Nga Jonida Salku
Mes të shkruarit dhe emocioneve gjithmonë ka patur një humnerë të madhe. E megjithatë, letrave të dashurisë koha nuk u ka shuar asnjëherë, pasi ato kanë arritur t’i ngushtojnë shumë këto hapësira. Dashuria, urrejtja, zhgënjimi apo inati, janë kthyer thuajse në një institucion, duke u përkthyer mes fjalëve të këtyre letrave për shekuj të tërë.
Por duket se historitë kur çiftet lidheshin ose ndaheshin përmes letrave të dashurisë, tani janë një histori e së shkuarës. Në epokën tonë janë zhdukur kartat epistolare për dashurinë dhe ato janë zëvendësuar me e-mailet ose SMS-të. E nëse me mesazhin elektronik ti mund të shkruash gjatë njësoj si në letrat e dikurshme atë që ndjen për partnerin, SMS është një tiran. Të detyron që të jesh sintetik, ose siç thuhej më parë, telegrafik. E megjithë shenjat që mund të vendosësh, asnjëherë nuk mund ta marrë rolin e një letre të vërtetë dashurie dhe s’mund të të japë kënaqësitë e saj.
Gjithsesi, SMS-të dhe e-mailet nuk lënë shumë kohë mes shkruarjes së mesazhit dhe marrjes së tij, siç funksiononte me letrat e dikurshme të dashurisë. Sot jemi të detyruar që shpejt, ashtu siç edhe shkruajmë përmes SMS-ve të shprehim emocionet tona. E nëse epistolaret e dikurshme janë të destinuara që të mbeten vetëm një kujtim i kohëve të shkuara, ne jetojmë tani në një kohë që na bën të komunikojmë me mënyra mjaft të shpejta.
Dhe, u takon vetëm njerzve që t’i kthejnë ato në dobi të tyre. Në fund të fundit, kujtesa elektronike nuk është më e keqe sesa ajo që mbetej mbi letër. Mbetet vetëm që ajo të pasurohet me emocione dhe të mos mbetet e thatë si dikur…