Home KRYESORE TRUTHARI ME KOLLARE

TRUTHARI ME KOLLARE

Nga Alfons Cupaj

Jam i sigurtë që edhe ti, njeh personalisht të paktën një person, i cili pa asnjë kontribut në shoqëri, pa shkollim ose me shkollim minimal, pa punuar as edhe një ditë të vetme në jetë, pa fituar kurrë qofte edhe një konkurs poezie në shkollë, që nuk ka lexuar kurrë një libër apo që nuk ka qënë kurrë në teatër apo kinema, që ka probleme në shkrim dhe lexim, papritmas, një ditë të bukur, emërohet drejtor në një institucion të rëndësishëm shtetëror.

Zotërinë që ishe mësuar t’a shihje tek dilte fytyrëngrysur nga “lotoja e lagjes”, pasi kishte lënë gjithë lekët, apo në cepin e rrugës duke ngrënë fara dhe duke u fishkëllyer vajzave që kalojnë aty pranë, tashmë ky parazit drejton punët e qytetit tënd. Edhe pse ka kaluar shumë kohë në atë pozicion, vazhdon të jetë i njëjti, ka ndryshuar vetëm veshja e tij, tashmë mban kollare dhe kostum.

Si zyrtar që është ai nuk shkon më tek “lotoja e lagjës”. Tashmë, çdo mbrëmje ai hyn vjedhurazi në kazinotë e qytetit, por ndryshe nga më parë, tani harxhon lekët e mija dhe të tuat. Sigurisht, kollaren nuk e heq për asnjë moment, pavarësisht figurës groteske që transmeton. Është po i njëjti, fodull, matuf, i palexuar e trutharë, por ndryshe nga koha kur ky fodull ishte i dëmshëm vetëm për veten dhe familjen e tij, tani është shkatrrimtar për gjithë shoqërinë.

Veset e liga janë si nishanet. Ato ngelen gjithmonë.

Karrigia e rehatshme e zyrtarit dhe kostumi i shtrenjtë ‘armani’ në trupin e një truthari që herë pas herë fut gishtin në hunde, duke ngrënë në mënyrë tinzarë ato çfarë nxjerr, do ishin skenari perfekt për një komedi, por kurrësesi modeli i një shoqërie demokratike dhe të zhvilluar.

Si ky palaço me pushtet ka shumë në këtë vend. Ky trutharë, që tashmë mendon se është një intelektual, i bindur që ka të drejtë në atë që bën dhe ato që thotë, gradualisht do jetë pjesë e elitës kryesore të këtij vendi.

Share: