Nga Teuta Nunaj
Futja në procesin e privatizimit të kompanive shtetërore “INSIG” dhe “Albpetrol” nga qeveria shqiptare, tregojnë se ajo po bën politika të djathta dhe liberalizuese, shkruan Nunaj. Kjo gjë mund të bëjë që tregu të jetë më fleksibël dhe kompanitë të bëhen më të zhdërvjellëta.
Në bazë të një plani të hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ishte përcaktuar që të vlerësohen asetet e ndërmarrjeve shtetërore në sektorët strategjikë dhe jostrategjikë, me qëllim privatizimin e tyre. Kështu, brenda vitit 2015 ishte planifikuar të privatizoheshin 40”“60 asete të pronës publike, ku shteti zotëron më pak se 50% të aksioneve. Procesi i privatizimeve vazhdon edhe në vitin 2016, kur është planifikuar të kryhet shitja e aksioneve të mbetura shtetërore 16.76% në kompaninë “Albtelecom” dhe 14.9% në kompaninë “Armo”. Mbështetur mbi “Programin për Reformë Ekonomike Kombëtare për periudhën 2015”“2017”, që gjendet në portalin zyrtar të ministrisë, thuhet se këto shitje do të zhvillohen përmes ankandeve dhe vlera e të ardhurave që shteti pritet të gjenerojë është në masën 6.4 milionë euro. Por ajo çka mungon dhe duhet të paraqesë Ministria është edhe arsyeja se pse këto asete duhet të shiten? Cila është dobishmëria e tyre në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë? A është kjo zgjedhja më e mirë ekonomike për pasurinë e shqiptarëve?
Sipas deklarimeve të bëra nga zyrtarë të lartë të Ministrisë, është planifikuar të privatizohen edhe dy shoqëri aksionare të një rëndësie strategjike, ku shteti shqiptar zotëron 100% të aksioneve, që janë shoqëria aksionare “Albpetrol” dhe “INSIG”. Për këtë arsye, Ministria ka ngritur grupet e punës për vlerësimin e aseteve të “Albpetrol” që të nxirret në shitje, ndërkohë që më 25 janar 2016, Agjensia e Prokurimit Publik ka publikuar shpalljen për shitje me tendër të hapur të paketës së plotë aksionare, që shteti ka në shoqërinë “INSIG” sh.a. Kjo do të thotë se qeveria planifikon të heqi dorë nga zotërimi i paketës që kontrollon të dyja këto kompani, të cilat janë shumë strategjike në fushat në të cilat ato ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Dallimi filozofik, politik, ekonomik dhe social midis të majtës dhe të djathtës në Shqipëri po humbet gjithnjë e më shumë, ku ngjyrat kuq e blu, tashmë ia kanë lënë vendin nuancave. Në teoritë ekonomike të djathtët njihen si konservatorë, të prirur drejt liberalizimit të ekonomisë, ku tregu i lirë udhëhiqet nga kërkesë-oferta dhe jo nga qeveritë; dallohen për privatizime të mëdha të kompanive shtetërore; shquhen për uljen e taksave kundrejt bizneseve që t’u japin prioritet atyre të zhvillohen, sepse ekonomia e vendit mbështetet mbi zhvillimin e ndërmarrjeve private dhe jo shtetërore. Ndërsa të majtët, janë më pranë shtresave të mesme dhe të ulta, mbrojnë, mbështesin dhe zbatojnë më shumë politika sociale dhe ruajnë një sistem ekonomik më të centralizuar, ku prezenca e ndërmarrjeve shtetërore është edhe më e madhe. Synojnë dhe zbatojnë rritjen e taksave ndaj bizneseve, pikërisht për një shpërndarje më të mirë të të ardhurave.
Me projektplanin për shitjen e dy kompanive shtetërore strategjike, qeveria e majtë shqiptare po dëshmon se është më pranë teorive të djathta ekonomike, se të majta dhe njëkohësisht po zvogëlon rolin e saj ndikues të drejtëpërdrejtë në ekonominë e vendit, duke i lënë hapësira më të mëdha zhvillimit të tregut të lirë. Çështja që shtrohet në këtë rast ka të bëjë me përcaktimin e qëndrimit mbi rolin që i duhet të mbajë qeveria ndaj ekonomisë së vendit: (i) Ndikim i fortë apo jo në treg? (ii) Privatizim i plotë i aseteve shtetërore apo ruajtja e paketës drejtuese, duke i dhënë një hapësirë të re menaxhimit publik e profesionist të këtyre ndërmarrjeve? (iii) Shitje e pjesshme e ndërmarrjeve publike dhe bashkëpunim me privatin për menaxhimin e tyre?
Eksperienca jonë 25-vjeçare ka dëshmuar se privatizime të mëdha strategjike, me rol e peshë të rëndësishme kanë rezultuar të dështuara dhe katastrofike për ekonominë tonë. Shembulli më tipik është shitja e kompanisë “CEZ”, që u vlerësua fillimisht si aset në vlerën e 300 milionë dollarëve, u shit 120 milionë dollarë dhe pas humbjeve në vazhdimësi, u rikthye në pronësinë e shtetit shqiptar me një kosto prej 95 milionë euro për buxhetin e shtetit dhe xhepat e shqiptarëve. Situata të ngjashme dhe problematike ka pasur edhe me kontratat koncensionare për shfrytëzimin e minierave apo vendburimeve të hidrokarbureve në vend. Deklaratat e drejtuesve të procesit të vlerësimit të aseteve se këto pasuri duhen menaxhuar me shumë zgjuarsi dhe fitim sa më të madh për vendin, nuk mjaftojnë për të ofruar garancitë, se shitja e tyre do të jetë në dobi të ekonomisë sonë kombëtare. Edhe pse në pamje të parë, të duket se ekonomia jonë do të fitojë nga këto privatizime, të cilat do të sjellin të ardhura të menjëhershme në buxhetin e shtetit, është e rëndësishme të merret në konsideratë fakti se ato do të sjellin në vitet në vijim mungesa potenciale të sigurta të ardhurash në buxhet. Ndërkohë që shitja e këtyre pasurive nuk mund të realizojë as shlyerjen e borxhit të jashtëm të Shqipërisë, që është në përmasa më të mëdha se vlera e këtyre pasurive.
Përvoja na tregon se kompanitë e huaja, që po administrojnë pasuritë tona: (i) po paraqesin bilance me humbje, ndaj shteti nuk po merr ende fitimin që duhet të merrte të parashikuar nga kontratat; (ii) nuk po kryejnë investime në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre pasurive, kur kontratat iua detyrojnë, rastet e minierave; (iii) investitorët po nxjerrin ndjeshëm valutën jashtë vendit te kompanitë mëmë, siç janë rastet e bankave të nivelit të dytë, gjë e cila ka mbajtur në mënyrë të vazhdueshme lekun e dobët kundrejt euros dhe dollarit. Ndërkohë në antipod, kompania shtetërore “Posta Shqiptare” sillet si shembull suksesi dhe efektiviteti, ku shteti shqiptar i përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është aksionar i vetëm dhe në sajë të mirëmenaxhimit, kjo kompani arriti që të mbyllë vitin 2014 me 2.5 milionë dollarë fitim dhe me realizim të planit financiar në masën 110%.
Dhënia me koncesion fillimisht të pasurive të vendit, ka vazhduar në muajt e fundit edhe me një tendencë të re, aplikimin e koncesioneve edhe për shërbime publike. Por, të gjitha këto projekte dhe plane privatizimesh apo dhëniesh me koncesion, a janë parë nga ekspertë, apo profesorë të ekonomisë në universitete? A ka patur ndonjë recensë shkencore prej tyre për këto plane zhvillimi? Unë mendoj se jo. Ndaj shtrohet pyetja: pse nuk ndiqet kjo rrugë shkencore e të bërit të analizave ekonomike? Në mënyrë që vendimet mbi ardhmërinë e ekonomisë sonë të përbashkët t’i marrin ekonomistë profesionistë, ekpertë të fushës dhe jo individë të emëruar?
Kjo është një nga arsyet e forta që, qeveria krahas projektit për shitje, duhet të paraqesë edhe një projekt të dytë të hartuar prej ekspertëve, që këto ndërmarrje të mbeten shtetërore, të administrohen nga menaxherët më të mirë në vend, të riformatohen, që të kthehen në kompani rentabël dhe dobiprurëse për vendin. Të dyja këto projekte duhet të shoqërohen me fatura financiare për kostot përkatëse. Më pas, të jenë po ekspertët ata, që të bëjnë analizën se cili prej dy varianteve do të jetë më dobiprurës për ekonominë tonë. Mungesa e transparencës, përgjegjësive dhe angazhimeve të profesionistëve do të sjellë dëme të pallogaritura në ekonominë shqiptare, të cilat do të jenë edhe të pariparushme në vijimësi. Përgjegjësia qeverisëse nuk është vetëm për sot, por edhe për të ardhmen, për brezat dhe ekonominë që do të lihet trashëgimi, një ekonomi me premisa rritjeje, apo të varfër dhe me pak mundësi zhvillimi.
Ndaj në këtë rast pyetja themelore që shtrohet është: a duhen shitur pasuritë tona kombëtare? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, lind e nevojshme të marrin përgjigje disa pyetje të tjera bazike: Cili është raporti midis të ardhurave që merr sot shteti nga drejtimi i këtyre kompanive, me të ardhurat që mund të marrë nga privatizimet dhe pas sa vitesh planifikohet që shteti të gjenerojë të ardhura nga fimimet që presupozohet do të nxjerrin kompanitë private që do të blejnë këto asete të shqiptarëve? A është në gjendje shteti shqiptar që të menaxhojë vetë ose në bashkëpunim me privatin këto pasuri të mëdha të popullit shqiptar? Këto privatizime bëhen vetëm pse nevojitet sot kapital? Apo se është vendimi më i mirë strategjikisht dhe efektiviteti më i lartë ekonomik? Praktika ndërkombëtare për kompanitë që shfrytëzojnë vendburimet kombëtare të hidrokarbureve na ka ofruar shembuj të shumtë që kompani të tilla strategjike nuk privatëzohen plotësisht, shteti mbetet partner me kuotë aksionare, ndërkohë një pjesë e aksioneve iu shiten kompanive vendëse, për të mbrojtur ekonominë vendëse dhe pasuria të mbetet brenda territorit vendës.