Home KRYESORE RESPEKT PER ARSIMIN SHQIPTAR!

RESPEKT PER ARSIMIN SHQIPTAR!

Nga Llazar Syziu.

Respekt për arsimin shqiptar! 130 vjet shkollë shqiptare. Çdo ditë nxënës që shkojnë në shkollë, çdo javë fëmijë që gëzojnë pushimin e ditëve të lodhshme të shkollës. Çdo muaj prindër , të cilët marrin informacion për ecurinë shkollore të fëmijëve. Çdo vit prindër që rezervojnë buxhetin për libra dhe mjete të tjera shkollore. Çdo semestër, analiza, vërejtje, paragjykime dhe opinione të tjera më të qarta.

Bëhet fjalë për çerekun e popullsisë të angazhuar në këtë sipërmarrje, më mirë të themi se bëhet fjalë për gjysmën e shoqërisë, me gjithë ata që shpresojnë lajme të mira nga arsimi. Aq e rëndësishme është sipërmarrja shkollore sa që kur ndodh të prishen ekuilibrat politikë në shoqëri, menjëherë ndodh një rivendosje e re e ekuilibrave edhe në arsim, me qëllim që krahu udhëheqës të sigurojë pozita dominuese.

Çdo ditë shikon nxënës më shumë se kalimtarë të tjerë, të cilët lëvizin me çantën e librave në krah, shpesh me peshë të konsiderueshme, sa që u mpin krahun. Dhe ata e hedhin çantën në krahun tjetër, pastaj përsëri e ndërrojnë krahun dhe kështu deri sa e çojnë këtë barrë në klasë. Mandej duhet ta kthejnë përsëri në shtëpi. Dhe kjo pothuajse të gjithë vitin. Shpesh dëgjon fjali urdhërore: “Shshsh…t, se po mëson fëmija”. Ose fjali dëftore: “Shiko se ke edhe mësimet për të bërë”. Çdo ditë dëshira: “ Oh mbase edhe fëmija im bëhet me shkollë të madhe”. Në fillim të verës përsëritje pa fund të pyetjes: “Si të doli fëmija me shkollën?”.

Përherë buxhete të planifikuara për shkollën. Gjithmonë paragjykime për koston e dukshme dhe të fshehtë të shkollës. Letra pa fund për kurrikulën arsimore, plane, programe, kushte për të nxënët optimal dhe vlerësime sa më të suksesshme të realizuara. Pra respekt për arsimin shqiptar! Respekt për dhjetra mijë edukatorë, që lënë hallet e tyre çdo ditë dhe orjentojnë grumbullimet shkollore. Kthehen në shtëpi dhe shkojnë përsëri në shkollë. Gjithmonë diçka për të bërë, gjithmonë diçka nuk është realizuar si duhet. Çdo ditë vërejtje, përgëzime, shqetësime, përjetime dhe meditime. Çdo ditë nënvizime, numra të thjeshtë që quhen “nota”, këshillime dhe falënderime. Çdo ditë zbatim orari, klimë e shëndetshme në klasë dhe në shkollë, kërkesë llogarie dhe shpërblime morale për përkushtimin. Për çdo ditë ndahet dija, vlerësohet dija: “ Pse aq?….Po sa?…. kaq”. Çdo ditë diskutime, biseda marramendëse, hatërmbetje dhe përfitime. Gjithmonë për ndarjen e dijes,përherë për pjesën e gjithsecilit.

Por ja që ka edhe kurrikul të fshehtë. E çuditshme si rregullohet ekuilibri: – Sa më tepër të realizohet kurrikula legjitime, aq më pak kurrikul të fshehtë. Dhe e kundërta : – Sa më pak të kërkohet kurrikula legjitime, aq më shumë kurrikul e fshehtë shpaloset. Kaq shumë njerëz të mbledhur bashkë e formatojnë vetë një kurrikul. Kjo do t`i ngjajë më tepër fytyrës së shoqërisë, por jo perspektivës që krijon kurrikula shkollore e kultivuar. Analistët ndalen në kohë dhe hapësirë. “Si ka qenë shkolla shqiptare?”, “Si është sot ajo?”, “Sa përqind e shoqërisë shkollohet?”, “Si arsimohet ajo?”. Probleme me braktisjen shkollore, të matshme dhe të fshehtë. Probleme me kurset jo legjitime të nxënësve jashtë orarit mësimor. Probleme me median dhe me autoritetin shkollor. Dhe e gjitha kjo krijon një simfoni kombëtare. Respekt për shkollën shqiptare!

Analistë të tjerë bëjnë krahasime: Amerika sot… Po ne?, Italia, Anglia, Hollanda kanë këta tregues…Po ne?, Suedia, Korea, Kina është një hap përpara…Po ne?…Po ne ku jemi? Eshtë harxhuar kaq letër për nxënës, kaq shkumësa për nxënës, por edhe mungesat për nxënës maten: “Gjithsej janë kaq…Po femra sa mungojnë?”.

Zhvendosje e pa planifikuar e shoqërisë, kaq nxënës për klasë në qendër apo periferi. Shkolla rurale me klasa të bashkuara, apo klasa elitë në shkolla qendrore. Kemi patur mangësi në kuadro, por ja që tani kemi tepër. Këta mësues duhet të respektojnë më mirë të drejtat e nxënësve, por ja që ka të tjerë që bëjnë shumë lëshime. Këta të kualifikuar, por ka edhe fillestarë. Ky i vë shpatullat punës, ndërsa ai tjetri i bënë bisht asaj. Ky drejtues e menaxhon mirë shkollën, por ai tjetri përfiton prej saj. Sa shumë zëra dhe sa shumë ngjyra shpalosen, të gjitha janë pronë e ylberit shqiptar.

FB_IMG_1455222652754Ora e mësimit është e shenjtë, por ja që mësohet mirë edhe nga media elektronike apo e shkruar. Efektivitet në rrjete sociale, megjithëse ka edhe rrethe shoqërore, të ngushta dhe të gjera. Tekste shkollor të shkencave shoqërore, të shkencave natyrore, apo të drejtimeve të aplikuara. Tekste shkollore me bazë përkthimin, apo edhe punime autentike shqiptare. Ka tekste pedagogjike, por ka edhe kritika të evidentuara të inspektimit. Të gjitha këto përpiqen të realizojnë, me përkrahjen e autoritetit shkollor e shtetëror, përmirësimin e vlerave të shoqërisë shqiptare.

Share: