Home KRYESORE Ja përse dështojnë liderët dhe lidershipi

Ja përse dështojnë liderët dhe lidershipi

Nga Enriko Ceko

Lider është dikush të cilin e ndjekin njerëzit, apo dikush që i është ngarkuar detyra për të qenë në krye të kombit, të një partie politike, të një trupe legjislative, të një njësie ushtarake, një grupi pune etj., ndërsa lidershipi është procesi i influencës sociale, nën të cilin një person ndihmohet dhe mbështetet nga të tjerët, për të arritur objektiva apo detyra të përbashkëta. Gjithashtu, lidershipi është krijimi i një rruge nëpër të cilën njerëzit kontribuojnë që të ndodhin gjërat që ata duan, është aftësia për të integruar në mënyrë të suksesshme burimet e vlefshme për arritjen e qëllimeve të organizatës.

Në këtë situatë, lideri duhet të jetë në vazhdimësi një individ i aftë për të nxitur të tjerët e për t’i mbështetur ata drejt një ëndrre dhe nga kjo del se njerëzit duhet të kenë përpara tyre një vizion dhe një mision për të arritur, vizion dhe mision që arrihet me objektiva strategjike, objektiva operacionale dhe me një plan veprimi të përcaktuar qartë dhe më tej edhe me mbështetjen financiare të nevojshme dhe të përshtatshme për të realizuar planin e veprimit.

Në kushtet aktuale që ndodhet vendi ynë, shenjat tregojnë se liderët dhe lidershipi në përgjithësi, në pozitë dhe opozitë, e kanë humbur drejtimin e busullës, ose ndoshta edhe më keq e kanë humbur busullën fare dhe kjo sepse në situata të ndryshme dhe të vështira që kanë dalë përpara në rrugën e zhvillimit të vendit, lidershpi ka treguar se e humb menjëherë toruan, çfarë thotë sot nuk thotë nesër, nuk ka marrëdhënie të balancuara me të tërë ata që e mbështesin, por marrëdhënie të anatemuara, që krijohen mbi bazë interesash të ngushta dhe jo mbi bazë interesash gjithëpërfshirëse, të cilat janë ato që krijojnë në fakt kohezionin politik, ekonomik, social, kulturor, etj., në një vend të caktuar.

Kjo ndodh sepse liderët dhe lidershipi në vend nuk kanë aftësi axhustuese, u mungon drejtpeshimi i gjërave, nuk kanë aftësinë të shikojnë anën tjetër të medaljes, u mungon qartësia në mendime dhe veprime, nuk janë të hapur nga përvoja më e mirë dhe në përgjithësi nuk janë vetëefikasë, elemente këto të përcaktuara nga shumë autorë të psikologjisë, personalitetit të drejtimit, lidershipit dhe procesit politik, sipas të cilëve, liderët dështojnë sepse neglizhojnë aftësitë e të tjerëve dhe se me kalimin e kohës, injorojnë motivet dhe vlerat që i kanë vënë ata në krye të vendit dhe kombit, apo sepse pas një sërë suksesesh, liderëve u bie niveli ekspertizës dhe aftësitë në zgjidhjen e problemeve.

Aq më keq kur në mjaft raste është vënë re që në vendet në zhvillim, liderët dhe lidershipi nuk krijohen mbi baza të shëndosha edukative dhe karriere, por mbi bazën e influencave situacionale. Kështu erdhi në fuqi Millosheviçi, vetëm për shkak të një fjalimi nacionalist, që më pas e ktheu atë në kasapin e Ballkanit, kështu erdhi në fuqi Stalini, thjesht se ishte kanakari i Leninit, kështu erdhi në fuqi Hitleri, thjesht se i pëlqeu njërit prej komandantëve të lartë ushtarakë për pikëpamjet e tij dhe jo për shkak të përzgjedhjes cilësore të elitës kombëtare, por vetëm për shkak të mungesës së saj, apo mefshtësisë së saj.

Është shumë interesant fakti se në përgjithësi xheli emocional apo amalgama emocionale e liderit ndikon në një masë shumë të madhe në emocionet e grupit që ai drejton, emocione që lidershipi i përcjell te njerëzit e thjeshtë, dhe, liderët që e njohin këtë mekanizëm, influencojnë shumë te të tjerët nëpërmjet stilit karizmatik të bërjes së punëve (Sipas Bono J.E. & Ilies R. 2006 Charisma, positive emotions and mood contagion. The Leadership Quarterly 17(4): pp. 317-334). Kur njerëzit shprehin ndjenjat e tyre, ata dërgojnë sinjale te të tjerët dhe nga kjo del se që punët të ecin mirë, duhet që emocionet e liderit të jenë në përgjithësi pozitive dhe nxitëse dhe patjetër të mirëkontrolluara për të bërë punë të mira dhe punë të perëndisë dhe jo punë të liga e punë të djallit. Në kohët moderne për liderët dhe lidershipin nuk ka më vend për stil narcistik, autoritar apo autokratik drejtimi, por për stil pjesëmarrës dhe demokratik, kombinuar me stilin e ecjes së lirë, që do të thotë se njerëzit në grup duhen lënë të lirë të veprojnë, duke u motivuar në mënyrë pozitive dhe efektive, në mënyrë që të rritet produktiviteti i tyre.

Aq më keq nuk ka vend në ditët tona për liderë dhe lidership të tipit toksik, që është një mënyrë drejtimi ku lideri dhe lidershpi abuzojnë me marrëdhënien se anëtarët e grupit duhet të ndjekin liderin dhe lidershipin, duke i vënë këta anëtarë në situata të vështira dhe të këqija, shpeshherë edhe jashtë vullnetit të tyre, për të bërë veprime që dihet se janë të gabuara apo jo efektive dhe eficiente. Që një lidership të jetë efektiv dhe eficient duhet që të ketë unitet midis tërë anëtarëve, duhet të ketë marrëdhënie ndërpersonale dhe anëtarët duhet të kenë shansin që të kontribuojnë, mësojnë dhe të punojnë me dhe nga të tjerët dhe anëtarët duhet që të kenë aftësinë që të veprojnë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. Për këtë, liderët dhe lidershipi duhet të kenë qëllime, prioritete dhe role të përcaktuara, të dinë të marrin vendime, të shmangin konfliktet, të trajtojnë në mënyrë të balancuar njerëzit dhe situatat, të veprojnë mbështetur në norma dhe rregulla, të krijojnë kushtet dhe të mbështesin produktivitetin e njerëzve etj.

Vetëm nëpërmjet këtyre karakteristikave mund të bëhet e mundur që lideri dhe lidershipi të arrijnë të kenë fuqi legjitime, aftësi për të mbajtur timonin dhe kapelen e kapitenit, për të gjeneruar përherë e më shumë fuqi kohezioni rreth njerëzve që i rrethojnë dhe të shtojnë fuqinë e ekspertizës nga përvoja dhe informacioni që vjen nga ky kohezion. Lidershipi ka brenda tij informacione të shumta nga më të ndryshmet. Janë pikërisht këto informacione që ndihmojnë të kuptohet përgjigjja se përse lideri dhe lidershipi gjenden në një moment të caktuar në vështirësi dhe se nëse nuk përmirësohet situata, sipërmarrja politike mund të dështojë përfundimisht. Nëse mund të rendisim disa nga problemet se përse dështon lidershipi, paaftësia e leximit të informacionit patjetër duhet që të renditet në krye të listës.

Nëse nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme për të lexuar informacionet, atëherë rreziku i dështimit është fare pranë dhe ky rrezik nuk duket në kohët e mbara të drejtimit, por del papritur përballë drejtuesve kur bien parametrat e drejtimit të vendit dhe kur qytetarët kërkojnë zhvillim dhe rritje të mëtejshme të mirëqenies së tyre individuale dhe si komb. Një arsye tjetër se përse dështojnë liderët dhe lidershipi është se ata nuk duan që të besojnë se ata nuk dinë atë që në fakt duhet ditur për kombin, vendin, jetesën e qytetarëve të thjeshtë, në mënyrë që të drejtojnë kombin në mënyrë cilësore, efektive dhe eficiente.

Liderët mund të jenë njerëz mjaft inteligjentë, të përpiktë, drejtues mjaft të mirë, por mund të jenë edhe mosbesues, arrogantë, kontrollues në detaje, tipa paranojakë, apo edhe njerëz të pasigurt, sidoqoftë, të paktën një ditë të vetme në drejtim ata mbeten pa ide. Idetë në fakt më së shumti i kanë njerëzit e thjeshtë dhe edhe pse liderët e dinë fare mirë se idetë e njerëzve të thjeshtë janë më të mira se idetë e tyre, ata përsëri vazhdojnë që të ecin me idetë e tyre, duke vazhduar që të bëjnë të njëjtat gabime. Edhe pse lidershipi e ndonjëherë arrin ta perceptojë se njerëzit e thjeshtë dinë gjëra mjaft të vlefshme për ecurinë e zhvillimit të vendit, përsëri komunikimi midis lidershipit dhe qytetarëve në më të shumtën e rasteve nuk është i përshtatshëm apo mungon pothuajse fare. Është pikërisht dëgjimi zërit të qytetarisë ai që bën që lidershipi të drejtojë për një kohë të garantuar.

Një gabim tjetër mjaft i madh që bëjnë liderët është se ata tërë ditën merren me financat, çmimet, buxhetin, tenderët, koncesionet, e të tilla si këto, kur vendi ka nevojë që lidershipi të mendojë më shumë me zemër dhe me kokën e vet mbi supe se sa me gjak të ftohtë e me ndonjë kokë tjetër. Duke bërë këtë gabim, liderët nuk gjejnë shpejt rrugën e përshtatshme për të ecur përpara, ata ose nxitojnë ose vonohen në marrjen e vendimeve, ndërmarrin risqe nga më të ndryshmet, kanë konflikte në marrjen e vendimeve, duan që të jenë gjithkushi etj., dhe kjo të çon drejt mediokritetit në kryerjen e punëve. Në përgjithësi pothuajse të tërë liderët e dinë pak a shumë se si duhen bërë punët, por jo të tërë janë njësoj.

Disa e dinë shumë mirë, disa më mirë e disa më keq e disa shumë keq. Të dish se si operon politika dhe drejtimi i vendit nuk do të thotë se je i aftë të përshtatesh në kohën e ndryshimit të situatave, që nuk varen nga mjedisi i brendshëm. Përsëritja e çdo gjëje njësoj si në ditën e parë të fillimit të punës në politikë për disa mund të jetë gjë e mirë, por në fakt nuk është kështu. Nëse vepron në këtë mënyrë, lidershipi nuk është përmirësuar aspak dhe nuk bën përpjekje për të mësuar kryesisht nga dështimet e veta dhe të të tjerëve. Të mendosh se je më i miri është gabimi më i madh që mund të bëjë një lider, sepse gjithmonë ka vend për përmirësim.
Pothuajse të tëra gabimet dhe defektet e mësipërme bëjnë që lideri dhe lidershipi, pavarësisht nga fuqia midis qytetarëve, një ditë të bukur të shkojnë drejt dështimit. Dëgjimi i zërit të qytetarëve, vënia veshit e nevojave dhe dëshirave të njerëzve të thjeshtë, krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për zhvillimin e ekonomisë dhe për të mbështetur komunitetin e biznesit etj., janë disa nga elementet kryesore apo çelësi i madh i arritjeve me të cilat një lidership i caktuar mund të fitojë të drejtën e qytetarisë për të drejtuar vendin dhe kombin, apo që një lider të vazhdojë të drejtojë më tej, në mënyrë që edhe kur të dalë në pension, të ketë me të vërtetë se çfarë t’u tregojë me mburrje nipave dhe mbesave.

Share: