Nga Suzana Tahiri
Je djalë apo vajzë që kërkon të hysh në botën e medias, asnjëherë mos harro se gjëja më e vështirë është të bësh një lajm të ftohtë, me burimet e domosdoshme, të paanshëm, të lexueshëm nga të majtë, asnjanës dhe të djathtë.
Reporter, gazetar, opinionist nuk të bën askush: as pronari, as kryeredaktori, as redaktori, por vetëm puna jote dhe emri që e vë në fund apo në fillim të shkrimit, që ngjall interes dhe shkruhet bukur.
Bota e medias nuk është si ajo e letërsisë, e pikturës, e teatrit, e kinematografisë, e operës, ku mbi 99 për qind e saj është konsum i përditshëm dhe pak hyn në panteonin e vlerave, por ka edhe gjëra të përbashkëta.
Megjithatë mundohu të mos zvarritesh duke e pasur mirë me eprorët e një gazete, e një televizioni, e një medie tjetër alternative, por përpiqu të thuash dicka tënden, origjinale dhe që ka interes publik.
Në mediat e sotme klasike, që janë duke u shuar njëra pas tjetrës, për shkak të zhvillimeve të vrullshme të teknologjisë, prostituimi gazetaresk është më neveritës, më përbuzës, më përcmues se puna e shenjtë e përditshme e një grupi femrash dinjitoze që e nxjerrin jetën e tyre duke shitur trupin lëndinave bashkiake apo moteleve modeste, por që nuk janë të varura nga drejtorë idiotë, nga kryeredaktorë analfabetë, nga konjukturistë të majtë apo të djathtë.
Të njohësh vetveten është padyshim cilësia më sipërore e qenieve humane dhe ky mision zgjat përgjatë gjithë jetës, cka duke njohur vetveten do të arrish të bësh atë që di më mirë, atë që shkollohesh dhe specializohesh, që ballfaqohesh me të tjerë dhe sjell në shoqëri dicka të dobishme.