Nga Ndue Ukaj
Sheshi është rrëfim i pakryer
Që atëherë kur dogj Troja
Dhe filloi rrëfimi për të.
Natë e ditë kur Helena bënte dashuri
E Odiseu kërkonte rrugën kah Itaka.
Sheshi është rrëfim i pakryer
Që atëherë kur Diogjeni
N’ mes turmës kërkonte njeri.
Sheshi është rrëfim i pakryer
Që atëherë kur turma shtroi lule
Për Krishtin që hyri triumfalisht n’ Jerusalem
Dhe e njëjta t’ nesërmen e kryqëzoi.
Sheshi është rrëfim i pakryer
Që atëherë kur turma rrëzoi shtatore prej bronzi
Dhe ndërtoi piramidë fjalësh
Për njeriun e ri.
Sheshi është rrëfim i pakryer dje
Rrëfim i pakryer sot
Rrëfim i pakryer nesër.
(Ndue Ukaj, ©)