Më së paku duhet shikuar kontributin e saj në dioptrinë etnike, sepse kjo është një kurthë e rrezikshme. Nuk do të doja të lexoja në shtypin maqedonas se ‘’filan politikani maqedonas u prangos nga prokurorja shqiptare’’, diskurs ky që me të madhe po nxehet nëpër bateritë e patriotizmit të vonuar shqiptar këtu ndër ne. Mbase, ky është edhe qëllimi i atyre që nuk e pranojnë drejtësinë e vërtetë dhe profesionailzmin juridik në Maqedoni, duke i imputuar asaj atribute etnike e joprofesionale në favor të idesë se ‘’shqiptarët mund t’i përdorim vetëm për të nxjerrë ndonjë patatet të nxehtë nga prushi i konflikteve brendamaqedone’’. Zatën edhe në të kaluarën jo të largët, në qendrat politike në Beograd e Shkup, gjendeshin shqiptarë që përdoreshin si burgia për të futur pyka nga të cilat dikush përfitonte mbi kurriz të tyre.
Nga Emin AZEMI
U paraqitën shumë amatorë të keqinterpretimit, por ajo që ngeli pezull pa u sqaruar ishte zelli i papërmbajtur për të lexu mbrapsht një tekst krejt të thjeshtë të publikuar në fb, shkruar nga unë. Thelbi i asaj që unë desha të them nuk ishte prokurorja speciale Fatime Fetai, por jehona ekzaltuese e njerëzve të ndryshëm, të cilët punën e saj (ende pa filluar mirë) e ngritën në piedestalet e një froni hyjnor. Gjithsesi, ajo çka unë dhe të gjithë ne bashkë pajtohemi, është obligimi i saj tepër delikat dhe fisnik për të dridhur nga themelet godinën e madhe të kriminalitetit dhe babëzisë në Maqedoni.
Tani edhe njëherë po e përsëris, e që keqintepretuesit nuk deshën ta citojnë, ishte konstatimi im se: ‘’Fatime Fetai është një shembull i mirë i profesionistes që i bindet kauzës profesionale e jo asaj politike-partiake’’.
Në tekstin tim që publikova në fb, dedikuar vetëm miqëve të mi, por jo edhe publikut më të gjerë, sepse natyra e parqitjeve të tilla është i liruar nga sensi i analizës, duke i lënë vend më tepër përshtypjes së çastit, pata shtruar edhe këtë ide: ‘’ Ajo po e kryen normal punen e vet, si gjithë profesionistët tjerë, vetëm me një përparësi se asaj po i mundësohet të punoj brenda disa kornizave më të avancuara ligjore… dhe me presion ndërkombëtar. Çdo kush po ti kishte këto kushte, do të punonte si Fatmija…. Gjithsesi, Fatimja është një shembull i mirë i profesionistes që i bindet kauzës profesionale e jo asaj politike-partiake.’’.
Se kjo është kështu dhe jo ndryshe dëshmon puna paraprake e saj në Prokurorinë Themelore të Shkupit, ku ajo nuk u dallua për ndonjë shqiptarësi juridike dhe kjo për ata që marrin vesh nga këto punë është e qartë se pse ka ndodhur kështu.
Mjerimi i gazetarisë sonë tabloide (me ndonjë përjashtim, aty këtu) që është mësu të mbllaqit ushqim të papërpunuar, të marrë nga goja në gojë, edhe kësaj radhe i dha efektet e veta: futi në lajthitje dhjetëra veta, duke dhënë të plotë reagimet e ndonjë bashkëfshatari komik të Fatimes, por duke mos dhënë tekstin tim integral dhe publikut s’i mbeti gjë tjetër pos të projektoj bindje të gabuar dhe madje paragjykuese për mua që s’e paskam shpallur heroinë prokuroren Fatime. Pra, mendimi publik u formua njënashëm, i cunguar dhe i paplotë në gjenezën dhe zhvillimin e idesë, e cila nuk ishte të kontestojë punën e askujt, por përkundrazi të inkurajojë profesionlizmin e tyre, sepse u ngopëm me ngjyrime kuq e zi në bajraqet e leckosura të punëve tona të papërfunduara.
E para e punës, ajo nuk po e bën punën e saj pse është shqiptare, por pse është e përgatitur profesionalisht për një punë të tillë. Pra, më së paku duhet shikuar kontributin e saj në dioptrinë etnike, sepse kjo është një kurthë e rrezikshme, të cilën mundet pala maqedonase, sidomos ajo që rrotullohet rreth publikbërjes fashizoide të Milenkos, Llatasit, Velinovskës e ndonjë karagjozi tjetër, të përdor si kundërpeshë të njejtin argument, duke nxjerrë nga binarët profesionalizmin në llogari të kauazave nacionaliste, sepse vetëm në këtë mënyrë ata mundohen të mbijetojnë në këtë ambient të ndotur etik e moral. Pra, nëse prokurores Fatime i japim merita vetëm pse qenka shqiptare, duke e analshkaluar dimensionin profesional, me këtë nuk arrijmë asgjëkundi, aq më tepër kur pikërisht etiketa etnike ka qenë elementi më destruktiv që ka funksionu në proceset e montuara kundër shqiptarëve dhe të pakt ishin ata maqedonas normal, për të mos thënë fare hiq, që e luftuan këtë dukuri. Pra, shqiptarët morën denime drakonike nga gjyqtarë të cilët u kualifikuan si herojë të kauzave maqedone dhe kjo e rrëzoi përtokë sistemin gjyqësor duke ia hequr të gjitha atributet e pavarësisë dhe kredibilitetit profesional.
Nuk do të doja të lexoja në shtypin maqedonas se ‘’filan politikani maqedonas u prangos nga prokurorja shqiptare’’, diskurs ky që me të madhe po nxehet nëpër bateritë e patriotizmit të vonuar shqiptar këtu ndër ne. Mbase, ky është edhe qëllimi i atyre që nuk e pranojnë drejtësinë e vërtetë dhe profesinailzmin juridik në Maqedoni, duke i imputuar asaj atribute etnike e joprofesionale në favor të idesë se ‘’shqiptarët mund t’i përdorim vetëm për të xjerrë ndonjë patatet të nxehtë nga prushi i konflikteve brendamaqedone’’. Zatën edhe në të kaluarën jo të largët, në qendrat politike në Beograd e Shkup, gjendeshin shqiptarë që përdoreshin si burgia për të futur pyka nga të cilat dikush përfitonte mbi kurriz të tyre.
E dyta, puna në Prokurorinë Speciale është ekipore dhe nuk besoj se duhet harxhuar shumë adrenalinë provinciale për të veçuar ndonjë prokuror për merita shumë personale që paska punu me muaj të tërë në ndonjë dosje. Pra, dosjet të cilat i ka në duar Fatime Fetai janë produkt i një hetimi që kishte për bazë përgjimet e publikuara të Zoran Zaevit dhe ajo u tregua mjaft virtuoze në prezantimin publik të tyre. Në fakt, prokurorja Fatime dhe kolegët e saj në këtë Prokurori Speciale janë garantuesit e vetëm të shpresës se në këtë vend mund të ndodhë ndonjë kthesë për sa i përket ndëshkimit të krimit dhe heqjes nga skena politike të politikanëve të inkriminuar dhe përfshirë në afera të ndryshme korruptive. Por, kjo punë nuk po bëhet mbi baza të ndonjë rrahagjoksie etnike, por të një koordinimi efektiv në mes të veprimeve të caktuara politike vendore me ato ndërkombëtare, që si rezultat final ka krijimin e atmosferës favorizuese për punë normale të institucioneve të pavarurar të drejtësisë, përfshi edhe Prokurorinë Speciale.
Tani më është e qartë se më së paku që i konvenon kjo Prokurori Speciale, është garnitura maqedono-shqiptare që është në pushtet dhe është iluzore të presim rezultate spektakulare poqe se nuk ngrihet edhe një Gjykatë Speciale, e cila jo vetëm që do të rrëzonte përtokë karriera të shumta politike, por ajo do të inkurajonte njerëzit të denoncojnë edhe më tepër krimin e veshur me pushtet politik.
E treta, deri kur ne do të merremi jo me idetë , por me individët që shprehin ato? Nëse i shkojmë kësaj logjike deri në fund , atëherë del se ata që merren me individët këtë e bëjnë jo vetëm pse e nuk kuptojnë drejt misionin e prokurores Fatime, por pse duan që përmes saj të bëhen disi interesant dhe harrojnë që vet mund të bëhen objekt i ndonjë hetimi prokurorial për shpifjet dhe baltosje publike.
Krejt në fund, inkurajojmë prokuroren speciale Fatime Fetai për punën e saj profesionale, kurse mbështetja për të zgjon vetëdijen qytetare dhe trimëron zërat që duan të sjellin ndryshime në këtë vend. Shqiptarët kanë nevojë më së shumti për një vetëdije të tillë, aq më tepër kur dinjiteti kolektiv i tyre u degradua keqas nga politika e papërgjegjme e partive politike shqiptare, të cilat me vite lejuan të bëhen aleatë të djajve të zi që u ushqyen përmes inferioritetit politik dhe interesave meskine të individëve e strukturave politike me atribute shqiptare.
Prandaj, ta lëmë Fatimen të punojë si profesioniste dhe mos ta ngarkojmë shumë me komplekset tona të pashëruara nacionale e njerëzore./FaktiNews.Com