Nga Haberet e Mitro Cela
5 janar 1991. Nisi botimin “RD”. Ja vlen të shkruash. Po çfarë? Të thuash se ishta gazeta që vrau frikën? Është thënë. Është shkruar. Është përsëritur çdo vit. Të shkruash se arriti tirazhin 120 mijë kopje duke u bërë gazeta më e shitur e shekulli në Shqipëri? Edhe këto llogari janë bërë.
Mund të bëjmë ndonjë shtesë. Mungonte letra. Na jepte “borxh” pa kthim gazeta “Zëri i Rinisë”. Ishte kryerdedaktor Remzi Lani. I “vidhnim” letër gazetës “Bashkimi”. Mbyllte të dy sytë kryeredaktori Qemal Sakajeva.
Një natë ra bomba në Komisionin Nismëtar të PD-së. Vidhet në shtypshkronjë gazeta?! Si? Qysh? Kush?…Pjetri Arbërori foli: “Në se vidhet gazeta është shënjë e mirë…”
“RD” ishte e para që futi reklamën. Ishte e parë që bëri një llotari kombëtare.
Sa qëndronin mbi fik kryeredaktorët? I pari Frrok Çupi- 7 muaj. I dyti Napolon Roshi- 8 muaj. I treti Mitro Çela 9 muaj. Të tre brenda një dite merrin emërimin dhe largimin?!
Një fakt i harruar. Në shkurt të vitit 1992 Sali Berisha së bashku me kryeredaktorin – Mitro Çela- dy gazetarë dhe nje avokat, shkuan në Paris. Firmosën një protokoll marrëveshje me “Lë Figaro”. Do krijohesh një gazetë e përbashkët. “Le Figaro” 51 përqind. Kusurin “RD”. Francezët do të fusnin në kapital: Një shtypshkronjë për të prodhuar 1 milionë copë gazeta në ditë. 25 makina. 200 tonë letër…Për arsyen e mos-arsyes, protokoll-marrëveshja u “dogj” në vend që të “piqesh”.
…Ecë e ecë dhe kaluan 25 vjet. Kush do jetë fati i “RD” ? Gazeta ka tre armiq. Dy të përbashkët si i gjithë shtypi shqiptar dhe botëror: Interneti dhe televizioni! Armiku i tretë: “RD” është pronë e partisë. Në Tiranë dhe në botë, gazetat partiake janë specie drejt zhdukjes. Për të qënë më bindës, po kujtoj një copëzë nga takimi me kryeredaktorin e “Le Figaro:, 24 vjet më parë.
“RD”:- Nga cila parti politike varet gazeta?
“Le Figaro”:- Ne jemi gazetë e pavarur me orientim nga e djathta. Në Francë shtypi partiak ka perënduar!
Berisha:- “Humanite” është organ i Partisë Komuniste Franceze!
“Le Figaro”:- Lulëzoi sa kohë që paratë vinin nga Moska. Tani që ra Muri i Berlinit, mjerë ata që punojnë në “Humanite”. Gazeta po shkon drejt falimentimit. Ky fat do ta ndjekë edhe gazetarinë shqiptare, në se partitë politike do t’i mbajnë nën sqetull gazetat e tyre! Kur të lulëzojë ekonomia e tregut dhe fatin e shtypit do ta vendosë konkurrenca ju garantoj: viktimat e para do të jenë gazetat partiake…