Nga Alfons Cupaj
Flasin pa pushim. Sapo ndizet kamera marrin një pozicion dominues, rregullojnë jakën e këmishës, kokën e fiksojnë përpara dhe trupin e mbajnë në atë pozicion ku të mund të ekspozohen kostumet dhe orët e tyre të shtrenjta, dhe pastaj nisin diskutimin e tyre.
Në fillim janë të qetë, buzëqeshin me njëri-tjetrin dhe flasin me radhë. Është vazhdimi i bisedës ai që i bën të jenë fiks vetëvetja, aty uni i tyre i tradhton, pasi depërton në skutat më të errëta të tyre duke u nxjerrë herë-herë edhe ligështinë nga honet më të thella të shpirtit.
Papritmas buzëqeshja nis të venitët, zbehet, deri sa shuhet e tëra. Koha u çjerr maskat dhe argumentin e zevëndëson debati i ndezur, pastaj tonët e larta të zërit, sharjet e ofendimet, akuza nga më monstruozet, të cilat finalizohen edhe me kërcënime ‘live’.
Nuk kupton më asgjë. Gjithsecili flet për hesap të tij, ekzaktësisht sipas skenarit që u kanë dhënë.
Janë të njëjtët. Nga politika janë të paktën 10. Të njëjtë në kuvend dhe studio televizive. Kur mungojnë ata, zëvëndësohen nga një tjetër kastë po aq dinjitoze, analistët. TI gjithë mllef merr komandën e televizorit që të shohësh diçka tjetër.
E pamundur. E njëjta gjë. Madje, të njëjtin person e sheh në dy televizione njëkohësisht.
Janë të njëjtët pavarësisht temave të larmishme. Ndryshojnë vetëm kollaret dhe kostumet e tyre të shtrenjta. Flasin për çdo gjë. Mjafton t’i pyesësh. Plot pasion argumentojnë për politikën, gjithë kompetencë për shëndetësine, të impresionojnë kur flasin për arsimin publik, janë bindës në argumentet që sjellin për zhvillimin e bujqësisë, të magjepsin kur flasin për politikat rurale, për shkëmbimet ndërkulturore, për zhvillimin e turizmin, për ebolën, sidën.
Thonë se kanë gjetur kurën për kancerin dhe së fundi sjellin studime shkencore për virusin “zika”.
Sigurisht, po të njëjtit, vetëm 10 fytyra, në një shtet që ka të paktën 2.5 mln banorë që akoma nuk kanë emigruar.
Kanë shumë dijë. Janë “gjithologë”
Alfons ÇUPAJ