Home KRYESORE Të rinjtë duhet të shohin përfshirjen në politike si një fryme të...

Të rinjtë duhet të shohin përfshirjen në politike si një fryme të re drejt idealizmit

Nga Kreshnik Sokolaj

Ndoshta shumë prej nesh mendojnë se çfarë iu duhet të rinjve të merren me politikë kur kanë gjëra më interesante dhe më të larmishme për tu përfshirë: siç mund të jetë sporti, arti etj. Por a po merremi ne me politikën apo është politika ajo e cila në çdo rrethane e fushë merret me ne?!

Shumë të rinj nuk janë të interesuar më shumë përveçse çfarë u përket rrethit te tyre të ngushte, interesave të tyre dhe asgjë tjetër, duke harruar se ky rreth gjithnjë e më shumë në një të ardhme të afërt ngushtohet dhe mund ti zërë!

Duke qenë një shoqëri me mjaft problematika, si shoqëri tranzicioni, pabarazi në rrethanat më të afërta të të rinjve si: arsim, punësim etj. duhet që ne, ndryshe nga bashkëmoshatarët tanë nëpër botë, të mos rrime indiferente ndaj politikes. Ndoshta nëpër vende më të zhvilluara të rinjtë mund edhe të mos merren me politike, sepse politika nuk u shfaqet pas çdo çështje jetësore duke qenë se janë shoqëri më të konsoliduara.

Të rinjtë duhet të shohin përfshirjen në politike si një fryme të re drejt idealizmit dhe jo imitim i asaj çfarë shohin dhe e përballojnë çdo dite se pastaj ç`kuptim do të kishte termi “rini” në politikën tonë.

“Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë” (A.Einstein). Në qoftë se ne kemi zgjedhur të mos jemi në rolin e `djallit`, pse vazhdojmë të njëjtën rrjedhë duke mos reaguar apo përmirësuar aq sa mundemi?! Duhet ti japim një drejtim tjetër kësaj rrjedhe për të mirën tonë të përbashkët që politika ‘’të mos merret me ne’’, të mos përballemi me të në çdo padrejtësi që hasim vazhdimisht, por ne “të merremi me të” dhe ta kthejmë në instrument që i shërben secilit prej nesh.

“Me qëllim që të bëhen zotërinj, politikanët pozojnë si shërbëtorë” (Sharl de Gol)

Ne duhet të bëjmë më se miri dallimin “e reja – e vjetra” dhe të mos jemi pre e thënies së mësipërme. Shpeshherë ka ndodhur të shohim politikanë që për të arritur qëllimin e tyre për pushtet të pozojnë si shërbëtorë e pastaj shumë shpejt ta harrojnë dhe këtë. Me këtë nuk dua të them që ne nuk kemi politikanë ku të marrim shembull, por dua të theksoj që të rinjtë duhet të përballen me sfida dhe jo thjesht të jenë militante të partive që iu përkasin. Duhet të bëjmë që termi “politikë” të marrë kuptimin e mirëfilltë të saj, atë të politikave të mirëqeverisjes dhe jo atë të rrengjeve. Gjithashtu nuk duhet të miratojmë thënie të tilla si “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë” (N. Hrushov)

Të rinjtë janë thelbi i demokracisë sonë. Ishin ata që bënë një kthese në politikën tonë, por sërish nuk zënë në politikë apo vendim-marrje vendin që meritojnë. Në përfaqësohemi në politikë nga një numër mjaft i vogël dhe ndoshta kjo duke u vlerësuar nga politikanët aktuale se të rinjtë janë pa eksperiencë, por…

“Jeta është e shkurtër për ti mësuar të gjitha nga eksperienca jone, prandaj përfito e mëso edhe nga eksperienca e të tjerëve”.

PO, jemi ne të rinjtë që kemi forcën për të ndryshuar, e për tu thënë politikanëve që të mos mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por më tej tek brezi i ardhshëm, tek ne e ata që do vijnë të gjejnë një mjedis më idealist e plot besim. Detyra ime, detyra jonë dhe e të gjithë të rinjve është të bindim shoqërinë që në Shqipëri ka të rinj e të reja të cilët mund të bëjnë ndryshimin me punë, durim, vullnet e ide të reja dhe të mos lëmë thënien e Faik Konicës të jetë e vërtetë: “Nuk ka të rinj në Shqipëri, veçse disa kanë lindur me shpejt e disa më vonë”.

Patjetër të marrim pjesë në politikë e vendim-marrje duke qenë të përgjegjshëm, me rrënjë tek e kaluara dhe origjina jonë dhe duke u pasuruar me ide të reja me bazë ndërgjegjen, drejtësinë e idealizmin.

Share: