Home KRYESORE Elemente te kulturës irracionale ndaj Jetës dhe Vdekjes

Elemente te kulturës irracionale ndaj Jetës dhe Vdekjes

Nga Artur Nura

Në shkrime te vazhdueshme do të mundohemi të trajtojmë “zë për z딝 disa nga elementet irracional të kulturës dhe mentalitet socio-kulturor shqiptar në raport me dimensionet e arsyeshme dhe irracionale të mentalitetit tonë. Sot do të mundohemi të analizojmë në mënyrë modeste disa nga elementët të cilët presupozojnë perceptimin shoqëror dhe individual për Jetën dhe Vdekjen dhe sigurisht “derivateve” që ato përcjellin tek ne.

Në fakt, duhet thënë se të dyja këto fenomene-koncepte njerëzore padyshim që prezantojnë gjithçka për individin si qënie e gjallë dhe inteligjente. Parimisht të parën, Jetën na e jep Zoti, apo Fati sipas secilës prej filozofive përkatëse, ndërsa njeriu, shoqëria ka për detyrë të vetme parësore ta mbrojë dhe zgjasë me dinjitet brenda kufijve të së mundshmes njerëzore!

Të dytën, Vdekjen që parimisht prezanton fundin e së parës, si për ti provuar racionalitetin (përdorimin e Arsyes) individëve i është dhënë mundësia edhe t’ia dhurojnë njeri-tjetrit ne çdo kohë duke tejkaluar zhvillimet e mundshme natyrale! Nga ana tjetër në fakt, individëve dhe shoqërisë i është dhënë mundësia teorike relative të rikuperojë gjithçka të gabuar gjatë Jetës dhe për Jetën, veç Vdekjes! Jeta nëse humbet nëpërmjet Vdekjes është e pakthyeshme dhe kjo është qartësisht e vetmja teori absolute ndaj nesh!

Për shkak se jemi shoqëri në zhvillim dhe irracionale për fat të keq këtë teori absolute kaq të qartë, shumë prej nesh arrijnë ta kuptojnë më së miri me vonesë të parikuperueshme. Personalisht gjykoj në mënyrë modeste që ne duke mos arritur dot të jemi shoqëri racionale nuk mundemi të kuptojmë si duhet dhe sa duhet vlerat specifike të dyja këtyre instrumenteve bazë të ekzistencës sonë: Jetës dhe Vdekjes e fenomeneve socio-kulturore që shoqërohen me to! Po te ishte ndryshe, sigurisht që nuk do të shikonim në varrezat tona publike varre të rinjsh të cilëve u mermerosen “lapidare vdekje” në mënyrë shumë të kushtueshme! Sigurisht familjeve të tyre dhe shoqërisë vetë do ti duheshin teorikisht me pak para për ti shkolluar ata dhe bërë më civil para se të kalonin tek e pakthyeshmja: Vdekja…

Kultura dhe mentaliteti ynë është kompleks…

varrimNë kulturën tonë socio-kulturore kemi elementë të prejardhura si nga Lindja ashtu dhe nga Perëndimi dhe ato tashmë janë pjesë e së tërës, e cila nuk shfaqet e njësuar dhe komplekse ngado midis nesh. Një kompleksitet i tille sjell si pasojë edhe një ndarje (diferencim) të caktuar gjeopolitik dhe socio-kulturor në shumë dimensione të jetës dhe të vepruarit të individit dhe shoqërisë.

Nëse shohim për shembull zakonet dhe traditat e varrimit në Shqipëri ato shfaqen te ndryshme në Jug nga Shqipëria e Mesme e në Veri dhe sigurisht anasjelltas. Vdekja dhe respekti ndaj të vdekurit si institucion filozofik tradicional është e lidhur drejtpërdrejt me kulturat përkatëse, të cilat bashkëjetojnë në shekuj me shqiptarët. Kjo dukuri pa dyshim është i lidhur me kulturën fetare kristiane dhe myslimane, por edhe elemente të tjera socio-kulturore ndikojnë pa dyshim.

Në fakt, pavarësisht se Shqipëria është vend i vogël, mund të gjesh elemente të ndryshme të zakoneve të njëjta për zona të caktuara gjeografike pavarësisht përkatësisë së njëjtë fetare. Parimisht, kjo duhet të ketë ndodhur edhe për shkak të periudhës ateiste të Shqipërisë, e cila ka tentuar me forcë të njësojë kulturën e shoqërisë nën diktaturë. Ndoshta tek kjo periudhë mund të gjenden disa nga shkaqet e përzierjes dhe ndryshimeve të këtyre traditave. Por përtej kësaj, duket se traditat evoluojnë edhe sot në mënyra të caktuara dhe nga shkaqe të caktuara. Nuk ka si të jetë ndryshe, ndërsa sot shqiptarët kanë një numër shumë të konsiderueshëm emigrantësh, kryesisht në Evropën Perëndimore nga ku marrin dhe japin.

Ajo qe i bashkon te gjitha këto zhvillime duket se ka te beje vetëm me irracionalitetin tone tradicional te cilin kultura jone e ka lënë përgjithësisht te lire dhe nuk i është kundërvënë me mënyra racionale dhe reflektuese këtyre zhvillimeve. Kultura racionale ka munguar në historinë tonë shumë komplekse e cila sot për fat të keq rezulton të jetë e dhunshme…

Kultura irracionale e varrimit në raport me të gjallët: eksperiencat në Lezhë dhe Tiranë…

varrimi1Personalisht mora pjesë në varrimin e nënës së tre djemve në qytetin e Lezhës. Sipas zakonit të kësaj treve, gratë nuk shkonin në varreza, por megjithatë pjesëmarrja atje ishte e jashtëzakonshme, pavarësisht përkimit me një nga ditët më të nxehta të vitit. Të tre djemtë janë me origjinë nga Lezha, por tashmë jetojnë dhe punojnë në Tiranë, ku kanë një pozitë shoqërore mjaft të vlerësuar. Në atë varrim kishin ardhur mjaft miq dhe dashamirës nga Tirana, përgjithësisht me automjetet e tyre duke krijuar një karvan pa fund, i cili bllokoi rrugën e amortizuar të varrezave të Lezhës. Edhe miqtë e vjetër lezhjanë nuk mungonin në atë mort, por edhe ata në pjesën më të madhe kishin ardhur me automjetet personale. Dy autobusë, njëri nga Lezha dhe tjetri nga Tirana, ishin pothuajse bosh…

Por, përtej kësaj panorame irracionale në këtë histori masive në momentet e fundit dhe më delikate të një njeriu, pranë tre vëllezërve ishin vetëm rreth njëzet vetë, të cilët dukeshin që e përjetonin edhe ata dhimbjen për vdekjen e zonjës së nderuar. Shumica tjetër e të pranishmeve bisedonte sipas rastit dhe për gjëra krejt të tjera pa lidhje me mortin, duke pritur radhën të ngushëllonin tre vëllezërit për ikjen e nënës së tyre nga kjo jetë! Apriori besoj se ata nuk e njihnin të ndjerën, por ishin aty për raporte pragmatiste dhe interesash ndaj djemve të saj të cilët gëzojnë pozita të mira shoqërore dhe administrative! Në fakt, këtë teori te mundshme ma konfirmoi edhe një eksperience tjetër në Tiranë ku varrosëm një të afërme e cila ndërroi Jetë në moshën 85 vjeçare, por që nuk kishte pasur fëmijë! Pjesëmarrësit nuk i arritën 30 vetë, por të gjithë të njohur të saj dhe me lidhje gjaku me të. Të gjithë edhe pse të bindur që ajo ishte larguar nga kjo jetë në mënyrën më të pranueshme e ndjenin ndarjen e përgjithmonshme me të në mënyrën më të sinqertë njerëzore…

Të reflektosh në mënyrë racionale (të arsyeshme)

reflektimFillimisht, më duhet të them se përgjithësisht sipas praktikës perëndimore (sigurisht, me ndryshime të caktuara) ndarja me të dashurin e ikur përgjithmonë nga kjo jetë bëhet zakonisht në morg! Më pas, përgjithësisht vetëm të dashurit e tij apo të saj dhe pak miq të të gjithëve shkojnë deri në kishë apo varreza. Është krejt e qartë që pjesëmarrja në varreza në Perëndim me ndryshime te caktuara sipas vendeve, është shumë modeste kundrejt traditës shqiptare. Aty përgjithësisht të gjithë të pranishmit në këto momente të vështira janë vetëm ata që e ndiejnë thellësisht ndarjen e fundit me të dashurin e paharruar që ikën përgjithmonë. Pjesa tjetër e miqve, kolegëve zakonisht merr pjesë në hidhërim vetëm duke ngushëlluar me një telefonatë diskrete. Në fakt, kësaj kategorie të miqve dhe kolegëve në praktikën perëndimore i përkon ai grup shoqëror shqiptar (rasti i varrimit të Tiranës) i cili vjen personalisht apo familjarisht për të ngushëlluar në varrim dhe në shtëpi jo si detyrim apo raport interesi! Ne në shkrimin e ardhshëm do të trajtojmë edhe fenomene te tjera socio-kulturore irracionale të cilat shoqërojnë Jetën dhe Vdekjen midis nesh…

Share: