Home KRYESORE Vetëvlerësimi i Financave Bashkiake – Aplikimi në Shqipëri

Vetëvlerësimi i Financave Bashkiake – Aplikimi në Shqipëri

Nga Agron Haxhimali

World Bank-Austria Urban Partnership Program në bashkëpunim me (NALAS) Rrjeti i Shoqatave të Qeverisjes vendore në Europën Juglindore ka zhvilluar ndër vite një sistem për Vlerësimin e Qeverive Vendore. Vetëvlerësimi i Financave Bashkiake (i quajtur edhe Auditim Financiar) është pjesë e tij. Ai ka rezultuar një instrument i fuqishëm për përmirësimin e qeverisjes dhe përgjegjshmërisë vendore dhe si dhe në modernizimin e praktikave të menaxhimit.

Që prej 2015, kjo iniciativë e Bankës Botërore dhe NALAS do të shtrihet dhe në Shqipëri përmes Shoqatës së Komunave e cila do të jetë përgjegjëse dhe për zbatimin e këtij instrumenti në një njësi vendore pilote.

Objektivi i këtij instrumenti është vlerësimi i shëndetit financiar të bashkisë dhe identifikimi i veprimeve specifike për përmirësimin e të ardhurave nga burimet lokale; shpenzimeve publike; menaxhimit dhe mirëmbajtjes së aseteve (të mirave) publike dhe planifikimit të investimeve dhe aksesit në financimet e jashtme (huatë dhe financimet nga donatorët). Ky instrument analizon buxhetet bashkiake (të ardhurat dhe shpenzimet), praktikat e menaxhimit financiar, kapacitetin për kursime, përpjekjet për investime dhe projeksionet financiare për 5 vite.

Vetëvlerësimi i Financave Bashkiake kryhet paralelisht me një Vetëvlerësim/Auditim Urban, i cili ofron një tablo të situatës aktuale të bashkisë për sa i përket niveleve dhe cilësisë së shërbimeve dhe infrastrukturës. Këto dy vetëvlerësime/auditime çojnë në një Program Bashkiak/Kontratë shumë konkrete që përfshin si Planin për Përmirësimin e Financave Bashkiake ashtu edhe një Plan të Investimeve Prioritare. Shumë vende në zhvillim i kanë kryer auditimet urbane dhe financiare së bashku dhe, në disa raste, qytetet kanë nënshkruar një kontratë me qeverinë (kontrata bashkiake) për përfitimin e granteve të performancës.

Në dhjetor 2015 ka përfunduar faza e parë përgatitore e cila konsiston në dorëzimin e pasqyrave përkatëse financiare dhe pregatitja e një plani veprimi të detajuara për hapa të mëtejshëm.

PRITSHMËRITË:

Nëpërmjet përfshirjes në këtë projekt, Bashkitë do të kthehen në një “Target Group” për financime nga Banka Botërore e cila konsideron shumë të rëndësishëm përpilimin e këtyra pasqyrave, të cilat kjo e fundit i ka hartuar konform kërkesave të veta. Gjithashtu, kjo është një mundësi e çdo Njësie Qeverisjeje Vendore të kthejë pasqyrat e raportet e saja financiare ne një plan të vërtetë strategjik Zhvillimi. Në muajin janar do të kryhet dhe përzgjedhja e Njësive të Qeverisjes Vendore që do përfshihen në këtë iniciativë.

Share: