Home KRYESORE A më duket mua a po i ikën duarsh zogu i zgjedhjeve...

A më duket mua a po i ikën duarsh zogu i zgjedhjeve PD -së?

Nga Armir SHKURTI

As protesta, as mosbindje civile? Pas një dhjetori intensiv, me tre protesta të opozitës, ka rreth një muaj që ka rënë qetësia në Shqipëri. Vendi po kalon ditë të vështira, pushteti po kalon krizë dhe veç konferencave për shtyp nuk po kemi kundërshti tjetër…

Janari pati disa rrethana ku reagimi i opozitës qe i doemosdoshëm. Të paktën tre prej këtyre momenteve janë pushimi masiv nga puna tek UKT dhe ndërmarrje të tjera ku qindra punjës u hodhën në rrugë me motivacionin “reformim”, ripërmbytja e Tiranës me udhëtimin e Veliajt dhe mungesën e Ramës dhe rritja e çmimit të biletës së urbanit. Edhe në kushtet e një qeverisjeje të suksesshme të paktën këto tre çështje do të qenë të mjaftueshme për reagim opozitar. Pale kur kryetari i opozitës ka shpallur si strategji të forcës së tij politike rrëzimin me çdo mjet demokratik të këtij pushteti, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohëshme. Këtë objektiv Basha e ka thënë se do ta arrijë ndër të tjera edhe me protesta dhe mosbindje civile….

Janari iku. Sot 14 data. Edhe sikur në këto çaste opozita të nisë organizimin e protestës së re, kjo do të marrë nga disa ditë në disa javë. E pamëshirshme siç është, koha ka të ngjarë të rrjedhë më shpejt se opozita , që do të thotë se , nëse deri në fund të dimrit nuk është dorëhequr Edi Rama atëhere çdo gjë është e kotë dhe me qetësi e dashuri duhen pritur zgjedhjet e rradhës në verën e ardhshme. Meqë në maj ”“ qershorin e ardhshëm është afati ligjor i votimeve të reja, nga kjo vjeshtë e tutje vetëm një arsye shumë madhore mund të pranojë zgjedhje të parakohëshme. Pra nëse Basha do ta mbajë premtimin , atëhere duhet që tek kutitë ne të shkojmë maksimumi brenda korrikut, që do të thotë se qershori është fushatë e po ashtu , që qeveria teknike duhet të jetë formuar të paktën në maj! Pra nëse maji e zë në detyrë Edi Ramën mundësia e planit të opozitës praktikisht bëhet zero.

Mbeten tre muaj e gjysmë! Kaq afat ka opozita për të ngritur shqiptarët në këmbë, për të ngritur në këmbë edhe një kauzë të hajrit e cila t’u japë zemër opozitarëve për protesta e mosbindje civile dhe motiv pushtetit të sotëm për të pranuar këtë zgjidhje politike.

Po Rama nuk ikën me urdhërin e peshkut. Pa arsye të forta është e pakonceptueshme që një kryeministër të lerë karrigen, bashkë me kauzën, forcën dhe njerëzit që përfaqëson , vetëm sepse kështu ka deklaruar kryetari i opozitës! U poqën dardhat se më hahen mua ”“ thotë populli. Madje edhe sikur Edi Ramës t’i ketë ardhur në majë të hundës kjo punë, edhe sikur gjithë bota t’i bëjë presion të ikë, të isha në vend të tij do t’u thoja: “Po aman more, se iki që sot, por të më japin një shkak për ta bër딝! Nuk po shkojmë deri tek mosbindja civile, se ajo punë u pa, por të paktën të qe krijuar një klimë pakënaqësie, një valë protestash politike e civile nga shumë aktorë në Tiranë e rrethe, që të paktën edhe në opinion të krijohej përshtypja se Shqipëria vlon e ndaj duhen votime.

Nëse sot vjen në Tiranë një vëzhgues i huaj thjesht për të parë çka thashë më lart, besoj se do të kthehej në vend të tij e me ndershmëri do të raportonte:

“Situata në Shqipëri është e qetë. Qeveria po punon e po bën shtet. Opozita po e ndihmon në reformën në drejtësi, pasi ky është i vetmi dhe më i madhi shqetësim në vend. Qindra shqiptarë u pushuan nga puna për Vit të Ri por pushimi nga puna duhet të ketë qenë i drejtë pasi asnjëri prej tyre nuk nxorri zë nga goja. As shiu e as uji s’ka ç’i bën atij vendi! Është përmbytur Tirana si kurrë më parë në nëntor dhe janar por popullit dhe opozitës nuk u bëri përshtypje. Sa për ta ilustruar, në përmbytjen e fundit një grup nga opozita shtinë lekë dhe bënë bamirësi, si të qenë motrat e Nënë Terezës a Kryqi i Kuq: vajtën tek romët në buzë të lumit e u çuan ndihma…për opozitë!

Share: