Home KRYESORE Argita Berisha reagon për çështjen me Taulant Ballën

Argita Berisha reagon për çështjen me Taulant Ballën

Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjen gjyqësore mes socialistit Taulant Balla, që akuzohej për shpifje, dhe vajzës së ish-kryeministrit Berisha, Argita Berisha, kjo e fundit ka reaguar mbrëmjen e së enjtes – ditë gjatë së cilës edhe u mor vendimi për pafajësinë e Ballës. Argita Berisha e ka quajtur këtë vendim si të paprecedentë dhe të bazuar mbi një akt falsifikimi.

Sipas Maltezit, seanca ishte vendosur të zhvillohej në orën 12:50 të kësaj të enjteje, por në fakt seanca është zhvilluar dy orë më herët nga sa ishte parashikuar, për të shpallur vendimin në favor të Taulant Ballës, në një seancë ku vet Argita Berisha ishte e papërfaqësuar. Këtë çështje, vajza e ish-kryeministrit thekson se do ta ndjekë ligjërisht në mënyrën më rigoroze, edhe ndaj kolegjit gjyqësor, që i mban përgjegjës për këtë shkelje ligjore.

Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke shpallur të pafajshëm deputetin e Partisë Socialiste, Taulant Balla, i paditur nga vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha për shpifje. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist u padit nga Argita Berisha menjëherë pas deklaratave të tij publike, ku akuzonte vajzën e ish-kryeministrit dhe zyrën e saj ligjore se i kishte kërkuar 3 përqind të vlerës së investimit si tarifë suksesi biznesmenit Zafar Ansar. Në procesin e gjykuar në Shkallën e Parë, gjykata i dha të drejtë Argita Berishës, por deputeti Balla e cilësoi si të padrejtë vendimin dhe e apeloi atë. Akuzat e Ballës u konfirmuan në atë kohë edhe nga vetë biznesmeni Ansar.

Ja reagimi i plotë i Argita Berishës ndaj deklaratës për shtyp të PS-së.

Që kur ka nisur shqyrtimi në Apel i ankesës së Ballës, para gati dy vitesh, janë zhvilluar një maratonë prej 18 seancash, 14 prej të cilave janë shtyrë me kërkesa krejtësisht të pathemelta të Ballës. Kjo ndodhi edhe seancën e kaluar, në të cilën Taulant Balla kërkoi shtyrje; trupi gjykues iu bind kërkesës dhe caktoi seancën e radhës më 10 mars, në orën 12:50.

Sot, në mënyrë krejt të papritur, trupi gjykues u mblodh në orën 10:50 dhe shpalli vendimin. Unë nuk isha e përfaqësuar, pasi njoftimi në sallën e gjyqit ishte dhënë për në orën 12:50.

Për të justifikuar zhvillimin e seancës dy orë më herët se njoftimi, gjyqtari relator Zamir Poda ka futur në dosje një procesverbal me orar të ndryshuar, por ky falsifikim provohet nga sistemi i regjistrimit audio të seancës. Gjyqtari Poda dhe sekretarja pohojnë në mënyrë të përsëritur në këtë regjistrim audio, orarin e seancës së sotme në orën 12:50. Në sfondin audio dëgjohet Taulant Balla që bie dakord me orarin 12:50.

Në seancën e sotme, me orar të manipuluar në 10:50, ka qenë i pranishëm vetëm Taulant Balla.

Balla ka arsye të shqetësohet për shpifjet dhe të bëjë zhurmë për të mbuluar falsifikimet, por e ftoj që të ruajë qetësinë dhe avokati i tij t’i shpjegojë se nuk ka gjykatë që mund ta konsiderojë të vlefshëm vendimin e dhënë sot nga Apeli. Sikundër garantoj që shkeljet e kolegjit gjyqësor do t’i ndjek ligjërisht, në mënyrën më rigoroze.

Share: