Shperberja e hapësirës Shengen mund t’i kushtojë Bashkimit Evropian deri në 1.4 trilion euro gjatë dekadës së ardhshme. Kjo rezulton sipas një studimi të botuar të hënën nga fondacioni gjerman Bertelsmann. Studimi vlerëson se në rastin më të keq, rikthimi i kontrolleve kufitare në BE do të rriste çmimet e importit me 3%. Shpenzimet për ekonominë e parë të bllokut, Gjermaninë, mund të arrijnë deri në 235 miliardë euro mes 2016 -2025, dhe për Francën mund të arrijnë 244 miliardë.
Me një rritje minimale e çmimeve të importit prej 1%, studimi tregon se shpërbërja e Shengenit do t’i kushtonte BE-së pothuajse 470 miliardë euro në dekadën e ardhshme. Kostoja do të arrinte 1.4 trilion euro, ose pothuajse 10% e PBB-së vjetore të bllokut të 28 vendeve të BE-së në skenarin më të vështirë. “Nëse në Europë rivendosen kontrollet kufitare, rritjes së dobët ekonomike do t’i shtohej një presion shtesë”, theksoi presidenti i Bertelsmann, Aart De Geus. Zona Shengen është themeluar mbi 30 vjet më parë dhe aktualisht ka 26 anëtarë, 22 prej të cilëve i përkasin BE-së.