Nga Enver Bytyci
Kosova tashmë ka hyrë në muajin e votimit për kreun e shtetit, presidentin e Republikës. Marrëveshja PDK-LDK, e cila i mundësoi zotit Mustafa të bëhet kryeministër, i jep kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, të drejtën dhe mundësinë për t’u zgjedhur si president i Kosovës. Ajo që kishte ndodhur në vitin 2001, kur Ibrahim Rugova i dha PDK-së postin e kryeministrit dhe për vete mbajti atë të presidentit, po ndodh këtë vit, kur Hashim Thaçi i dha LDK-së kryeministrin në këmbim të postit presidencial. Deri këtu duket se kemi të bëjmë me përsëritjen e një skeme të pranuar para 15 vitesh në Prishtinë, por në të vërtetë gjërat nuk janë të njëjta, situata është krejt ndryshe, aktorët janë gjithashtu të ndryshëm dhe rezultatet e votimit të partive politike nuk janë gjithashtu ato që ishin më 2001 ose më 2004-n.
Kriteri themelor për t’u zgjedhur kryetar shteti është shkalla sa më e ulët e kontestimit. Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet politikani më i kontestuar nga pikëpamja e intensitetit dhe rreptësisë, por më pak i kontestuar nga ana ekstensive. Kjo sepse përkrahja e qytetarëve për Ibrahim Rugovën ishte së paku dy herë më e madhe sesa për Hashim Thaçin, ndërsa goditja që i jepnin grupet marksiste e majtiste me frymëzim enverist ishte e tipit stalinist e leninist, në thelb intensive, permanente, e papërmbajtur, e pamëshirshme, me shpifje, trillime dhe sajesa të shumta. Nga ana tjetër, Ibrahim Rugova kishte krijuar një traditë presidenciale në qeverisjen e tij paralele me pushtetin e dhunshëm serb në Kosovë e për këtë arsye, këmbëngulja e tij për ta mbajtur atë post pas çlirimit të Kosovës ishte e motivuar, pasi ai kishte gjithashtu përvojë në drejtimin e shtetit si president i Kosovës. Kurse Hashim Thaçi ka lakmuar gjithnjë postin e kreut të ekzekutivit dhe si natyrë nuk përshtatet në asnjë pikëpamje me kolltukun e presidentit.
Asokohe, Kosova ishte protektorat ndërkombëtar dhe presidenti kishte rol vendimtar në politikën e jashtme e diplomacinë e vendit, gjë për të cilën Ibrahim Rugova ishte i shartuar dhe unik në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan. Në vitin 2016, presidenti edhe në këtë fushë është violinë e dytë pas violinës së qeverisë. Ibrahim Rugova kishte integritet moral dhe politik të pakrahasueshëm me asnjë politikan tjetër shqiptar për të qenë presidenti i Kosovës, ndërkohë që zoti Thaçi është më integritet të cenuar, edhe nëse akuzat kundër tij të fiksuara në rezoluta të institucioneve ndërkombëtare të jenë të pavërteta. Nuk besoj në akuzat e ngritura kundër ish-liderit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse kam bindjen se këto akuza janë pjesë e politikës dhe diplomacisë propagandistike të Serbisë. Megjithatë do të ishte në integritetin e zotit Thaçi që derisa të marrë pafajësinë juridike të mos lakmojë postin e presidentit të vendit. Në fund të fundit, ai ka kohë për ta mbërritur këtë post.
Ndërkaq brenda vendit, integriteti i zotit Thaçi është i cenuar dhe për shkak të mbështetjes që ai u ka dhënë politikanëve të inkriminuar, siç është rasti i fundit i kryetarit të Komunës së Klinës ose të disa kryetarëve të tjerë komunash. Pra, zoti Thaçi është shumë më tepër partiak e klanor sesa ishte Ibrahim Rugova e për pasojë shumë më tepër përjashtues, sesa ai. Kjo e bën të pamundur nga pikëpamja morale zgjedhjen e tij si kryetar i shtetit. Të jesh kryetar shteti do të thotë të jesh simbol i unitetit kombëtar, aspak klanor, aspak oligark, aspak partiak. Fatkeqësisht në trojet shqiptare gjen shumë pak liderë të formatit përbashkues.
Nisur nga të gjitha këto sa thamë më lart, duhet shkuar drejt përfundimit se Kosovës i duhet një president mbipartiak, konsensual dhe përfaqësues i interesave të shumicës dërmuese të popullsisë në Kosovë. Një figurë përbashkuese është e do të ishte edhe një figurë me integritet. Presidentja aktuale, zonja Atifete Jahjaga, ka shfaqur ndonjë dobësi formale në postin që mban për shkak të mungesës së eksperiencës në politikë e në detyra shtetërore, por ajo në të shumtën e rasteve është pranuar si unifikuese e unitetit kombëtar në Kosovë dhe mu për këtë arsye asaj mund e ndoshta duhet t’i jepet një mundësi e një mandati të dytë, gjë që ia lejon gjithashtu Kushtetuta e vendit. Ndoshta mund të gjendet dhe ndonjë figurë tjetër që mund të luajë një rol të caktuar në unifikimin e faktorit politik dhe përfaqësimin e unitetit kombëtar si kryetar shteti. Por ky nuk mund të jetë zoti Thaçi, së paku për begraundin e derisotëm, aq më pak intelektualë të tipit Rexhep Qosja, të cilët kur u mbarojnë kundërshtarët fillojnë e grinden me veten.
Por, megjithatë, marrëveshja midis zotit Mustafa dhe zotit Thaçi është nënshkruar dhe në të qëndron e zezë në të bardhë se Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës në postin e presidentit të Republikës. De facto Isa Mustafa është zgjedhur të nënshkruajë marrëveshjen me zotin Thaçi për shkak të mungesës së integritetit moral e politik të tij në politikën kosovare. Nënshkrimi i asaj marrëveshjeje duket se ka për qëllim thjesht arritjen e qëllimit për t’u bërë kryeministër i Kosovës nga ana e zotit Mustafa, gjë të cilën e vërejnë me kthjelltësi një numër i madh deputetësh e funksionarësh të partisë së tij. Nga pikëpamja doktrinare, zoti Mustafa me këtë marrëveshje ka dëshmuar se filozofinë e Rugovës, në emër të të cilit ai thirret, e ka kthyer me kokë poshtë. Kjo sepse asgjë parimore nuk gjen në ujdinë e sotme, sipas së cilës “Unë të jap kryeministrin, ti më jep presidentin”!!!
Por marrëveshja është legale, pavarësisht motivit të nënshkrimit të saj, pasi që të dy grupet parlamentare në koalicionin qeverisës deri tani e kanë mbështetur atë marrëveshje në tërësinë e saj. Marrëveshja legjitimon zgjedhjen e zotit Thaçi nga pikëpamja formale në postin e kreut të shtetit të Kosovës. Megjithatë deputetët dhe anëtarësia e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë të obliguar ta mbështesin këtë proces. Shenjat janë dhënë gjithandej në degët e nëndegët e LDK-së, se ato nuk duan që kreu i PDK-së të jetë presidenti i Republikës. Ato i kanë bërë thirrje zotit Mustafa që të heqë dorë nga përpjekja e tij për plotësimin e marrëveshjes në fjalë. Megjithatë nuk duket se kreu i LDK-së do t’i bindet zërit të anëtarëve të partisë së tij. Por këto qëndrime të bazës së LDK-së do të shtojnë numrin e deputetëve të kësaj partie, të cilët do të kundërshtojnë vullnetin e kryetarit të tyre. Kjo do të thotë një çarje e re në LDK, sepse pas kësaj do të kemi një lëvizje për largimin e zotit Mustafa. Lëvizja në fjalë nuk do ta kursejë kreun aktual të LDK-së, sepse shihet qartë se politikat e tij kanë më shumë axhendë personale, sesa axhendë në dobi të Lidhjes Demokratike e të vetë Kosovës. Ajo do të jetë e pakompromis deri në largimin e kreut të partisë.
Unë mendoj se zoti Thaçi, pavarësisht këmbënguljes së tij dhe të partnerit në qeverisje, nuk do të mund të bëhet president i Republikës së Kosovës, nëse opozita nuk do të bëjë ndonjë kompromis për t’ia dhënë atij votën. Ai nuk do ta marrë këtë post për shumë arsye:
E para, se nëse zoti Thaçi bëhet president, kjo do të shfrytëzohet nga forcat kundër-qeveritare dhe kundër zotit Mustafa të opozitës për t’u hedhur në veprime reaguese më të ashpra sesa ato që kemi parë muajt e shkuar. Shkurt kjo zgjedhje do të krijojë mundësinë e destabilizimit të Kosovës dhe për këtë as vetë zoti Thaçi nuk është e nuk duhet të jetë i interesuar.
Së dyti, zoti Isa Mustafa në rastin e zgjedhjes së zotit Thaçi nuk do të mbijetonte si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Anëtarët e kësaj partie do të rebelohen dhe në këtë mënyrë, atij do t’i hiqet dhe posti i kryeministrit. Nëse pranojmë se zoti Mustafa ia dha zotit Thaçi fjalën për t’u zgjedhur president për shkak të ambicies së tij për të qenë kryeministër, atëherë shkojmë te formula se kjo nuk e ndihmon zotin Mustafa, përkundrazi e nxjerr atë jashtë institucioneve të shtetit e radhëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këtë dilemë e sheh dhe e vuan kryeministri aktual i Kosovës. Tashmë ai përpjekjen e tij për ta zgjedhur Thaçin president të vendit e sheh si kurth e bumerang kundër vetes.
Së treti, komuniteti ndërkombëtar, miqtë e Kosovës, sidomos në kushtet aktuale të konfliktit politik, kanë interes të veçantë në gjetjen e një figure konsensuale dhe me integritet moral e politik të pakontestuar për ta vënë në krye të shtetit. Nëse nuk gjendet dikush tjetër i konfirmuar në këto cilësi, atëherë komuniteti ndërkombëtar ka interes të theksuar që zonja Atifete Jahjaga të mbetet edhe në mandatin e dytë në detyrën e lartë të kryetares së Shtetit të Kosovës.
E vërteta është së prezenca e saj si presidente e ka ndihmuar Kosovën në përmirësimin e imazhit të vendit, edhe pse makinacionet politike të Thaçit, Mustafës, Kurtit e të tjerëve e kanë sjellë Kosovën në ditën më të keqe të saj pas pavarësisë sa i përket performancës së saj para partnerëve ndërkombëtarë.