Home KRYESORE Oligarkia demo(n)kratike!

Oligarkia demo(n)kratike!

Nga Luan Kurti

Oligarkia financiare është bërë rreziku kryesorë në një serë vendesh në zhvillim për deformimin, nëpërkëmbjen e demokracisë dhe gjenerimin e revolucioneve për shkak të pakënaqësisë popullore gjithnjë në rritje. Grekët i mashtruan Trojanët me kalin e drunjtë si dhuratë, kurse lindorët i mashtruan perëndimorët me Katovicën.

Gradualisht dhe ditë pas dite ish-hierarkët e regjimeve totalitare bën katarsisin e problemeve me të shkuarën me gjyqe farsë, pasi më parë kishin zhdukur gjithë dosjet kompromentuese dhe zaptuan hapësirat ekonomike. Ata ishin biznesmenët e parë që e krijuan pasurinë fillestare nëpërmjet grabitjes së arkës së shtetit, të rezervave, aseteve të ndryshme, të asaj që cilësohej “pasuria e përbashkët” nëpërmjet privatizimeve me letra me vlerë, dhe të lidhjeve brenda dhe jashtë që ndihmuan në transferimin, fshehjen e kapitaleve dhe riciklimin në burim si para e pastër.

Ata krijuan ligje por nuk i zbatuan vetë asnjëherë, krijuan institucione por pa i bërë kurrë funksionale, folën për reforma të thella në të gjithë sektorët dhe fushat, por ato qenë gjysmake, për një ekonomi të tregut të lirë, ku konkureca e ndershme u zëvendësua me rivalitetin vrasës, me monopolet që gjeneroheshin nga politika dhe i përkisnin po asaj. Ata emëruan dhe po emërojnë me lista drejtuesit e partive, sindikatave, mediave, OJQ-ve, shoqërisë civile në përgjithësi; diktojnë të quajturin rotacion, qarkullim të elitave.

Rrethi tani është i mbyllur dhe droja ka kaluar. Ndarja e shtresave, diferencimi që duhej të ndodhte në mënyrë të natyrshme, si rezultat i nisjes nga i njëjti start në varësi të performancës dhe talentit, pothuaj ka përfunduar dhe pasuritë duhen legalizuar. Nëse kemi shtresën e të pasurve dhe të varfërve, shtresa e mesme sipas meje mungon tërësisht dhe kjo është fatkeqësia e këtyre 25 viteve.

Centralizmi i dikurshëm tani kryhet nëpërmjet shtresës së oligarkisë, nëpërmjet ligjesh, referendumesh, kushtetutash në dukje moderne, jo nëpërmjet propogandimit të ideve por të pamundësisë për t’i artikuluar ato. Rrofshin popujt, rroftë demokracia!…

Share: