Nga Sali BYTYÇI
Mentaliteti komunist jo që ka munguar ndonjëherë, po kohët e fundit është kthyer fuqishëm në politikën e Kosovës. Për këtë që them, do të përmend dy arsye:
1. Pushtetarët tanë, sikur në kohën e sundimit të ideologjisë komuniste që nuk i jepnin llogari askujt, edhe tani marrin vendime pa pyetur askënd dhe
2. Pushtetarët tanë, njësoj sikur pushtetarët komunistë të Kosovës të cilët në fund të viteve ’80 kur nënshkruan suprimimin e autonomisë së Kosovës, thoshin se me këto ndryshime kushtetuese asgjë nuk humb Kosova, nënshkruajnë marrëveshje me Serbinë, duke arsyetuar prapë se me këto që nënshkruajnë asgjë nuk humb Kosova!
Një arsye tjetër që ma sjell ndërmend atë kohë është edhe kryeministri i tashëm i Kosovës, i cili atëbotë ushtronte funksione të larta ideologjike e pushtetore.
Krahasuar me komunistët, pushtetarët e sotëm asgjë nuk kanë ndryshuar.
“Ne e kemi bërë këtë e këtë, ne tani do të bëjmë këtë e këtë, ne…”, pra te këta pushtetarë mentaliteti komunist është i rrënjosur thellë në ndërdije, sa që nuk shohin tjetrin.
“Ne i kemi fituar votat dhe deri në vitin 2018 nuk ka zgjedhje!”, kështu shprehen pothuaj çdo ditë ndaj kërkesave të opozitës për të dhënë dorëheqje.
Po, a dini si i bie kjo? Si një vozitës i cili e ka marrë patentën e shoferit dhe tani, gjatë vozitjes, nuk përfill asnjë shenjë të komunikacionit: as në shpejtësi, as në parakalim, as në dhënien përparësi sipas krahut, por kur i del polici përpara, nuk pranon as të ndalet duke u arsyetuar që e ka patentën në xhep! I shkreti vozitës nuk e di që patenta e shoferit i jep të drejtë atij të vozisë sipas rregullave, e jo sipas qejfit.
Kjo vlen edhe për pozitën e sotme kosovare. Ajo votat i mori për të qeverisur në bazë të ligjeve dhe jo sipas vullnetit të saj dhe, ashtu siç i nxjerr përfitimet nga qeverisja, duhet t’i bartë edhe pasojat për gabimet që bën! Ndërkaq, ndër të gjitha shkeljet, shkelja e Kushtetutës është më e rënda. Prandaj, assesi nuk mund të qeverisë më tej një qeveri, e cila me vendimet e saj shkel Kushtetutën, sepse, nëse nuk japin llogari shkelësit e tanishëm të Kushtetutës, më asnjë shkelësi të Kushtetutës nuk mund t’i kërkosh llogari! Si do të funksionojë ky shtet ku nuk përfillet ligji më i lartë i tij?
Prandaj, sot më shumë se kurrë është e nevojshme një goditje nga poshtë, që ta mësojë kjo klasë e papërgjegjshme politike, se ajo kohë që gjendet në ndërdijet e tyre, ka perënduar një herë e përgjithmonë!
Kur jemi tek gjendja e krijuar së fundmi, te kriza politike, mendoj që kjo nuk është aq e ndërlikuar sa e ndërlikojmë ne. Gjithkund në botë ka probleme, ka kriza, disa më të thella disa më pak, po këto rregullohen me ligj. Si shembull mund të përmend kancelarin gjerman, Helmut Kol, të cilit i njihet merita e bashkimit të Gjermanisë, po që e përfundoi karrierën shumë keq, pasi ishte konstatuar se nuk i kishte bërë ballë korrupsionit. Pastaj shembull tjetër marrim edhe kryeministrin kroat. Po ku ka korrupsion më shumë se në hapësirën shqiptare, si dhe shkelës të ligjeve që i aprovojnë vetë, po që deri më tani asnjë pushtetar me rëndësi nuk u dënua për korrupsion dhe për ligj-shkelje?!
Problemi tek ne është se shoqëria jonë është ndërtuar mbi bazë të njerëzve të fuqishëm, mbi të cilët nuk mund të veprojë ligji, ndaj edhe nuk mund të vëmë një rend normal.
Koalicioni PDK-LDK është bërë me qëllim që këto dy parti të mëdha ta amnistojnë njëra-tjetrën për të gjithë korrupsionin që kanë bërë: PDK-ja LDK-në për korrupsionin që ka bërë që nga themelimi i kësaj partie (1990), ndërsa LDK-ja PDK-në për korrupsionin që e ka bërë nga viti 1999 e këndej. Arsye e nënshkrimit të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën nga këto dy parti vjen ngase këto të dyja janë të shantazhuara, por më e drejtë është që të shantazhuarit t’i bartin pasojat për veprimet e tyre korruptive, se t’i bartë shteti i Kosovës!
Sot në Kosovë çështje mbi çështjet është sundimi i ligjit, jo liberalizimi i vizave, as hyrja në Bashkimin Evropian, as në NATO. E theksoj, sundimi i ligjit. Sundimi i ligjit do të përbënte bazamentin mbi të cilin jo vetëm që do të ngrihet godina e shtetit po edhe funksionimi i tij. përkundrazi, në një vend që nuk sundon ligji, për pasojë nuk do të ketë as shtet, as funksionim të shtetit dhe çfarë do t’i duhej liberalizimi i vizave, apo as pasuria e krejt botës, një vendi ku nuk sundon ligji?
Si përfundim, politikanëve që e nënshkruan Marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, ua kujtoj një nënshkrim të një marrëveshjeje ekonomike Shqipëri-Jugosllavi, në fund të viteve ‘40. Nënshkrues kishte qenë Nako Spiro. Kur ishte kthyer në Tiranë, pas vërejtjeve se kishte nënshkruar në dëm të Shqipërisë, Nako Spiro kishte bërë vetëvrasje. Se sa e dëmshme ishte për Shqipërinë ajo marrëveshje ekonomike, çdo kush që është i interesuar ta dijë, këtë dokument e ka në të ashtuquajturin “Libri i bardhë”, i botuar pas prishjes së raporteve Jugosllavi-Shqipëri (1948). Megjithatë, pa marrë parasysh çfarë dëmi i sillte Shqipërisë kjo marrëveshje, prapëseprapë kjo ishte ekonomike, dëmi ishte ekonomik, por Nako Spiro, kur e sheh që e ka dëmtuar vendin e vet, bën vetëvrasje!
Ndërsa marrëveshja që nënshkruat ju, Isa Mustafa, është marrëveshje juridike, sipas së cilës dizajnohet Kosova në dy pjesë: njëra shumetnike, ndërsa tjetra serbe! Pra është shumë e dëmshme, me pasoja afatgjata. Por, megjithatë, unë nuk them që ju duhet të bëni vetëvrasje fizike: me këtë marrëveshje ju keni bërë vetëvrasje politike dhe këtë fakt duhet ta kuptoni! Si rrjedhojë, duhet të shpalleni të vdekur politikisht dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Kjo është mënyra më e mirë që Kosova të dalë nga udhëkryqi politik. Jo qëndrimi kokëfortë në pushtet i atyre që shkelën Kushtetutën, me ç’rast i bënë vendit një dëm të jashtëzakonshëm.