Home KRYESORE Artur Shopenhaur, pse është kaq i ashpër në sentencat e tij për...

Artur Shopenhaur, pse është kaq i ashpër në sentencat e tij për gratë?

Nga Albert Vataj

Në qoftë se bota ka lindur nga një trill i Zotit, atëherë gruaja është qenia, tek e cila krijuesi më i lartë ka dashur të paraqesë sa më mirë anën e paparashikueshme të natyrës së saj misterioze.

Që nga kohët e lashta marrëdhëniet ndërmjet filozofëve dhe grave kanë qenë karakterizuar nga një martesë e pabarabartë, e pandreqshme. Duke vështruar historinë e mendimit filozofik në këtë perspektivë, të krijohet aty për aty përshtypja, se filozofia gjithmonë ka qenë e do të jetë një çështje vetëm e meshkujve.

Marrëdhëniet e vështira me figurën amnore janë, me sa duket, në zanafillë të urrejtjes së grave dhe të përfytyrimit të pambrojtshëm, gati grotesk të gruas që Shopenhaur mëton.

“E marrin martesën vetëm si institute asistence. Kur im atë, i mjerë e i sëmurë përfundoi i paralizuar në karrige, do të qe braktisur fare sikur për të nuk do të ishte kujdesur me dashuri një shërbëtore plakë. Zonja e madhe, nëna ime, jepte pritje, kur ai po shuhej në vetmi, ajo dëfrente kur ai vuante si mos më keq. Ja kjo është dashuria e grave”, do të kushtonte shpirti i drobitur i filozofit.

Për tu mbrojtur nga të ftohtit e dimrit, disa iriq shtrëngohen fort pas njëri-tjetrit që të ngroheshin. Mirëpo kur e bënin këtë shpohen nga gjembat e tyre, prandaj largoheshin, e njëjta gjë ndodh edhe me qëniet njerëzore.

Në njërën gjysmë të jetës së tyre burrat janë kurvarë, ndërsa gjysmën tjetër atyre u vënë brirë, për rrjedhojë, gratë ndahen në të tradhtuara dhe tradhtare.

Të martohesh dhe ky akt të jetë i suksesshëm, kishte pohuar Shopenhaur, do të thotë të fusësh dorën në një thes, me sy të mbyllur dhe të shpresosh të nxjerrësh që andej ngjalën e vetme mes atij grumbulli gjarpërinjsh. Veç kësaj edhe kur shkon mirë martesa, ti përgjysmon të drejtat tuaja, e dyfishon detyrimet.

Për gratë se kam thënë ende fjalën time të fundit, besoj se gruaja kur arrin të shkëputet nga shumica, ose më mirë kur ngihet mbi të, zhvillohet pa ndërprerje më shumë se burri, për të cilin mosha shënon një kufi, ndërsa gruaja rritet gjithnjë e më shumë.

Ja sepse sentence, në vend të përshkrimeve asnjanëse, kthehen më shumë një serë këshillash për ti hapur sytë seksit mashkullor nga gracka fatale dhe konflikti rraskapitës që në mënyrë të pashmangshme fshihen në marrëdhënie me gratë.
Është në natyrën e grave që ata ta shohim çdo gjë vetëm si një mjet për të shtënë në dorë mashkullin dhe interesi i tyre për diçka tjetër është gjithmonë vetëm shtirje, një dredhi fund e krye, pra ai kthehet në ojna e majmunëri.

Prandaj natyra i ka dhënë gruas, ashtu si çdo krijese tjetër, ca armë e ca mjete që i duhen për mbrojtjen e ekzistencës së vet dhe për të gjithë periudhën kur ajo ka nevojë, edhe në këtë rast ajo ka parashikuar gjithçka me nikoqirllëkun e saj të zakontë.

Me gratë natyra ka kryer një goditje mjeshtërore: ka bashkuar në to, një kohë të caktuar të rinisë, të gjithë bukuritë dhe yshtjet për të tërhequr fort vështrimet e përhumbur të burrave, për ti shtyrë ato në tundim, ua mpin çdo mendim dhe i çon në rrënim.

Sa më shumë një gjë është fisnike dhe e përsosur, aq më me vonesë dhe më ngadalë arrin pjekuria. Mashkulli me vështirësi arrin pjekurinë e arsyes dhe të forcës së intelektit para se të bëhet 28 vjeç, ndërsa gruaja që në moshën 18-vjeçare, por arsyeja e saj, pikërisht për këtë është mjaft e kufizuar. Prandaj gratë mbeten fëmijë për tërë jetën, shohin gjithmonë dhe vetëm çfarë është më afër, mbeten të lidhura me të tashmen, ngatërrojnë paraqitjen e gjërave me thelbin e tyre dhe parapëlqejnë çikërrimat ndaj çështjeve më të rëndësishme.

Bukuria e djemve me atë të vajzave është si piktura në vaj e krahasuar me atë në pastel.

Gruaja njësohet më shumë me të tashmen, prandaj di ta gëzojë atë më mirë, mjafton të jetë e durueshme; nga kjo kushtëzohet ajo qetësi karakteristike e gruas që e bën atë të përshtatshme për ti dhuruar orë të këndshme çlodhjeje burrit, të mbytur në telashe.

Gruaja e shlyen fajin e jetës jo duke vepruar, por duke vuajtur dhëmbiet e lindjes, me përkujdesjen për fëmijët, me nënshtrimin ndaj burrit, për të cilin duhet të jetë një shoqe e durueshme dhe e qetë.

Në fshehtësinë e zemrës së tyre, vajzat i quajnë punët shtëpiake ose profesionale, diçka të dorës së dytë, mbase edhe një zbavitje të thjeshtë, ata mendojnë se i vetmi profesion i tyre serioz është dashuria dhe gjithçka ka lidhje me të, që tek veshja, flokët, zbukurimi, surprizat, dhurata, aventurat, etj.
Padyshim që gratë janë më prozaike se burrat prandaj tek gjërat nuk shohin më shumë se çfarë ndodh në to realisht, ndërsa burri, nëse pasionet e tij janë të trazuara, është i prirura t’i zmadhojë gjërat reale, ose ti shtojë element imagjinarë.

Gratë duke qenë më të dobëta janë të detyruara nga natyra të mos përdorin forcën, por dinakërinë, që këtej rrjedh dinakëria e tyre instinktive dhe prirja e papërmbajtur për të gënjyer. Si sepia, gruaja mbështillet në maskim dhe noton në rehati brenda gënjeshtrës.

Është e pamundur të takosh një grua me të vërtetë të sinqertë, e cila të mos shtiret. po për të njëjtën arsye, gratë zbulojnë pa vështirësi hipokrizinë e të tjerëve dhe për këtë nuk është e këshillueshme që ne të përpiqemi ta përdorim me to.

Të gjithë gratë, me përjashtime të rralla, janë të prirura për të qenë dorëlëshuara. Prandaj çdo pasuri, veç rasteve kur e kanë vënë vetë, duhet të ruhet mirë nga budallallëku i tyre.

Askush nuk do të shkruante kurrë një Iliadë po të kishte pasur për nënë një bibë dhe për baba një gjumash, madje as në rastin kur ai do të studionte në shtatë universitete.

albert VatajDuke dashuruar ju besoni se ushtroni kultin e bukurisë dhe se futeni në një ujdi qiellore. Mos u dehni nga fjalët, jo, ju do të zgjidhni pa e kuptuar një problem të harmonisë fiziologjike.

Është një iluzion i epshit për të gënjyer burrin, duke e bërë të besojë se do të gjejë në krahët e një gruaje mrekullinë…

Share: