Nga Lis Bukuroca
Mbiemri Putin, që flet për origjinën e tij, në gjuhët sllave nuk ka kuptimin e një mbiemri familjar rus, dhe nuk e ka as në gjuhët neolatine. Ta vështrojmë pikë së pari në aspektin shkencor, linguistikë, para se ta analizojmë edhe në atë empirik. Put në gjuhën shqipe të folur ka kuptimin e idhullit, si shembull kemi: E mbanin si put. Si për shembull Berishën apo Thaçin, dikur Enverin dhe Titon, i mbanim si put.
Domethënë deri këtu na shfaqet trash e qartë me origjinë shqiptare, por nëse vazhdojmë tek zëri tjetër, që pason në fjalor, atëherë na koklavitet pak puna dhe na shfaqet emërtimi italian për gratë solidare: PUTANË. Këtu kemi një dilemë të madhe linguistike dhe nëse përfshijmë edhe fonetikën historike, mund të dalë se nga fjala PUTANË, ka mbetur rrënja e emrit PUTIN, apo një putanë që me përkëdhelje kanë thirrur PUTINË; putina ime e dashur e kështu me radhë.
Italianët nuk duhet të gëzohen këtu. Studimi nuk mbaron. Mund të ekzistojë mundësia se origjina është edhe nga italishtja, nga fjala PUTANË, por edhe këtu mund të bëhet fjalë për një burrë shqiptar, që ishte kurvë, që ka shkuar në Itali dhe prej aty në Rusi. Rusëve ky emër i huaj u ka pëlqyer dhe paraardhësit e Putinit të sotshëm, e kanë ruajtur.
Nëse italianët ngulin këmbë se me fonetikën historike italiane mund të shpjegohet, edhe gjuha shqipe ofron këtë mundësi dhe mund të jetë nga fjala PURTAGË. PURTAGË janë vezët e kripura të thara në tym të qefullit. Këtu mund të kuptohet pastaj pse kaviari rus është aq i njohur në botë, dhe kjo domethënë një purtagor shqiptarë, ka shkuar në Rusi dhe ka dërguar atje kulturën e peshkut dhe vezëve të tija.
Nëse ndalemi këtu, atëherë kemi fituar betejën kundër gjuhëve neolatine dhe mbaron studimi. Duke pasur mirëpo parasysh se shkenca serbe bazohet në parametra tjerë dhe shumë herë banale, nacionaliste, atëherë duhet të vazhdojmë me përforcimin e argumenteve.
Në gjuhën shqipe kemi edhe fjalën PUTË, emër i gjinisë femërore, që ka kuptimin e shpullës së këmbës. Për ta studiuar pastaj në fushën e fonetikës historike dhe konstatuar rënien e ndonjë bashkëtingëllore, atëherë duhet marrë në konsiderim edhe fjalën SHPUTËR, që është SHPUTA e këmbëve tek disa kafshë. Putra e ariut (e luanit). Putra e këmbës. Pastaj kemi putërmadh dhe putërgjerë. Putra e tigrit. A ju kujtohen fotografitë e Putinit me tigrin? PUTINI me tigrin që ka katër PUTA.
2
Analiza e dytë mund të bëhet duke u mbështetur në empirizëm, pra në vëzhgime, në përvojë dhe në ngjarje duke ngritur paralele dhe krahasuar me mendësinë e politikanëve shqiptar. Ato paralele do të mundësojnë edhe shpjegimin e qartë.
Se mund të jetë me origjinë shqiptare, flet suksesi tij për të depërtuar në majë të shtetit nga një agjent ordiner i parëndësishëm dhe i hedhur në periferi të perandorisë sovjetike. Pra ishte shkolluar për spiun dhe arrin të bëhet kryeministër dhe kryetar dhe mund të bëhet çfarë të dëshirojë. Këtu na shfaqet një afri marramendëse me gjenet e shqiptarit Hashim Thaçit, si për nga nisma e karrierës, ashtu edhe për nga ngulitja në pozita dhe shpërngulja eksituese.
Sipas traditës shumë shekullore, shqiptari aty ku arrin, kap edhe shtetin për frena, edhe për fyti dhe gozhdohet për karrige me gozhda çeliku. Kemi dhjetëra shembuj në Perandorinë Romake, Osmane, në Egjipt, Turqi etj. Cila mund të jetë arsyeja për të bërë një përjashtim Rusia? Nuk ka asnjë arsye logjike! Pra në aspektin shkencor, filologjik, doli shqiptar i rrastë, por si duket do ta rikonfirmojë këtë edhe në fushën e filozofisë empirike.
Të shohim edhe nga këndet tjera: A donë shqiptarët Putini? Jo, nuk i donë. Cili perandorë shqiptarë në Romë apo në Kostandinopojë ka dashur popullin shqiptar? Asnjëri, asnjëri dhe kishim më shumë se 50 pushtetarë!
A do të kishte dëshiruar Putini ta zvogëlonte Kosovën dhe Shqipërinë? Pa asnjë dyshim! A nuk ka dashur ta bëjë këtë Haxhi Qamili, a nuk e ka bërë këtë Ahmet Zogu, a nuk deshi ta bëjë Sali Berisha me detin, a nuk po e përgatit Hashimi me Zajednicën serbe?
A kanë rritur perandorët shqiptarë Perandorinë Osmane dhe Romake? Po, e kanë bërë. A nuk po e rrit edhe Putini Rusinë? Sikur të ishte rus i vërtetë, nuk do ta kishte bërë kurrë dhe nuk do t’ishte acaruar aq ashpër me Perëndimin duke dëmtuar interesat ruse, por meqenëse ka gjak shqiptari, nuk i hanë palla për popullin rus dhe shikoni tani si është duke fundosur Rusinë në shkretëtirë. Një rus patriot, nuk do ta kishte bërë kurrë.
Pra, faktet empirike flasin të vërtetën e madhe: në damarët e Putinit qarkullon gjak shqiptar, por edhe pak gjak rus.
Këto ishin pra fakte shkencore, por sipas doktorit Ilaz Hysaj, që punon në Francë dhe që bëri publike origjinën e Zuckebergut, studimet e mia, qenkan vetëm hipoteza, por fakti i vërtetë i origjinës së Putininit, sipas tij, qëndruaka diku tjetër. Ai paska shfletuar arkivin e Shtimes dhe aty paska gjetur prova përplasëse dhe të pakundërshtueshme. I quan prova alivanosëse. Me të lexuar mbiemrin e Putinit, i kishte rënë të fikët Ilazit dhe pasi që i kishin derdhur ujë në fytyrë nga burimet e Shtimes, që kishin kalitur Hajdarin, Ilazi ishte kthyer në vete.
Në një regjistër osman, Ilazi kishte gjetur shëruesin e sterilitetit, zotin Hajdar K.
Zoti Hajdar K. paska lënë emrat e njerëzve, që ka shëruar dhe qenka ruajtur në arkivin e Shtimes. Arsyeja? Për të informuar njerëzit. Për të penguar martesa në mes vëllezërve, kur babai, ishte marrë hua si kërcyes çasti, pro si shërues i përjetshëm i bashkëshortësisë.
Ngjarja me Putinët paska ndodhur dy javë pas fekondimit nga Hajdari të stërgjyshes së Zuckebergut, por në të njëjtin vit dhe në të njëjtin muaj. Në bazë të regjistrit, siç tregon dr. Hysaj, ai vit qenka shënuar edhe në një defter të posaçëm, si vit shumë bereqetli, siç i thoshin në atë epokë. Ajo metaforë, bereqetli, qenka shënuar pranë mbiemrave të veçantë dhe paska qenë si dëftuese për Hajdarin se nga cila familje, mund të dalin pinjoll të mëdhenj, stërpika me vlerë planetare.
Pa marrë parasysh se cili version, cili studim merret parasysh, shpjegimet janë evidente dhe për shkencën të dëshmuar. Putini ka gjak shqiptari nëpër damarët e vet dhe pakëz gjak rus. Për këtë flet studimi gjuhësor dhe shpjegimi etimologjik i mbiemrit. Për këtë flasin faktet empirike, urrejtja ndaj shqiptarëve, dashuria kronike ndaj karrierës, por për këtë edhe flet regjistri i Shtimes. Gjersa nuk dëshmohet diçka tjetër, origjina mbetet si e provuar.
PS.: Në regjistrin e Shtimes në faqen 728, ku janë kristalizuar të dhënat për Hajdarin, qenkan shënuar edhe këto fise të shëruara nga Hajdari, me të cilët ai ka ndaluar martesën familjes për shkak të gjakut:
DAÇIQI, që paska origjinën nga fisi DACI dhe është kushëri i NEXHAT DACIT.
LAJIQI, që është nga fisi LAJÇI.
SERTIQI, që është me gjak shqiptar dhe nga fisi i SERTË, si dhe DREÇUN, nga fisi DREQI.
Lista është akoma më e gjatë dhe flet edhe për shqiptarë me përzierje serbe, por kryetari i komunës, paska ndaluar publikimin e atyre emrave.