Nga Ledian Droboniku*
Ndërsa në vend zien pakënaqësia sociale, kasta përgatit metamorfozën e radhës, nëpërmjet të vetmit instrument që ka kolauduar për 25 vite: protestat e dhunshme.
Sistemi i ngritur mbi privilegjet e një pakice të vogël, nuk mban më. Premtimet për një jetë më të mirë nuk ngjallin më entuziazëm tek qytetarët, pavarësisht trumbetimit të gurrmazit mediatik të kastës. Kasta këtë gjë e di mjaft mirë dhe së bashku me “miqtë” ndërkombëtarë, mund të sakrfikojë vetëm “dordolecët” në krye, por pa ndryshuar sistemin që garanton këto privilegje.
Shkencarët e mendimit sociologjik si Durkheim, Sorel apo të tjerë aturorë si Cesare Lombroso dhe Jeremy Bentham, dakordësohen kur shprehin se, dhuna përforcon strukturat aktuale të pushtetit.
Kjo ndodh jo vetëm për arsyen se shteti ka monopolin e dhunës, por ai arrin të kontrollojë, organizojë dhe devijojë “kapedanët dhe protestat” në drejtime të padëmshme për vazhdimin e sundimit. Slloganet e protestave dhe dhunës pas tyre, krijojnë iluzionin e shpëtimit të vendit në mënyrë të thjeshtë. Turrmat e mbajtur në injorancë dhe të manipuluara sistematikisht, u krijohet përshtypja se “thjesht” protestat janë rrugëdalja. Por protesat dhe dhuna në përgjithësi, reduktojnë kompleksitetin e realitetit në sllogane, mpijnë mendjen për zgjidhje afatgjata, largojnë dijetarët dhe afrojnë ushtarët.
Protestat e vërteta, vijnë nga poshtë, si një instrument i natyrshëm për realizimin e një projekt-ndryshimi, me ide të reja dhe njerëz të rinj që mishërojnë këtë ndryshim. Ky projekt, nuk mund të zëvendësohet nga slloganet ashtu sikundër forma nuk mund të zëvendësojë përmbajtjen. Vendi ka nevojë për një kontratë të re sociale që rithemelon shoqërinë dhe ekonominë mbi virtyte dhe moral. Kjo kontratë e re, kërkon njerëzit më të mirë që Shqipëria disponon, jo sharlatanë injorantë apo klone të ricikluara të sistemit.
Vetë kasta bën thirrje për “revolucione” por nënkuppton vetëm “revolta”. Kasta harron se revolucionet ndryshe nga revoltat, nuk sjellin thjesht ndryshime emrash dhe fytyrash, por vetë strukturat e pushtetit. Kjo do të thotë, që struktura të reja zëvendësojnë ato të vjetrat si garanci më e mirë për të drejtat e qytetarëve dhe realizmin e vullnetit të popullit sovran. Fakti që qarku politik dhe mediatik, eklipson këto ide të reja është shenjë e kapjes totale të shtetit.
Protestat e thjeshta, janë mjete demokratike në një vend demokratik, është një e drejtë kushtetuese aty ku sundon e drejta dhe Kushtetuta. Këto lloj protestash, nuk funksiojnë në një shtet të kapur.
Që protestat të kenë sukses duhet që ato të organizohen nga subjekte të legjitimuara para qytetarëve dhe të pakontrolluara nga kasta. Nuk është rastësi që kasta nuk lejon krijimin e këtyre qendrave të pushtetit jashtë kontrollit të saj. Kontrolli dhe homologimi i partive, mediave, sindakatave apo i shoqërisë civile ka për qëllim të mbajë në kontroll të gjithë jetën politike në vend, pa lejuar organizime natyrore të qytetarëve. Prandaj, qarku mediatik, do promovojë vetëm ata njerëz, ide dhe lëvizje pranë pushtetit që nuk do rrezikojnë kurrë realisht sistemin me protesta segmentare dhe sporadike.
I vetmi sllogan i partive shqitpare për 25 vite, vazhdon të jetë: “na besoni neve pushtetin dhe prisni!” Kjo në fakt i shkon për shtat një populli me kulturë baritore, që e sheh shpëtimin vetëm tek një “bari i mirë”. Edhe pse ky është sot mendimi dominant, është po aq një mendim parazitar, që i akomodon njerëzit të presin që dikush tjetër të rregullojë jetët e tyre. Kjo i shkon për shtat edhe kastës, dhe prandaj është absolutisht, “nëna e të gjitha të këqijave” .
Pavarsisht, banalitetit që ka pushtuar vendin, propagandës sfilitëse, mungesës së kulturës demokratike, injorancës për shkencën dhe arsimin, shqiptarët të paktën kanë mësuar për 25 vite se: thjesht revoltat nuk mjaftojnë, thjesht rotacioni i emrave dhe fytyrave nuk është garanci për normalizim të vendit.
Shqiptarët, kujtojnë se si revoltat e “91 hoqën Ramizin dhe sollën Berishën, revoltat e “97 hoqën Berishën dhe sollën Nanon, revoltat e 2005 hoqën Nanon dhe risollën Berishën, revolta dhe gjaku i 21 janarit sollën sundimtarin e ri Rama.
Po, kësaj here kë do sjellin në krye revoltat? Njerëzit kuptojnë që çdokush që do vijë në pushtet, do të vjedhë në një lojë që nuk mbaron kurrë.
Dhe kanë të drejtë! Por, atë që qytetarët nuk kuptojnë dhe që intelektualët duhet të shpjegojnë është se vetëm ndryshim i fytyrave nuk mjafton.
Populli shqiptar duhet të bëjë atë që ka bërë çdo popull evropian që jeton në prosperitet. Ndërtimin e asaj makine shtetërore, që kontrollohet nga qytetarët dhe jo e kundërta. Pra bëhet fjalë për “ndërtim” dhe jo thjesht “shkatërrim”. Çfarë do të thotë kjo?
Në radhë të parë ndarje të plotë nga llogjika dhe arkitektët e këtij sistemi. Në radhë të dytë fuqizimin e rolit vendimarrës të qytetarëve në ndërtimin e institucioneve dhe jetës politike të vendit. Garancia më e mirë për qytetarët janë vetë qytetarët, sot dhe nesër, kundër lobimeve të brendshme apo ato të huaja.
Këtu nuk bëhet fjalë për një pseudo reformë apo program, kur vetë sistemi është virus. Këtu bëhet fjalë për ndërtimin e një Kushtetute të re, që garanton togëzimin e popullit sovran me qeveritarët e tij. Një popull që nuk e dorëzon “butonin” hajdutëve të radhës, por e mban në dorë gjithmonë atë, për të kontrolluar dhe ndëshkuar çdo abuzim të pushtetit.
Në kushtet e një klase politike të babëzitur, Kushtetuta nuk mund të vazhdojë të jetë, sikundër thotë në nenin 1, Republikë e deputetëve dhe e partive. Kushetuta duhet të sjellë në qendër qytetarin sovran jo me forma utopike, por realiste. Atë formë qeverisjeje, që i sheh qytetarët pjesëmarrës aktivë dhe jo turistë në atdheun e tyre. Demokracia pjesëmarrëse është e vetmja vaksinë kundër çdo pushteti të papërgjegjshëm dhe garanci për një të ardhme afatgjatë. Që këto mos të mbeten sllogane, duhen përkëthyer në institucione, si ato që shumë shtete vetë i zbatojnë, por neve nuk na e “këshillojnë”.
Duhet çmontuar kasta dhe të evitohet krijimi i oligarkive të ardhshme, ku pushtetarët emërojnë njëri tjetrin si ndodh sot me deputetët besnikë të “liderrrit” dhe jo Republikës. Duhet që qytetaët të zgjedhin direkt dhe të shkarkojnë në çdo moment, jo vetëm deputetët por të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, si Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm, KQZ, KLD, Governatori i Bankës Kombëtare, KLSH, Avokatin e Popullit, Drejtorin e Transparencës, AMA, TVSH etj. Duhet që referendumet të jenë të detyrueshme, që ndryshimi i Kushtetutës apo ligjet antipopullore dhe antikombëtare mos të hyjnë kurrë në fuqi. Duhet që qytetarët të përfshihen dhe në pushtetin gjyqësor, në mënyrë që ligjet mos të anullohen në fazën e fundit nga magjistratë të papërgjegjshëm. Kontrolli i KLD-së prej qytetarëtve dhe krijimi i jurive qytetare brenda në gjykata është garancia me e mirë, që asnjë segment i shtetit mos tëtransformohet në antishtet duke rrezikuar të drejtat tona.
Duhet që transparenca të jetë totale dhe mos të lihet në dorë të vetë pushtetarëve. Fundin e politikanëve ustallarë dhe lejimin e vetëm dy mandateve për një qarkullim të ideve dhe njerëzve virtuozë në sistem. Futjen e partive në kushtetutë dhe demokratizimin e tyre. Zhdukjen e monopoleve dhe vlerësimin e aseteve kombëtare, transparencën e kapitalit, luftën ndaj ekonomisë së drogës dhe krimit. Nxitjen e kthimit të emigrantëve si pjesa më vitale e kombit për shpëtimin e tij.
Këto institucione do të fshinin të gjithë arkitetkët e sistemit dhe privilegjet e tyre. Kjo është pikërisht ajo që kasta i trembet, këto ide duhet të mbahen larg qarkullimit mediatik. Duhet që propaganda ti stigmatizojë si utopike, të eklispojë lëvizjet që i çojnë përpara, të akuzojë qytetarët se vetë ata janë fajtorë të dramës shqiptare, se shqiptarët meritojnë këtë kastë politike, se e gjithë kjo demokraci do sjellë kaos etj.
Por këto ide janë thjesht demokratike dhe po ndodhin tashmë në popujt evropianë. Fuqia e ideve është pikërisht se nuk mbahen të burgosura përgjithmonë nga askush. Shqiptarët po kërkojnë të jenë zotër të vendit të tyre dhe kuptojnë se Shqipëria ka mjaftueshëm burime natyrore dhe njerëz të aftë për ndërtimin e një shteti, shoqërie dhe ekonomie të begatë. Mbetet detyrë e çdo qytetari patriot, për të shkurtuar këtë rrugëtim drejt normalizimit të vendit dhe afrimit me popujt e ndritur evropianë. Aty ku e kemi pasur dhe e kemi vendin si një popull me kontribute për historinë e kontinentit.
*Autori është drejtues i Lëvizjes ShqipOn