Nga Dorian Koci
Një nga objektivat kryesore të kulturës së shtetit socialist shqiptar e lidhur ngushtë me doktrinën e Realizmit Socialist ishte krijimi i Njeriut të Ri, një term i huazuar nga kultura sovjetike e që për më tepër se tridhjetë vjet mbizotëroi në ligjërimin publik shqiptar. Në revistën ‘Rruga e Partisë” që ishte një botim i Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste në artikullin “Probleme të zhvillimit të kulturës sonë socialiste” të autorit Ismail Hoxha, shkruhej se baza ideologjike e kulturës sonë socialiste ka qenë dhe është rruga marksiste-leniniste e partisë sonë, e mbi këtë bazë , kultura jonë duhet të ndihmojë përherë dhe me efikasitet të lartë dhe pa ndërprerje:së pari, në formimin shumëdimensional të njeriut të ri dhe të shoqërisë sonë të re , duke i brumosur ata me ideale të thella e me bindje marksiste leniniste, me veti të larta morale dhe me një horizont të gjerë kulturor dhe një botë kultuore të pasur.(Nikolla.P.A. Njeriu I ri shqiptar.Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit.Onufri. Tiranë:2012, fq 66)
Në këtë mënyrë kultura socialiste ishte një kulturë që mbartte brenda vetes misionin mesianik të shpëtimit të njeriut dhe brumosjes së tij me idealet e marksizëm-leninizmit duke krijuar premisa krejt të kundërta nga atë çka kultura në vetvete përfaqëson sipas Branislaw Malinowski se kultura është ajo tërësi integrale që konsiston në mjete, sende të konsumit, në normat e së drejtës për grupe të ndryshme sociale, në idetë dhe mjeshtëritë njerëzore, në besime e zakone. Në regjimin komunist ishte tentuar që besimet e zakonet e rrënjosura prej kohësh të çfuqizoheshin në shërbim të idealit epuvretë të Njeriut të Ri.
Në mënyrë të paprecendetë ishte ndërprerë edhe lidhja me kulturën e mëparshme shqiptare pasi ashtu si lindja nga një familje proletare, siguronte një pozicion të priveligjuar në hierarkinë sociale post revolucionare , i njëjti kriter ishte i vlefshëm edhe për shkrimtarët e së shkuarës.(Nikolla.P.A. Njeriu I ri shqiptar.Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit.Onufri. Tiranë:2012, fq 67)
Kjo shkëputje dhe ndërprerje me traditën kishte sjellë konceptimin e artit dhe kulturës si një instrument të vënë në shërbim të ideologjisë. Arti vihet në shërbim të masave të gjera popullore dhe shndrrohet në një armë të fuqishme të edukimit estetik, të edukimit komunist, të përhapjes në shoqëri të idealeve më të larta social-estetike, të idealeve komuniste.
(Uçi.A.Estetika, vëll 3. SHBLU, Tiranë, 1989,f.109)