Edison Ypi
Mbi trotuarin e “Bankë”-s, shitet “Bar Miu”. Rrëzë murit të “Change”-it tregëtohet “Far Djathi”. Anash vetrinës së “Fustane Nusërie”, janë nderë të mbathura. Dyqani i frutave mban tabelën “Mish Derri i Freskët”. Në “Farmaci” mund të hyhet vetëm nëpërmjet derës së dyqanit ku shiten patate me shumicë. Para një “Cash Point”-i mbajnë rradhë për të tërhequr pare pesë tipa, njëri me mustaqe, tjetri pa dhëmbë, një ushtarak, një hunderr, i pesti me një shenjë thike në faqe.
Në një dyqan shiten njëkohësisht oriz, sheqer, patate, makarona, kopertona bicikletash, vajra makinash, shapka. Tek “Travel Agency” luhet Bilardo dhe vihen Baste Sportive. “Këpucë të Vjetra” rrinë varur mbi ca kosha me presh. Ngjitur me koshat dy qingja të bardhë po blegërijnë se e kanë nuhatur që pas pak do theren. Brenda një guve të errët që quhet“Ëmbëltore” shqiptarë të kërrusr kullufisin male mishi shoqëruar me pilaf dhe kos.
“Qilima”-t e varur në trotuar mbulojnë tabelën “Telefona Celularë Orëndreqës”. “Elektroshtëpiake” ka mbushur trotuarin me hekurishta të ndryshkura. “Klinikë Dentare” s’dihet se ku ndodhet. “Sallon Bukurie” dhe “Shërbime Funerale” i ndan një derë e vogël dërrase mbyllur me lloz që s’merret vesh ku të degdis. Një kamion i ndalur, shoferi i të cilit ka ikur në drejtim të paditur, është futur së prapthi në një si magazinë.
Një e treta e kamionit brënda në magazinë, e treta e dytë mbi trotuar, e treta e tretë ka blllokuar gjysmën e rrugës. “Dyer të Blinduara” ka blinduar edhe veten përderisa është mbyllur dhe s’dihet se kur do hapet. “Fotograf”-i ka përmbledhur në gjirin e vet; “Internet Kafe”, “Lojra Kompjuterike në Rrjet”, “Punime Duroalumini”.
“Fizioterapist”-i rri sikletshëm me sipër një “Class Restorant”, nga e majta një “Picaso Bar” nga e djathta një “Gëlqere”. Tek “Berber”-i nuk mund të rruhesh, të qethesh, apo të bëhesh synet se nga brenda del tymi i pulave hungareze të pjekura në hell. Një Golf 4 me 5 veta në bord duke provuar të hyjë mbrapsht në një garazh gjatë manovrës hedh përmbys përtokë një motoçiklist pa kaskë. Një Benz i madh me të gjitha dritat ndezur ka bllokuar rrugën. Nga një furgon i vjetër plot zhurmë e tym bien mbi asfalt një katarakt me arka bosh.