Home KRYESORE Shkrimtari oborrtar nuk e njeh vetminë!

Shkrimtari oborrtar nuk e njeh vetminë!

Nga Rezart Palluqi

Rudolf Marku jeton në Londër, por mendon sikur të ishte banor i Kurveleshit! Në një shkrim të tij botuar në nje gazetë komuniste tiranase, Rudolfi tenton të na prekë zemrën për vetminë e madhe të I. Kadaresë. Që ta përforëcojë dhe të na e sjellë atë sa më bindëse, ai e paralelizon vetminë e Kadaresë me vetminë e shkrimtarëve racë, si Orwell, Steinbeck, Tolstoi, etjer.

Rudolf Marku! Në radhë të parë shkrimtarët oborrtarë nuk e njohin vetminë e vërtetë! Kjo, ngaqë ata janë gjithnjë të rrethuar prej spiunëve, shërbëtorëve të diktatorit, por edhe lexuesve trushpëlarë. I. Kadareja, gjatë periudhës hoxhiste, është lexuar me detyrim në shkolla. Një shkrimtar ndjehet i vetmuar, kur ai nuk lexohet me urdhër nga lart. Në rastin e padronit tënd letrar, ai u lexua me urdhër nga lart. Një shkrimtar ndjehet i vetmuar, kur vuan prej varfërisë papunësisë. Padroni yt. I.K, merrte rrogën oborrtare, kishte xhipin e tij personal dhe argëtonte me ish bijtë e Mehmet Shehut. Edhe sot, që Shqipëria është zhytur në një vetmi depresive të paparë, shqiptari flet me veten e tij e ha thonjtë e tij, makineritë propagandistike, duke të përfshirë edhe ty, po na I drejtojnë sytë tek Kadareja.

Orwelli, ka punuar kamarier, në fabrika dhe sa qe gjallë, e përjashtuan nga të gjitha qarqet letrare. Kësaj i thonë vetmi prej shkrimtari. Këtë fat pati edhe Streinbeck. Tolstoi, u arratis në pyje dhe sa qe gjallë, u mbante frymën gjallë qindra punëtorëve në fermat e tij, ndërsa Padroni yt, nuk i ka dhënë asnjë edhe një dyshkë Shqipërisë.

Rudolf Marku! Edhe mbasi Enver Hoxha vdiq, I.Kadareja nuk e ka njohur vetminë e vërtetë prej shkrimtari, kjo për shkak se ai rrethohet 24 orë në ditë prej servilëve, si puna jote, borizanëve të Partisë, që e ndjekin kudo, në Tiranë dhe në Paris. Ndaj është marrëzi të vajtosh për vetminë kadareane. Ai, mund të ndjehet i vetmuar, vetëm nëse e braktis gënjeshtra, mashtrimi dhe shpura e servilëve dhe njerëzve trushpëlarë. Kjo, ka gjasë të mos ndodhë, të paktën derisa padroni yt letrar, të jetë gjallë. Më vonë nuk I dihet.

Në të njëjtën letër, ju Rudolf Marku, e shpallni I. Kadarenë, profeti ynë. Pa më thuaj o njeri! A nuk e sheh edhe ti vetë, se kështu shkruhej sa qe xhaxhi Enver gjallë? Ju jetoni në mes të Londrës, por mendoni sikur të jetoni në Republikën e injorantëve! Sikur Londra ta kishte shpallur Profet Shekspirin, ajo nuk do të kishte pjellë më vonë, Orwellin, e dhjetra gjeni të tjerë letrarë. Por ju me frymën tuaj, sa agresive aq edhe shenjtëruese, themeloni tempullin letrar monogam që i përket shpirtit diktatorial, që kanë frikë të vdesin, sepse harrohen.

A t’ju bëj një pyetje Rudolf Marku? Ju bëni dashuri me gruan tuaj vetëm kur bëni fëmijë, apo edhe herë të tjera? Sepse, prej letrës tënde, del konkluzioni, se shkrimtarë si I. Kadareja, nuk do të lindin më në hapësirën shqiptare.

Qielli, o Rudolf Marku, është më qejfli se ty, dhe I. Kadareja. Ai e puth dhe e shkërdhen papushim Tokën, e me të bën, sjell në jetë, cdo shekull, dhjetra shkrimtarë të rinj të talentuar.

Sa të jenë gjallë, njerëz si ju, Rudolf Marku, I. Kadareja nuk do të ndjehet kurrë i vetmuar. E vetmuar, do të ndjehet e vërteta e madhe shqiptare. Por për të ty nuk të djeg zemra. Ju ndjeheni të vetmuar kur ju braktisin gënjeshtarët, cmimet dhe privilegjet oborrtare.

E meqë ra fjala për cmimet, Rudolf, ta gëzosh edhe një herë cmimin Kadare! Me këtë letër, them se e ke merituar atë plotësisht! Qoftë krenar Kadareja për ty!Ai e di mire se kujt ia jep cmimet! Ti, mund të shërbesh si gjenerali i ushtrisë së tij trushpëlarë, e cila do ta mbajë të gjallë emrin e tij për shekuj!!

Share: