Nga Phd Ledian Droboniku#
Gjendja katastrofike e Universitetit shqiptar, i fundosur në renditjen botërore i 10738-i, pranë Etiopisë, është fatkeqësia më e madhe në vend, edhe pse askush nuk flet.
Shqipëria çuditërisht gjendej më afër Europës në vitet “90 për dije, duke humbur përfundimisht garën me vendet fqinje, ku Universitetet e Serbisë, Kroacisë, Rumanisë, etj. janë në qindëshet e para të renditjes.
Shkatërrimi i Universitetit dhe shkollës shqiptare në përgjithësi, nuk është e rastësishme por një projekt i mirëorganizuar që ka për synim gjunjëzimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Transformimi nga një shoqëri dijesh në një shoqëri slloganesh, vijimi si ekonomi primitive dhe varfëria që pason është garancia më e mirë për sundim të kastës.
Propaganda synon që njerëzit mos ta kuptojnë sistemin si një i tërë, por si degëzime dhe probleme sporadike. Por e vërteta e hidhur është se i gjithë shteti është i kapur nga një oligarki që kontrollon jetën politike-ekonomike-mediatike dhe akademike të vendit.
Nëse arkitektët e këtij sistemi janë pak më të vështirë të shihen me sy të lirë, sepse nuk janë vetëm brenda vendit, përfituesit e tij shkëlqejnë në mes të diellit me makina e vila luksoze.
Në konceptin e shtetit modern liberal demokratik, Universitetet u krijuan si një garanci e popujve ti rezistojnë pushtetit me anë të arsimimit dhe mendimit kritik. Për këtë arsye Universiteti ka në qendër Studentin dhe të drejtën e tij për arsim. Por sistemi që krijoi kasta për 25 vite është krejt e kundërta e asaj që kërkonte madje Kushtetuta shqiptare ngritur mbi parime social demokratike. Studenti u masakrua nën dhunën e tarifave të studimit, nën abuzimin e mësuesve mediokër, sekretarive arrogante në një sistem të vërtetë oligarkik që prodhon injorancë dhe modele korruptive.
Universitetet nuk fituan kurrë autonominë por u bënë paterica të sistemit, ku as nuk mësohet dhe as nuk bëhet kërkim, por vetëm parafabrikohet “pseudo elita” në shërbim të kastës. Ata që goditen nuk janë vetëm studentët që privohen prej pedagogëve me cilësi, por dhe intelektualët e vërtetë që neutralizohen dhe mbahen larg qarkut akademik dhe mediatik nëse nuk bëhen pjesë e kastës. Pra ajo që goditet në fund të fundit është vetë shoqëria shqiptare, që privohet prej njerëzve dhe energjive me pozitive që disponon Shqipëria jashtë dhe brenda.
Studentët ndodhen në mes të kësaj dare ndrydhëse për formimin e tyre sot dhe punësimin nesër. Bëhet çmos që studentët mos të ndërgjegjësohen për shkaktarët e kësaj situate dhe aq më pak të kuptojnë rrugëdaljen.
Reforma për arsim, përkeqësoi edhe më tej situatën si një evoluim natyror i së keqes. Por dhe njëherë studentët u manipuluan dhe u përçanë prej veglave të sistemit. Sistemi parashikonte një farë revolte kundër rritjes së tarifave të studimit dhe privatizimit të shkollës publike (në kundërshtim me çfarë kishte premtuar në fushatën elektorale) dhe mënyra më e mirë ishte ti paraprinte këtyre protestave.
Po, si?
Sistemi postkomunist ka trashëguar aftësi të “vyera” manipulimi dhe kontrolli, prej atij paraardhës duke u sofistikuar më tej me “mjeshtra” ndërkombëtarë.
Njerëz pranë sistemit (që pa meritë dhe tituj janë tashmë pjesë e stafeve akademike mediokër militantë) u kujdesën të organizonin protestën e studentëve drejt qëllimeve dhe formave utopike, për të mos ta bërë të rreikshme për status quo-në e kastës. Dhe ashtu ndodhi. Format radikale dhe veshja e protestave me një ideologji komuniste si dhe kërkesa për arsim falas, trasmetuar gjerësisht në mediat e pushtetit, jo vetëm që nuk bashkoi studentët me qytetarët por ndau dhe vetë studentët.
Kështu edhe njëherë, pushteti uzurpoi kauzat për ti shkatërruar ato nga brenda, nëpërmjet “veglave” të tij. Studenët mbetën si çdo kategori tjetër në realitetin shqiptar: të përçarë dhe të manipuluar, ndërsa kasta sundon e qetë.
Protesta u mbyt por vuajtjet e studentëve vazhdojnë!
Po si do të shpëtojnë studentët nga kjo darë?
Studentët duhet të kuptojnë: që beteja e tyre nuk është ndryshe nga beteja e këtij populli për të drejta dhe normalizim të vendit; që kjo situatë nënshtrimi, nuk është fenomen natyror por vepër e kësaj kaste 25 vjeçare dhe veglave të tyre; që nuk ka shpëtim të studentit pa çlirim të Universitetit nga kasta; që betejat nuk fitohen me sllogane utopike por më një projekt-propozim të përgjithshëm, serioz dhe në një gjatësi vale me demokracitë perëndimore dhe të drejtat e studentëve evropianë!
Lëvizja shqipON vijon mbledhjen e firmave në një peticion kombëtar për normalizimin e Universitetit Publik ngritur mbi 3 shtylla:
1. Rritje të buxhetit për arsimin si dhe krijimin e një Agjensie Kombëtare për të Drejtën e Studimit (si në çdo vend evropian) e cila, të organizojë çdo vit akademik, një konkurs kombëtar dhe on line për kërkesat e çdo studenti për format e ndihmës ekonomike.
Një formë e tillë, zhduk abuzimet dhe lejon trasparencën e: a) buxhetit që akordohet nga shteti për arsimin b) sa prej tij shkon realisht për studentët c) gjendjen pasurore të studentëve aplikues d) gjendjen e krediteve dhe notave të studentëve që meritojnë mbështetjen financiare e) shërbimin e ndihmës që përfitojnë studentët si, ulja ose azerimi i tarifës së shkollës, kontribute financiare, kontribute për ushqim, numrin e shtretërve në dispozicion për studentët, kontributin për transport etj.
2. Zgjedhjen e rektorëve dhe dekanëve në një Election Day të përgjitshme ku votojnë të gjithë dhe vetëm studentët. Format “hibride” të deritanishme nëpërmjet këshillave studentore ose pesha prej 10% e votës studentore janë thjesht forma manipulimi. Çdo Profesor me 5 vjet eksperienccë mund të kandidojë duke bërë më parë publike të gjithë cv e tij akademike. Rektorët dhe dekanët janë administratorë të Universitetit dhe si të tillë duhet të zgjidhen dhe shkarkohen vetëm nga studenët pasi nuk ka asnjë konflikt interesi. Konflikti ekziston sot, kur profesorët, partitë dhe rektorët emërojnë njëi tjetrin në një qark vicioz dhe pervers. Me tu zgjedhur rektorët dhe dekanët nga studentët këta të fundit përzgjedhin pedagogët në një konkurs të hapur, publik dhe online.
3. Krijimi i një platforme kombëtare e cila do të trasmetojë në kohë reale dhe on streaming të gjitha leksionet dhe vlerësimet që kryhen në Universitet. Transparenca reale me detyrim, do të nxjerrë lakuriq shumë prej pedagogëve që nuk meritojnë të jenë në Universistet, që nuk vijnë në leksione si dhe do shpëtojnë studentët prej velerësimeve abuzuese dhe korruptive.
Platforma gjithashtu do të publikojë të gjithë cv akademike të profesorëve
Do reduktohet maskimalisht roli i sekretarive mësimore sepe çdo student do ketë profilin e tij përgjatë studimit: ku mund të shohë dhe printojë çertifikatat e notave, të regjistrohet për provime si dhe informacione apo forma interaktive me Universitetin.
Drejtori i kësaj platforme do të zgjdihet nga vetë studentët me të njëjtin proçes si më sipër, në mënyrë që transparenca mos të lihet në dorë të strukturave autoreferenciale.
Të gjitha këto propozime janë pjesë e projektit S.O.S dhe kërkojnë shtrirjen e mekanizmave demokratike ku vendimet merren nga poshtë në një transparencë të plotë dhe proaktive.
Ledian Droboniku eshte drejtues i ShqipOn