I pandehuri për rekrutimin e luftëtarëve në Siri, Fadil Myslimani ka dhënë një deklaratë të fortë nga banka e te akuzuarit, kur tha se Shqipëria do të shpëtojë vetëm pas ardhjes së ISIS-it në vendin tonë. Myslimani shtoi se shteti po fut në burg njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe veten e tij, dhe ndaj zgjidhja thotë ai – është ISIS. “Pas ardhjes së militantëve të ISIS, do ju ndëshkojnë të gjithëve”, – u shpreh Myslimani. Gjyqi ndaj 9 imamëve të vetëshpallur që akuzohen për rekrutime të xhihadistëve në Siri nuk i ka shpëtuar tensioneve dhe përplasjeve në sallën as këtë të martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe i pandehuri Gerti Pasha i është drejtuar trupit gjykues me tone të ashpra: “Ju jeni kriminelë, armiq të islamit”.  Ndërsa imami i vetëshpallur Genci Balla i ka adresuar akuzat e tij ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe vetë shtetit, që sipas tij “kanë marrë peng fenë islame”. “Shteti trajton në mënyrë të pabarabartë fetë pasi islamin e persekuton. Myslimanë të pafajshëm futen në burg, ndërsa ortodoksët dhe katolikët trajtohen ndryshe”, u shpreh Balla raporton gazeta Shqiptarja.com.