Nga Enkel Demi
Ka disa ditë që 27.al raporton në lidhje me disa aktivitete që elementë ekstremistë në Athinë janë duke organizuar për Vorio Epirin. Organizatat që kryesohen nga njerëz që nuk e fshehin se janë nazistë si Kristo Papas janë mbështetur edhe nga shtetas të Shqipërisë si Vasil Bollano. Krahas me këto aktivitete të ndodhura në 14 dhe 20 shkurt, Ministria e Jashtme Greke ka organizuar një konferencë shkencore në lidhje me Vorio Epirin e çështjen çame.
Për këtë konferencë ka patur një debat në Kuvendin e Shqipërisë mes nënkryetarit të Parlamentit, Shpëtim Idrizi dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Ky i fundit u shpreh se nuk ka ndër mend të bëjë një notë proteste ndaj Athinës zyrtare në lidhje me këtë konferencë, megjithëse takimi “shkencor” organizohej në sallën “Yannos Kranidiotis” e Ministrisë së Jashtme Greke dhe përdorej termi irredentist “Vorio Epir”.
Është njësoj sikur në një nga sallat e Ministrisë sonë të Jashtme të organizohet një konferencë shkencore për Shqipërinë e Madhe. Nëse një gjë e këtillë do të kishte ngjarë jo vetëm nota e protestës do kishte ardhur flurthi, por ambasadori grek e jo vetëm do bënin sallore në zyrën e Ditmir Bushatit në të gjitha vaktet e ditës.
Ky lloj frustrimi ndaj fqinjëve është i trashëguar që nga kohët e komunistëve, kur shoku Enver shkruante librin “Dy popuj miq” apo shpallte vëllezër kinezët dhe miq kosovarët. Që kemi një çerek shekulli që i shohim grekët me kompleksin e inferioritetit, kjo nuk do as laps, as kalem. Përherë ata na kanë kërcënuar me emigrantët, thua se po na i mbajnë me bukë.
Shumë shpejt Ditmir Bushati do të shkojë për një vizitë zyrtare në Athinë. Ka gjasë që intesifikimi i veprimtarive naziste dhe nacionaliste të tipave si Kristo Papas, Babis Karathanos, Lefter Prifti, Vasil Bollano, Eleni Dhimu janë prologu i asaj që do e presë ministrin tonë.
Nëse ai nuk ka guximin nga Tirana të lëshojë zë mbi atë çka po presin t’ia shtrojnë në tryezë, do të jetë shumë e vështirë të sillet me dinjitet, tek të ulet në aeroportin “Eleftherios Venizelos”.
Kuptohet që në Shqipëri ndjeshmëria për këto halle është e ulët, sepse ne kemi çështje më të mëdha për të diskutuar, si parku i lodrave, por andej nga nahija e fqinjëve Eleni Dhimu nuk lë takime vetëm në motele me ndonjë ligjvënës shqiptar, por edhe mbulon cipën me flamurin e Vorio Epirit, i cili dhe ne, shqiptarëve po nis të na duket familjar. Apo jo Ditmir?
/27.Al