Nga Flutura Acka
Ky është sheshi poshtë pallatit tim dhe në ndërtimin e kësaj pamjeje të frikshme, kanë gjurmë të gjithë kryetarët e bashkive në këta 25 vite, por veçmas kryeministri ynë; atij i përkasin ndërtesat më të larta në këtë pamje. E pra, këtu në këtë shesh, mund të kishte një park lojërash për fëmijë, ja për këta qindra fëmijë që flejnë e rriten në këta fjetore betoni.
Këtu ka nisur paraliza për një seri pallatesh rrotull, dhe këta qindra femijë po rriten nën këtë pamje. Kështu është e gjithë Tirana, kështu është e gjithë Shqipëria. Jashtë, fëmijët i kërcënon tremba sociale, sheshet ua ka zënë betoni, libra prindërit nuk kanë para t’u blejnë, edhe në tarracat lart ku “mund” të luajnë janë të kërcënuar nga antenat vdekjeprurëse e kanceroze të telefonive celulare, që janë montuar aty pa u pyetur anjëri prej banorëve! Kjo, edhe pse ligji e do që 70 % e tyre duhet të firmosin për çdo ndryshim. Verifikojini dhe do të shihni që të gjitha janë të paligjshme dhe të vëna me para në dorë.
Më tutje, ambulanca e lagjes ka mbetur po aq e vogël, dhe, edhe pse janë shumëfishuar banorët, në dhomën e pediatrisë, që të lëvizë mjekja për të marrë kartelën, pacienti ose nëna me fëmijën e sëmure, duhet të dalë jashtë që të mund të kalojë mjekja, pasi dhoma është 2×2 m.
Biblioteka e vogël e lagjes nën të, akoma ka veprat e Enverit, pasi askush nuk e pasuroi veç me veprat surrogato të Daniele Still. E pra, në këto kushte i rrisim fëmijët dhe i edukojmë, duke u shpjeguar se ç’është Atdheu, por ua kursejmë pjesën e banditëve që u ndërtojnë këtë peizazh përditë.
lMjerë fëmijët tanë se çfarë baballarë të tredhur kanë, burra që nuk protestojnë e gra të shushatura nga hallet, e mjerë çfarë baballarësh kombi banditë e antinjerëzorë, u kane rënë për hise, ose i kanë zgjedhur me qejf të madh. AMNEZI KOMBËTARE quhet kjo! Mjerë ne, mjerë fëmijët tanë, mjerë fëmijët e fëmijëve tanë për Shqipërinë që po u lëmë!