Home KRYESORE Shqiptarja frymëzuese e të gjithë popujve

Shqiptarja frymëzuese e të gjithë popujve

Nga Suzana Tahiri

Në kushtet e krizës së stisur politike në Kosovës, por edhe të problemeve të shumta që ka shteti më i ri i Europës, na vjen ndër mend bamirësja e madhe shqiptare, Nënë Tereza që falë përkushtimit të saj u shndërrua në një ikonë frymëzuese jo vetëm për botën katolike, por për krejt popujt e planetit.

Gruaja imcake zgjodhi të jetonte në një vend të stërmadh si India, jashtë zhurmës së mediave dhe tamtameve të propagandës politike të ditës, e megjithatë arriti të hynte në çdo zemër, pa dallim bindjeje, race dhe me një përujtësi hyjnore.

Ajo dha gjithçka nga vetvetja për të lartësuar kombin tonë në një univers krejt të veçantë, atë të dashurisë dhe pikërisht me emrin e saj ngriti këtë tempull sui generis, ngriti një kult që na krenaron të gjithë.

Në çdo kohë është i paçmuar testamenti i saj për krejt njerëzimin:

1. Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

2. Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.

3. Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.

4. Shoh Zotin në çdo njeri. Kur laj një të sëmurë me lebër, ndjej se po kujdesem për Zotin. A nuk është kjo një eksperiencë e bukur?

5. Të varfërit na japin më shumë seç u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet t’u japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata.

6. Kam zgjedhur varfërinë për njerëzit tanë të varfër. Por jam e nderuar të marr çmimin Nobel në emër të urisë, zhveshjes, të pastrehëve, të verbërve, të sëmurëve, të atyre njerëzve që janë të padëshiruar, që nuk i do njeri, nuk kujdesen për ta. Njerëzit që ndihen të braktisur nga shoqëria dhe të refuzuar nga të gjithë.

7. Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.

8. Nuk kam qenë kurrë më parë në një luftë, por kam parë urinë dhe vdekjen. E kam pyetur veten se çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bijtë e Zotit. Pse ata e bëjnë këtë? Nuk e kuptoj.

9. Zoti do gjejë një person tjetër më fisnik, më të devotshëm, më të përkushtuar ndaj tij dhe shoqëria do vazhdojë.

10. Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e tij.

Share: