Home KRYESORE Suzana Tahiri: Triptik për Hashim Thaçin

Suzana Tahiri: Triptik për Hashim Thaçin

1. Portret i paautorizuar për Hashim Thaçin

Hashim Thaçi u lind në Skënderaj të Kosovës më 24 prill 1968, në kohën kur vendi ndodhej i pushtuar nga regjimi serb, në mesin e 5 vëllezërve dhe motrave. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje, të lartën në Prishtinë, ndërsa studimet pasuniversitare në Zvicër. Qysh në moshë te re spikat për ndjenja atdhetare duke iu bashkuar lëvizjes studentore që kundërshtonte me çdo mjet regjimin pushtues. Në Zvicër, antarësohet në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), e cila ishte vetmja organizatë që vendosi të shndërrohej në Ushtri Çlirimtare të Kosovë (UÇK). Si i dërguar nga LPK, Thaçi punon për organizimin e grupeve të armatosura që zhvillonin veprimtarinë e tyre në Drenicë, të prirë nga Adem dhe Hamëz Jashari. Pikërisht nga këto grupe themelohet Shtabi i Zonës Operative të Drenicës, si pjesë e UÇK. Në 1997 merr pjesë në aksionet e kësaj force të armatosur së bashku me Adem Jasharin duke sulmuar stacionin policor të Drenasit, çka dënohet me 10 vjet burg në mungesë. Thaçi ishte drejtues politik i UÇK deri në 19 shtator 1999, kur ajo transformohet në Trupat e Mbrojtes së Kosovës (TMK). Në Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, në Rambuje të Francës 6 – 22 shkurt 1999, Thaçi ishte kryesues delegacioni dhe politikani që gëzonte mbështetjen më të madhe në vendin e tij. Përfundimi i konferencës së Parisit më 18 mars 1999 i hapi rrugë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s të drejtuar nga SHBA. Në mars 1999 ai u bë Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Me fillimin e punës së Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), si strukturë e përbashkët qeverisëse me misionin e OKB (UNMIK), ishte anëtar i këtij këshilli, janar 2000 deri në zgjedhjet parlamentare në 2001. Në kuvendin e parë të partisë së re në vitin 2000, zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), mandat që e rifitoi edhe në 2002 dhe 2005, ndërsa prej 2007 deri aktualisht është deputeti që fton numrin më të madh të votave. Pas fitores së PDK në zgjedhjet e përgjithshme të 2007, Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008, ndërsa më 17 shkurt 2008 e shpall Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë më 12 dhjetor 2011 fiton sërish PDK dhe Thaçi rizgjidhet kryeministër për mandatin 2011-2014. Në qeverinë aktuale, në bazë të një marrëveshjeje politike të inicuar nga SHBA dhe BE, Thaçi është Zv.kryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Kosovës ku vendi ka nënshkruar MSA me BE dhe përjetuar njohje ndërkombëtare nga shumica e vendeve të NATO-s dhe shtete të rëndësishme të Perëndimit.

2. Thaçi, kandidatura më përfaqësuese për President i Kosovës

kery thaciKur ka mbetur pak kohë nga zgjedhja e presidenti të ri të Kosovës, që me shumë gjasa është ajo e liderit të PDK dhe zëvendëskryeministrit aktual Hashim Thaçi, janë shtuar zërat që pikërisht për numrin një të shtetit mund të jenë edhe kandidatura të tjera, përfshi edhe ai i profesor Qosjes. Një mesazh i këtij pofesori, shpërndarë në disa media dhe portale të majta se e paskan propozuar për president, është mohuar kategorikisht nga lideri de fakto i “Vetvendosjes”Albin Kurti, por edhe nuk ka pasur ndonjë zë tjetër pranues nga blloku opozitar (“Nisma”dhe “AAK”). Në një prononcim që Albin Kurti ka dhënë për radiotelevizionin e Kosovës më 24 janar 2016 ka pohuar se “As Qosja as Jashari nuk janë kandidatë të opozitës për president”. Logjika e thjeshtë e pranon se kjo mund të jetë një dëshirë e vetë profesor Qoses që, në pamundësi për t’u propozuar në këtë post të lartë nga asnjë prej forcave politike në pozitë dhe opozitë, ka lajmëruar kandidimin e vetevetes, kur këtë gjë nuk ia kërkon askush dhe në statusin që pretendon si mandat i përjetshëm bëhet edhe më i pabesueshëm, pasi kërkohen më shumë vlera universale dhe jo thjesht njohje në fshatin e madh shqiptar. Madje brenda kësaj logjike është marrëzi edhe iniciativa e çuditshme e një asosacioni krijuesish në Prishtinë që e propozon si kandidaturë e Nobeli për Letërsi, kur dihet fare mirë se edhe dëshira e paqme ka rregulla rreptësisht të qarta se kush mund të jetë dhe kush jo konkures në këtë tempull të letërsisë. Natyrisht që Hashim Thaçi nuk është figura politike më e përkryer e Kosovës, si qënie njerëzore dhe si politikan ai mund të ketë dobësitë e veta, por është kryetar i një partie që vazhdon të votohet më shumë nga shqiptarët, personaliteti i luftës dhe i paqes, i orientuar nga blloku euroatlantist dhe protagonist që ka vënë emrin në disa evenimente thelbësore në shtetin më të ri në Europë.

3. Thaçi, përfaqësim dinjitoz i UÇK në Presidencë

haradinaj thaciPavarësisht se opozita po bën të gjitha përpjekjet për ta bllokuar sërish jetën parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka vendosur që ditën e premte të propozojë Hashim Thaçin si presidentin e ri të Republikës, vendim ky që u mor nga kryesia të mërkurën pasdite. Kandidatura e Thaçit, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm mbështetet nga koalicioni qeverisë, pra nga dy forcat Politike LDK dhe PDK, si dhe nga pakicat parlamentare. Natyrisht se kjo është një zgjedhje normale dhe përpara se të shkohet në kutitë e votimit, është dashur më parë të sigurohej një marrëveshje, në prani edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, që Kosova të ecë më shpejt në rrugën e saj drejt familjes europiane dhe pranimit në NATO. Duhet thënë se përfqësuesit perëndimorë janë sjellur në mënyrë të kujdesshme gjatë këtij procesi dhe madje kanë dënuar veprimet e dhunshme të opozitës, që ende nuk ka dalë me një alternativë më të mirë, madje ka shënuar edhe pak progres, megjithëse qeveris një kryeqendrën e Kosovës. Hashim Thaçi mendohet figura më përfaqësuese për banorët e Kosovës dhe në veçanti për dëshmorët dhe luftëtarët e UÇK, familjen martire Jashari dhe të gjithë kontribuesit e tjerë që përbëjnë një faqe të ndritur në historinë e kombit tonë. Madje, për hir të së vërtetës, kandidatura presidenciale e Hashim Thaçit përfaqëson edhe partitë e opozitës, pra “AAK” e “Nismës” që kanë dalë nga PDK, por që kanë gjithashtu kontribute në çlirimi e vendit. Procedurat kushtetuese për zgjedhjen e presidentit kërkojnë rreth 80 vota nga 120 deputetë që ka aktualisht parlamenti. Nëse dështohet në dy raundet e para, në rundin e tretë figura numër një e shtetit mund të zgjidhet me 61 vota. Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës nuk është thjesht një privilegj, por një përgjegjësi më shumë, çka Hashim Thaçi me përkushtimin e treguar, me mbështetjen e vendeve më të fuqishme perëndimore, do t’i çoj më tej arritjet e dr. Rrugovës, Sejdiut dhe Atifete Jahjagës

Share: