ngulet aq thellë sa të preki bërthamën e ndezur të planetit që djeg gjithçka.
Një miku im ishullar seku kishte gjetur një antenë televizori me elementa alumini në formë bisht dallandysheje. Arrita t’ja marr atij miku 1 element të asaj antene dhe ja dhashë Sofos. Sofo bëri një stampë me anë të së cilës preu qindra elementë të cilat mi dha mua që ua fala ishullarëve të interesuar.
Një ditë Sofo më tromaksi. Më tha se kishte ndërment që pas pak të thyente një rekord. Do bënte diçka të paimagjinueshme, diçka që kujtdo t’ja thoje nuk do ta besonte. Në vendin cop-e-çik ku prona private jo vetëm urrehej dhe ndalohej, por edhe dënohej me ligj, Sofo kishte vendosur ta sfidonte duke u bërë vetë hiç më pak se milioner.
Mbeta pa frymë.
Të vërtetën e plotë ma tha pas disa muajsh.
Në përputhje me parimin e gjithënjohur propagandistik “ta shfrytëzojmë 8 orëshin”, si dhe tjetrit princip të pa shpallur “kam në ndërmarrje”, përmes një miku Sofo kishte gjetur llamarinë çeliku inox, kishte përgatitur fshehtas stampat përkatëse, kishte ndërtuar një presë montim-shtrëngimi që e kishte vendosur në shtëpi mbi një qilim për të mos u dëgjuar zhurma, dhe kishte nisur të prodhonte me shumicë zinxhira metalikë për orët e dorës me cilësi aq të lartë që nuk dallonin aspak nga zinxhirët që vinin nga jashtë.
Disa vite rrjesht, pasi prodhonte disa qindra syresh, ikte i shiste nëpër rrethe. Ku kishte gjetur belanë me blerësit me shumicë të cilët disa herë e kishin grabitur, madje një herë, edhepse nuk e tha troç, andej nga Fieri e kishin rrahur.
E takova një behar Sofon në Pogradec. Jam me gruan dhe dy fëmijët tek Hotel Turizmi, tha. Po bëj pushime milioneri. Po pi Uiski. Pse vetëm kta shkërdhata do pinë Uiski. S’u bëra kot milioner në këtë skëterrë.
Sofo nuk kishte lënë asnjë natë në jetën e tij pa dëgjuar Zërin e Amerikës. Kishte dhe të tjerë që mburreshin për të njëjtën gjë. Sofo ishte më i besueshmi.
Ishullarët shihnin me habi se si Sofo dobësohej e dobësohej pafund. Kur njeriu dobësohet edhe ngathtësohet. Sofo e kishte sfiduar këtë ligjësi. Sofo sa më tepër dobësohej, aq më tepër energjizohej. Duke qënë i sigurtë se arësyeja e dobësimit të Sofos nuk mund të vinte nga asnjë shkak tjetër veç neverisë dhe refuzimit ndaj regjimit, një nga ishullarët tha; Kur në fund të dobësimit Sofo do jetë asgjësuar, diktatura do jetë rrëzuar.
Profecia e ishullarit nuk u vërtetua. Regjimi u rrëzua. Sofo u mbajt. Madje u bë gjithmonë e më i fortë, gjithmonë e më i qartë.
Në mitingun e heshtur unë vajta me biçikletë të cilën pasi e lidha diku u futa në turmë. Pas mitingut, Sofo më kritikoi rëndë; Nuk shohet në miting me biçikletë, më tha. Në miting shkohet si vajta unë, më këmbë, me hap të sigurtë dhe me kokën lart.
Si e dinte Sofo si shkohej në miting sa kohë deri atëherë s’ishte bërë asnjë i tillë, bëri përshtypje ndër ishullarë.
Sofokli Karpuzi ja arriti të ikte në Greqi tek disa farefisër pak muaj para rënies së diktaturës. Kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë Sofos ju duk si kufiri mes Ferrit dhe Parajsës. Nga Greqia Sofo solli dy habere të rëndësishme që jo se nuk diheshin, por të konfirmuara prej tij, tingëlluan solemnisht;
Në perëndim nuk mbetesh kurrë keq po të kesh një zanat dhe të duash të punosh.
Kapitalizmi prodhon thërrime dhe mbeturina për të ushqyer edhe më dembelët dhe më parazitët një mijë herë më bollshëm se të privilegjuarit e diktaturës.
Nga Greqia Sofo iku në Amerikë, ku ndodhet sot. Thonë se nuk do kthehet prej andej pa u realizuar përmbysja e parashikuar prej tij me 3 milionë ton dinamit që do mundësojë djegjen përgjithmonë të gjithçkaje komuniste dhe kurviste shqiptare brenda zjarrit të bërthamës së planetit.