Home KRYESORE Alketa Vejsiut i pergjigjet Dalina Buzit

Alketa Vejsiut i pergjigjet Dalina Buzit

Artikulli i Monitor ka bere qe gazetarja Dalina Buzi dhe Alketa Vejsiu të përplasen për klikimet në mediat online të cilat ato drejtojnë. Përgjigja e Alketa Vejsiut:

Sot në mëngjes, më nisën  screenshoot, një foto nga statusi i Zonjës Buzi! Flitej për një publikim në revistën Class të artikullit të monitor.al për renditjen e mediave online në Shqipëri. Ai status më  prekte drejtpërdrejt personalisht.

Po citoj Dalinkën. “Revista Class e ka marrë komplet shkrimin copy paste dhe ka ndryshuar renditjen duke vendosur më përpara emrin e saj (që renditet më poshtë syri.net dhe opinion.al) dhe pastaj atë të Anabel.”

Jo çdo lajm që del online, kam kohë ta lexoj, sepse janë disa gazetarët që kujdesen për këtë në redaksi, por pas akuzave të padenja të Znj. Buzi, lexova dhe e kuptova, atë që isha e bindur që më parë, që gazetarët nuk e kishin ndryshuar absolutisht renditjen. Ishte shkurtuar shkrimi, për efekt koncentrimi, pa lënë kurrsesi të nënkuptohet që, meqë revista Class përmendet e treta në një paragraf, është e treta në renditjen e përgjithshme. Tabela e monitor.al, e publikuar nga ne, sipas burimit, e bën shumë të qartë renditjen që nuk kishim ndër mend ta ndryshonim. Në shkrimin e monitor. al, përveç tabelës së renditjes, prezantohen me nga një fjali 14 portale. Ne kemi përmendur vetëm pesë prej tyre: Balkanëeb, Top Channel, veten, gazetën Tema dhe Shqiptarja.com. Absolutisht jo si një renditje.

Edhe një herë. Renditja është në një tabelë dhe është shumë e qartë. Anabel.al dhe tetë portale të tjera nuk janë prezantuar, sepse shkrimi duhej shkurtuar. Nuk ka asnjë qëllim ky veprim, sepse pjesa e shkurtuar nuk përmbante komplimente apo arritje të mediave të tjera që ne donim t’i hiqnim “në mënyrë anadollake”, siç thotë Dalinka: ishin thjesht fjali përshkruese për këto media. Dhe kushdo që e lexon shkrimin jo vetëm që nuk sheh të thuhet që Class është i treti, por as nuk e ka atë ndjesi, sepse askush nuk ka pasur qëllim ta lërë të nënkuptohej kjo gjë.

Anabel është në renditje më lart sesa Class. Kjo shihet në tabelë. Ku e sheh Dalina që revista Class ka vënë veten më lart dhe pastaj Anabel më poshtë?

I kërkova Zonjës në privat të kërkonte ndjesë publike për ç’kishte shkruar… Por kjo ndodh vetëm me njerëz qytetarë.

Statusi i saj vijon: “Meqënëse kam ca vite më shumë gazetarie se Znj.Vejsiu, i kujtoj se kur merr diçka copy paste ose nise dhe bitise siç është dhe cito burimin, ose mos e deformo në favorin tënd”.

Edhe unë po i kujtoj disa gjëra Znj. Buzi, që xhelozinë njerëzore ia njoh me zë dhe me figurë. Të jesh drejtuese e një medieje, nuk do të thotë të jesh gazetare dhe kot ka merak të më kujtojë aftësitë e gazetarisë, sepse unë nuk kam pretenduar kurrë që jam gazetare e mirëfilltë, por parimet ia njoh dhe ia respektoj. Artikulli është kopjuar dhe është cituar. Artikulli është shkurtuar, pa tendencë, pa selektivitet dhe askush nuk e ka deformuar. Unë jam e sigurt që, çdo sy, edhe ai më indiferenti, e sheh qartë renditjen në tabelë. Askush nuk ka tentuar t’i hedhë hi, as atij syri, por një syri që do të shohë të keqen ku nuk është, nuk kam çfarë t’i bëj.

Dhe ky “modifikim”, sipas Znj. Buzi, qenka bërë për një garë budallaqe që po krijoj me Anabel, të cilën unë e paskam “marrë për shembull” përderisa kërkova nga partnerët e saj të ndërtoja një portal njëlloj si ai. Po si mund të të marr për shembull, kur unë e përçmoj modelin tënd?! Ti mund të mendosh ç’të duash, por ja ku po ta shpreh hapur mosvlerësimin.

Online-i për mua, si frymëzim, e ka origjinën nga njerëz me ndikim botëror, atyre u jam referuar: Oprah Ëinfrey, Lauren Conrad, Chiarra Ferragni dhe të gjitha versionet online të revistave prestigjioze si Harper’s Bazaar, Vanity Fair, Vogue, Red, Huffington Post etj. Takimi im me Co. Partnerët e revistës ka qenë krejt rastësor, por është një bashkëpunim i frytshëm me ide të reja çdo ditë. Nuk është kurrsesi mbivendosje idesh. Median Online e kanë shpikur të tjerë pionerë në botë!

Flasim pak për Dance ëith me, të TV Klan. Spektakli ka mesatarisht 45%-50% share të audiencës dhe, në net piku, 65% share. Ka nevojë të shtoj më gjë? Në televizion kam vite që jam në prime time dhe kuotimin, nuk mund të ma bësh ti, ashtu siç nuk mund të më tregosh as cepin (çfarë quan cep ti zonja Buzi?). Nuk ke as tagrin, as staturën. Ti mund të bësh shkrime vlerësuese ose goditëse. Unë kam dy prej tyre, “Made in Alketa” dhe “Alketa dhe Vera, kimia që prodhon sukses”.

Ti vërtet ke ndërtuar një media online, por nuk do jesh asnjëherë një kritike e vlerave, sepse, në ndryshim nga unë, media jote më duket sikur është kthyer në një media pa mision. Ty të duhen klikime, nuk të duhen vlera. Këtë e mendojmë ndryshe dhe hendeku që na ndan këtu bëhet gjithnjë e më i thellë.

Nëse do të lexonit se çfarë më shkruan në privat ish-kolegia ime dhe drejtuesja e një prej portaleve më të lexuar në Shqipëri aktualisht, ju do ishit revoltuar për nivelin e ulët ku është katandisur, jo media në vetvete, por drejtuesit e saj.

Nëse do t’i përgjigjesha trillimit dhe delirit të saj në Instagram, duke postuar këtë mesazh të turpshëm që më nisi në privat, të gjitha mediat do të shkruanin të etura për këtë, sepse për cilësinë pak sakrifikohen këto kohë, në mbretërinë e klikimeve. Do të më bënin edhe personazh të një telenovele që jam përpjekur ta shmang sa herë kam mundur. Mendoj që njerëzit nuk kanë nevojë për këtë ushqim dhe po u shmangem detajeve, por nëse ju do të lexonit se çfarë perlash nxjerr nga goja dhe mendja, Znj. Buzi, do e kishit të vështirë t’i bënit iso në kor komenteve dhe statuseve të saj.

Unë nuk ushqej ndonjë iluzion që me këtë shkrim do të rregulloj botën, as që do ndryshoj personazhin në fjalë, por një shembull do ta jap, meqë kam mundësinë të lexohem e dëgjohem. Më intereson shumë raporti me publikun e madh.

Kam parkuar në harresë një telefonatë të Znj. Buzi të disa kohëve më pare, kur më bëri objekt absurd sulmesh pas një polemike qesharake për fjalën “Faleminderit” (unë me grurë dhe ajo me gurë) dhe aty u ndava përgjithmonë me personazhin dhe dola në një konkluzion të vetëm: njerëzit si ajo duhet t’i mbash larg. Por nëse telefonata do të transkriptohej, ju do ta njihnit mirë këtë grua!

Nëse do t’ju vinte një mesazh si ai i “Znj. Gazetare Profesioniste”, jam e bindur që do të ndiheshit të fyera si gra, të përdorura keq si lexuese, të përfaqësuara shumë keq si nëna. Të mos flasim për vlerat që duhet të reflektojë Zonja si drejtuese e një medieje që konsiderohet udhërrëfyese stili jetese.

Mbi të gjitha, ajo që më shqetëson si qytetare është gjuha dhe temat që përdoren për të angazhuar lexues që i kthejnë disa kafene virtuale në vende ku promovohet fjalori banal, fyerjet… ku mund të shfrysh çfarë të vjen në mendje, ku të keqen e nxit dhe e provokon. Këtë di ta bëjë shumë mirë Dalina, edhe në kurriz të njerëzve që s’kanë lidhje fare me këtë frymë. Kështu që t’i gëzojë klikimet dhe ta mbrojë mirë vendin e tretë në klasifikim, ndërsa ka zgjedhur të komunikojë me dy standarde!

Umberto Eço ka të drejtë kur thotë se interneti dhe mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve, po aq sa edhe një fituesi të çmimit Nobel. Të dy mund të flasin dhe të dy mund të dëgjohen. Më e keqja dhe dëshpëruesja, është kur media i ushqen ato, por megjithatë, unë në fund të kësaj, mbështes fort tezën se mediat nuk mund t’u kundërvihen mediave, mediat duhet të bëjnë luftën e tyre kundër injorancës, mediat duhet të reflektojnë modele emancipimi, drejtuesit e mediave kanë përgjegjësi të veçantë për këtë.

Për çfarë më takon, jam plotësisht e vetëdijshme për rolin e saj, di të orientoj misionin tim me aftësi, punë dhe dinjitet dhe jam krenare për këtë. Kam një sistem vlerash nga i cili udhëhiqem, bilancin e të cilit do ta bëjë publiku në fund.

Ai publik të cilit nuk duhet t’i shesim atë që s’jemi vetë, as atë që s’është ajo që duket.

Dhe këtë filozofi e ndjejnë dhe përqafojnë edhe njerëzit që më ndjekin. Në profilet e mediave të mia sociale, gjen rrallë njerëz që nxiten të komentojnë negativisht, sepse standardin e kam vendosur unë.

Sot, në Dajt kishtë rënë dëborë dhe ishte një ditë e bukur në kryeqytet. E tepërt të kesh energji si kjo që më krijoi statusi i Dalinës, kur ke shumë punë të mira e të bukura për të bërë.

Por nëse je një grua që ke sukses në çfarë bën, mos u pengo kurrë nga çfarë të del përpara! Sa herë që duan të të trajtojnë si zog të vogël, trumcak, të ëmbël, të parritur, një kukull që do gjykohesh gjithmonë, sepse kirurgu ta bëri hundën më të bukur sesa mëma natyrë, jepu atë që meritojnë dhe tregoju që di të fluturosh dhe të shohësh larg dhe nga lart!

Share: