Nga PhD, Ledian Droboniku, Aktivist shqipON
Para disa vitesh, në një relacion fundviti, Gjykata e llogarive italiane shkruante se: “korrupsioni tashmë është bërë mënyrë jetese dhe pa ndryshim të politikbërjes, vetëm magjistratura nuk e lufton dot”. Dhe këtu bëhet fjalë për një nga magjistraturat më të forta dhe të përgatitura në botë që i është dashur të përballet dhe sofistikohet përballë luftës me mafian dhe korupsionin kapilar.
Është pra iluzion të pretendosh, që sundimi i ligjit mund të vendoset falë çekiçit të gjyqtarit, ku të gjithë çekanët dhe varretë e politikës punojnë kundër tij. Hans Kelzen, parashikonte vështirësinë e vendosjes së një demokracie reale nëse nuk ka një konformizëm spontan të normës. Pra pjesa më e madhe duhet ta respektojnë ligjin pa patur nevojën e magjistraturës.
Shteti i së drejtës u mendua si qeverisje ligjesh dhe është në antitezë me qeverinë e “njerëzve”. Çfarë do të thotë kjo? Nuk do të thotë gjë tjetër veçse faktit, që raportet dhe konfliktet në shoqëri zgjidhen në bazë të zbatimit uniform të së drejtës dhe jo arbitraritetit të njerëzve me pushtet.
Në fakt Shqipëria, nuk vendosi kurrë në 100 vite shtet, një qeverisje ligjesh. Është kjo arsyeja përse Kushtetuta shqiptare ngritur mbi parime demokratike “të huaja” mbetet një mish i huaj në realitetin “vendas”. Kudo dëgjohet shprehja se: ligjet janë, por nuk ka vullnet për ti zbatuar ato! Kjo nuk është një shprehje neutrale, por tregon se nëse nuk ka vullnet për të zbatuar ligjet, ka vullnet për ti thyer ato për përfitime personale apo klientelare.
Në këtë mënyrë do të shohim, ashtu si kemi parë, hartimin e qindra reformave dhe përsëri situata mbetet po e njëjtë, sepse norma mbetet thjesht në letër. Atëherë, ndryshojmë persepektivën dhe mendojmë që problemi nuk qenka juridik por thjesht politik.
Duhet gjetur mënyra, ashtu si bënë popujt perëndimorë, për të futur djallin në shishe ose detyruar politikën që të funksionojë në respekt të vullnetit të popullit dhe normave të së drejtës.
Në këtë situatë të frikshme antiligji dhe me një kulturë korrupsioni të përhapur kudo, është urgjente krijimi i atyre insitucioneve që të sigurojë higjenën e shtetit dhe shoqërisë.
Në radhë të parë, duhet pranuar reduktimi sa më parë i rolit të partive në jetën politike dhe publike të vendit. Një subjekti kaq të “papërgjegjshëm” nuk mund ti japësh kaq shumë pushtet si ndodh sot, ku partitokracia pushton jo vetëm jetën institucionale por dhe fusha të tjera.
Nuk duhet të jenë më partitë të zgjedhin zyrtarët e lartë shtetërorë dhe organet e kontrollit. Kjo mund ti kalojë shumë mirë, qytetarëve që të mund të zgjedhin dhe shkarkojnë Presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm, KLD, KQZ, Drejtorin e Istat, Avokatin e Popullit, KLSH, Drejtorin e AMA-s dhe kështu me radhë. Pra nuk do jenë më “njerëzit e partisë” që do emërojnë njëri tjetrin por kjo do të kalojnë nëpërmjet zgjedhjes popullore për të zhdukur kështu lidhjet korporative.
Një mjet higjenizues ndaj korrupsionit galopant, do të ishte shkarkimi i çdo të zgjedhuri të popullit në çdo moment nëse ky humbet besimin e atyre që e kanë zgjedhur. Përndryshe njerëzit do të zhgënjehen gjithmonë, kur shohin se si nuk mbahen premtimet elektorale dhe nuk kanë asnjë mjet për tu mbrojtur përveçse të presin 4 vjet dhe të votojnë një “mashtrues” tjetër. Ky i fundit mund të blejë gjykatën por jo ti shpëtojë ndëshkimit të popullit që e ka zgjedhur.
Aplikimi i referendumeve kombëtare dhe lokale të shpeshta dhe me detyrim, propozitiv, konfirmativ dhe abrogativ, për ti hequr kështu mundësinë klasës politike të aprovojë ligje dhe reforma që janë kundër vullnetit të popullit dhe kundër interesave kombëtare.
Duhet zhdukur njëherë e mirë, figura e “politikanit zanatçi” që rri me dekada në politikë. Demokracia nuk ngrihet mbi privilegje por përgjegjësi dhe shërbime. Çdo post i lartë politik nuk duhet të ketë më shumë se dy mandate, për të mos lejuar krijimin e grupimeve antishtet dhe siguruar një qarkullim të elitave dhe ideve në vend.
Ndërtimi i një sistemi bazuar mbi transparencën proaktive, që i jep pushtetin publikut për të parë dhe kontrolluar çdo aktivitet shtetëror. Kjo transparencë proaktive nuk duhet të ngatërrohet me me atë të selfive realizuar nga vetë pushteti, por e garantuar nga një strukturë jashtë pushtetit që të zgjidhet direkt nga qytetarët. Përndyshe do kemi një shtet që kontrollon qytetarët dhe jo qytetarë sovranë që kontrollojnë shtetin e tyre.
Është pikërisht kjo situata ku jemi sot, falë edhe ndryshimeve kushtetuese këtë dekadë, që kanë vetëm një emërues të përbashkët: përqendrimin e pushtetit duke filluar nga presidenti jo konsensual, listat e mbyllura, KQZ e formuar nga partitë më të mëdha, besimi “konstruktiv” i Kryeministrit dhe shpërndarja e parlamentit, sistemi elektoral vrasës për partitë e vogla etj.
Ndërtimi i një shteti demokratik është kështu i lidhur fatalisht me shpërbërjen e kësaj partitokracie që ka mbërthyer vendin dhe kushtëzon të gjithë jetën politike dhe ekonomike të vendit. Rritja e vendimmarrjes së qytetarëve në jetën politike të vendit, jo domosdoshëmrisht nëpërmjet partive, do të thotë automatikisht humbjen e superpushtetit të partive dhe privilegjeve të tyre.
Prandaj, mos presim që këto propozime do të vijnë nga kjo klasë politike, nga qarku i tyre mediatik apo nga goja e miqve të tyre ndërkombëtarë.
Kjo është sfidë e vetë popullit, që falë dhe intelektualëve dhe njerëzve patriotë, heqin dotë nga idjotizmi partiak dhe ndërtojnë një shtet që kontrollohet nga qytetarët dhe punon për qytetarët.