Takimi i Ramës në metropolin turk ishte mjaft i rëndësishëm se vinte pas një priudhë ftohjeje të tij me Ankaranë ku u shty dhe vizita e Rexhep Tayp Erdogan, në atë kohë Kryeministër i Turqisë e sot President.
Dhe në fakt, impakti ishte pozitiv; menjëherë pas këtij takimi u konfirmua vizita e Erdoganit, tani kryetar shteti, në Tiranë, i cili nuk vonoi as një javë ku premtoi shuma të konsiderueshme ndihme që Rama ka aq nevojë.
Siç mësohet, ndërmjetës në aferën e Skavicës ishin ministri Arben Ahmetaj dhe kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i cili ka lidhje të ngushta me një ish-deputet të AK Parti me origjinë shqiptare të zonës së Izmirit, Rifat Sait, që është mjaft influent në qarqet e partisë së Erdoganit.
Po ç’ndodhi?! Ka kaluar një vit dhe ende qeveria shqiptare nuk e ka dhënë kontratën e shfrytëzimit të Skavicës. Madje qarqe qeveritare kanë nxitur reagimin e PD-së, e cila e sulmoi fort kompaninë primare turke me qëllim njollosjen e saj.
Burime brenda mazhorancës bënë të ditur se ka qenë Shpëtim Idrizi që e ka bërë këtë gjë. Madje edhe nxitjen e Gjiknurit që deklaroi më pas se “Skavicën e madhe do ta ndërtojmë ne, kurse Skavicën e vogël ta ndërtojë holdingu turk”.
Kemi të bëjmë me bashkëpunimin e dy gjigandëve turq përkatësisht Suzer Group dhe Nurol Group, të cilat kanë paguar 110 milionë euro për të ndërtuar hidrocentralin e Katundit të Ri në zonën e Dibrës.
Bëhet fjalë për ndërtimin e hidrocentralit me fuqi 57 MË në Katund të Ri. Projekti që ka në plan të niste në fund të vitit të shkuar, por është vonuar, e vazhdon të vonohet. Dhe, sipas planifikimit, do të përfundojë brenda 30 muajve.
Ndërtimi i këtij hidrocentrali, që, në fakt është një Skavicë e vogël, pritet që të sjellë një shtim të ujërave për Fierzën, në mënyrë që ky hidrocentral të mos mbetet në pjesën më të madhe të vitit pa prodhuar energji, duke krijuar probleme për kapacitetin e saj.
Specialistët thonë se uji nga Skavica do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi reale të energjisë së prodhuar bio.
Süzer Group është një gjigand i industrisë turke, kompania është ngritur në vitin 1952, me qendër në Gaziantep, një qytet turk pranë Mesdheut, në fillim si kompani lokale që merrej me tregti dhe me ndërtim.
Ndërsa sot është një korporatë që zotëron kombinatin e madh ushqimor Kent, si dhe hotelin luksoz “Ritz Carlton” në Stamboll. Ajo është një prej kompanive të pakta turke që kanë një bilanc më të madh se një miliard dollarë amerikanë. Në të njëjtën kohë, Süzer Group është në sektorin e energjisë një nga aksionerët më të mëdhenj të kompanisë së shpërndarjes së gazit të Bahçeshehirit, që përbën kompaninë e parë turke që importon gaz natyror nga burimi.
Por dy industrialistët turq, duket se janë prerë në besë nga dy sekserët e tyre në Tiranë; Shpëtim Idrizi dhe Arben Ahmetaj, pasi kontrata duhet të kishte nisur dhe po vonohet me qëllim.
Siç mësohet, përfaqësues nga kompanitë kanë kërkuar shpjegime tek Idrizi dhe Ahmetaj, të cilët i fshihen dhe kanë sajuar takime dhe axhenda false. Por siç mësohet çështja është më e komplikuar se kaq.
Ahmetaj dhe Idrizi siç duket kanë marrë edhe “shërbimet” e konsiderueshme por po luajnë me dy porta. Ende nuk dihet loja e partnerit të Idrizit, Rifat Sait i cili nuk është më deputet në Parlamentin turk por as edhe zyrtar i AK-së në zonën e Izmirit por gjithsesi mësohet se ka ardhur koha e larjes së hesapeve për dy sekserët, e veçanërisht për Shpëtim Idrizin, i cili loboi fuqishëm të investohet si njeri pranë Erdoganit, por tani i ka shkelur në besë njerëzit që u premtoi partneritet./Boom.al/