Home KRYESORE Rrugë pa krye! Cili meriton të jetë udhëheqës i Kosovës?

Rrugë pa krye! Cili meriton të jetë udhëheqës i Kosovës?

Nga Lis Bukuroca

Unë jam në gjendje të vështirë. Nuk kuptoj as politikën e qeverisë, por as të opozitës. Sa herë të mendoj se duhet rrëzuar qeveria, pastaj pyes veten, kush duhet të qeverisë: Fatmir Limaj që në kohën e tij si ministër u zhdukën diku 300 milion euro, Jakup Krasniqi që deri sa pat funksion bashkëveproi me Thaçin, Haradinaj për vëllanë e të cilit dëgjohen shumë storje të tmerrshme apo, Albin Kurti, që ndezë objekte, shkatërron makina e thyen xhama?!

Cili meriton të jetë udhëheqës i Kosovës?

Jam shumë i vetëdijshëm se kjo qeveri po negocion jo për vete, por për të mundësuar aderimin e Serbisë në BE. Ky nuk është qëndrim i keq, por kur flijon interesat nacionale, po. Qeveria e Kosovës nuk i vuri asnjë kusht Serbisë për bisedime, thua se se Serbia kishte bërë një piknik me shqiptarët e Kosovës, e jo një luftë barbare, madje duke sekuestruar edhe mbetjet e mijëra shqiptarëve nëpër varre të përbashkëta në Serbi.

Natyrisht Serbia nuk ka asnjë interes t’i kthejë tani. Kjo do ta dëmtonte imazhin e saj. Por, qeveria Kosovës, nuk është dashur të sillet thua se është fjala për mbetje të kafshëve dhe pa kthimin e tyre, pa marrë parasysh trysninë e Perëndimit, as që është dashur të ulet në tryezën e bisedimeve. Këtë ka bërë Thaçi duke shpresuar se fiton simpati në botë dhe shpëton nga gjykata dhe pataten e nxehtë, e hodhi në duart e marionetës serbe, Isa Mustafës. Ia solli fati për herë të dytë të angazhohet për Serbinë. Tani jo me ndihmën e Millosheviqit, por të Thaçit, drejtorit politik të UÇK-së!

Sikur të kishim shtet ligjor, krejt elita politike kosovare, do të gjendej në burg, për: abuzim detyre, pasurim jashtëligjor, korrupsion, tradhti, por ndoshta edhe për kriminalitet.

Ajo që mund të konstatohet në këtë gjendje kaotike – ku qeveria meriton rrëzimin, por opozita nuk meriton pushtetin – është gjendja ideale dhe çasti i volitshëm për një parti të re. Një parti me orientim të qartë europian dhe me angazhim të qartë për shtet ligjor: për barazi gjinore dhe për të drejta e fëmijëve, të cilat në Kosovë as nuk merren seriozisht. Gati askush në Kosovë nuk beson në atë që shkruan në Kushtetutë, por në atë që ka mësuar në shtëpi. Kjo gjendje na bën popull jo-shtetformues, me bindje fisnore, jo ligjore.

Tani për tani me fjalë apo me statute partiake, partitë kosovare kanë orientim europian, por praktikisht, asnjëra. Krejt ndërtimin e brendshëm e kanë fisnor si partitë në disa vend të Afrikës, ku popujt ndahen në fise. Partitë tona janë parti hibride, zvarritëse, pa kurriz, që sillen e mbështillen rreth atyre që japin para dhe urdhra. Edhe koalicionet nuk janë parimore. Ato nuk kanë programe partiake për të realizuar, por urdhra. Ata, nënshtrimin e tyre, e përkthejnë si konsultime me miq.

Rrezikun tjetër që ka përgatitur Kosovës kjo qeveri me nënshkrimin klandestinë të Zajednicës pa marrë lejen e Kuvendit, është, se me anulimin e asaj Autonomie, veriu nuk do të mund më të integrohej në shtetin e Kosovës. Katundet serbe dhe gjysma e Mitrovicës do të ndjeheshin humbës.

politikanet-kosovesPra, pa luftë, serbet nuk do të mund të integrohen brenda shtetit të Kosovës. Luftën nuk do ta lejonte Perëndimi dhe në fund, Autonomisë serbe në Kosovë, do t’i bëjnë ndonjë makijazh, që nuk trazon serbet dhe aprovohet. Europa nuk do të lejonte që Serbia të humbë edhe një herë. Kanë ndryshuar raportet në botë. Ka ndryshuar edhe qëndrimi jonë ndaj Perëndimit. Ka ndryshuar qëndrimi ndaj nesh. Në botë perceptohemi edhe si popull mosmirënjohës. Praktika po tregon realitetin. Mendimet tjera, janë deklarata kurtuazie. Nga kjo krizë mund të na nxirrte vetëm SHBA, por as kjo nuk mund më të pritet.

Insistimi i Europës që të mbeten në pushtet Thaçi dhe Mustafa, (ky bashkim i çuditshëm sigurisht ka qenë edhe urdhër i tyre) është si këmbëngulja e dikurshme e Millosheviqit për Rrahman Morinën. Europa është e bindur se me këta dy, mund të realizojë qëllimet e veta për paqe në Ballkan, por me një Serbi armiqësore, do të jetë një stabilitet i brishtë dhe i përkohshëm.

Nëse lexohet letra e Ibrahim Kelmendit, bashkëpunimi qysh në fillim i Hashim Thaçit me shërbimin sekret francez, atëherë mund të kuptohet profilizimi tij, mund të vërehet ndikimi francez në shpërfilljen e veriut pas përfundimit të luftës, kur ka mundur të mbrohet dhe natyrisht, edhe nënshkrimi i autonomisë. Ibrahim Kelmendi në faqen e vet në facebook shkruan për spiunin francez, që ishte i martuar me një serbe dhe nga Franca kishte shkuar për ta mësuar gjermanishten në Cyrih, ku mësonte Hashim Thaçi dhe ku bëhen miq.

Ta mësosh gjermanishten në Zvicër, është sikur ta mësosh gjuhën shqipe në Tetovë. Jo se gjermanishtja nuk mund të mësohet aty, por zakonisht ata që kanë mundësi, çfarë ka pasur edhe spiuni francez, shkojnë aty ku flitet ajo gjuhë edhe fonetikisht drejt. Ndaj pohimeve të Ibrahim Kelmendit reagoi edhe Bardhyl Mahmuti, që tregoi për raportet negative që dërgonte Arnaud Danjean pas çlirimit mbi Kosovën dhe UÇK-në në Francë dhe grindjen që kishte pasur me të, por, duke refuzuar të marrë pjesë në ndriçim tutjeshëm me arsyetimin se kjo dëmton vendin. Shkurt, Arnaud Danjean, ishte shok i Hashim Thaçit, por mendim negativ për të ka Ibrahim Kelmendi dhe Bradhyl Mahmuti, që parapëlqen të mos flitet për këto. Shkrimi i Ibrahim Kelmendit dhe reagimet e Bardhyl Mahmutit, mund të lexohet këtu:

Ibrahim Kelmendit shpreh një frikë të madhe për ardhmërinë e Kosovës në rast të marrjes së vendeve kryesore të shtetit nga dy marioneta, siç i përkufizon ai Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën. Kjo është dilema: si të durohen në pushtet këta dhe ku të gjendet politikan kosovar, që lufton për interesa nacionale dhe që pranohet edhe nga Perëndimi? Për të dalë nga kjo udhë pa krye, duhet një parti e re, në rastin ideal, që udhëhiqet nga një grua. Partia e re mirëpo nuk do të ketë kohë për të ndryshuar gjendjen e krijuar dhe deri në profilizim, do të përfundohet si Zajednica, ashtu edhe rikufizimi me Malin e Zi.

protesta ne KosoveSi do që të jetë, në krejt vendimet e Thaçin lexohen edhe motivet; si tek shitja e ndërmarrjeve, ashtu edhe tek shpërfillja e dëmit të përjetuar nga Serbia, deri tek financimi me një milion euro i një televizioni privat antikombëtare, që përmendi Milaim Zeka.

Duke gjykuar gjakftohtë, atëherë mund të thuhet se Perëndimi nuk do të lejojë rrëzimin e tyre para se të përfundohen ato çështje të hapura. Garantues për realizimin qoftë edhe me shkelje të pjesshme të Kushtetutës, janë pikërisht ata dy. Pas përfundimit të atyre projekteve, do të hiqet dorë si nga Thaçi, ashtu edhe nga Mustafa. Do të jenë të konsumuar deri në palcë dhe nuk do t’i nevojiten më askujt.

Katapultimi i Thaçit në poltronën e presidencës, do të jetë notë pozitive, vlerësuese për Zajednicën dhe demarkacionin me Malin e Zi, në mes të tjerash.

Share: