Home KRYESORE RINI QË SHTYP TASTE!

RINI QË SHTYP TASTE!

Nga Alfons ÇUPAJ

Megjithëse kishte kaluar shumë kohë, kokën nuk e ngriti për asnjë moment. Kurrizi i saj i kërrusur, nga larg më ngjantë si degët e pemëve në dimër që i dorëzohen borës, e cila me një qetësi të pashembullt zë vend e rëndon mbi to. Nuk ishte vetëm. Bashkë me të ndodheshin edhe disa ‘pikëpyetje’ të tjera që rrufisnin makiato. Me një përqendrim të pashembullt, shtypnin tastierën e telefonit, ndërkohë që mimika e fytyrës së tyre merrte herë pas herë forma të çuditshme.

Qeshnin me vete, gëzonin, nxirrnin gjuhën, ngërdheshnin fytyrën, por shumë rrallë e ngrinin kokën lart. Herë-herë ngatërroheshin dhe rrufisnin edhe makiatot apo ujin me klor të njëri-tjetrit. Rrallë herë flisnin bashkë. Edhe kur e bënin, flisnin jashtë kontekstit. Në fakt më shumë murmurisnin dhe kurrë nuk e shihnin njëri-tjetrin në sy. Më bëj ‘like’ dhe koment fotos që hodha, si më duket bluza që kam blerë, apo a m’i nxjerr në pah format fotoja, janë disa nga bisedat që dëgjohen edhe pse largësia është mjaftueshëm për të mos dëgjuar njëri-tjetrin.

Pasi tërheqin edhe nga një gllenkë nga uji me klor i bovillës, nisin sërish të shtypin ato taste të mallkuara. Dhe rituali vazhdon, përsëritet gjithnjë. Një gllenkë makiato, ujë me klor, ca foto duke fryrë buzët dhe sërish vazhdojnë ‘kerrc-kerrcet’ e tastierave që kushtojnë miliona lekë. Vetëm një moment pashë që në fytyrat e tyre pati një gëzim gati-gati fëmijënor. Në tavolinën ngjitur, një vajzë lexonte e patrazuar një libër.

Qeshnin me piskama edhe pse vajza ngjitur vazhdonte të lexonte e qetë. E quanin të mjerë vetëm pse telefoni i saj nuk kushtonte më shumë se 3 mijë lekë, të prapambetur pse xhinset e saj nuk ishin të grisura te këmbët dhe veshja e saj ishte normale, të vetmuar pse po lexonte një libër. Kakarisën derisa tërhoqen vëmendjen e të gjithëve dhe vazhduan sërish ‘kerrc-kerrcet’ e tyre…Ato tastiera të mallkuara i shtypin deri sa t’i zërë gjumi.

Share: