Home KRYESORE Basha “zhvesh” Edi Ramen nga mistifikimi i te qenit i pelqyer nga...

Basha “zhvesh” Edi Ramen nga mistifikimi i te qenit i pelqyer nga USA dhe Merkel

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha mbrëmë në studion e “Tonight Ilva Tare”, se kryeministri Edi Rama gjatë vizitës që do të zhvillojë në Uashington, do të marrë të gjitha mesazhet dhe shqetësimet që janë përcjellë edhe nga ambasadori amerikan Donald Lu.

Gjatë emisionit, Basha foli për regjim oligarkik, duke çuar në pyetjen shpotitëse të gazetares Tare, se nëse ishte i tillë atëherë pse Rama është ftuar më 14 prill në Shtëpinë e Bardhë.

“Ka dy çështje: E para; rekordi i Edi Ramës në këto 2 vite e gjysmë si kryeministër është që ka abuzuar në mënyrën më të turpshme me vizitat dhe fotografitë me liderët botërorë dhe kjo për fat të keq nuk ka damkosur dhe dënuar vetëm Edi Ramën por dhe Shqipërinë. Mjafton të kujtojmë furtunën që ngriti për marrëdhënien e tij ekstra të privilegjuar personale me Angela Merkel dhe të shikojmë se nga procesi i Berlinit është Vuçiç ai që përfiton miliarda, është Vuçiç ai që përfiton koncesione politike dhe Shqipëria ka mbetur në vend-numëro. Propaganda mbetet në vend. Pyetja është pse nuk është ftuar Kryeministri shqiptar kur u ftua Vuçiç…, Gruevski, Jahjaga? Është çështje dënimi”, -tha Basha.

I pyetur nëse kryeministri e kishte shlyer dënimin, Basha u përgjigj: “Jo nuk besoj. Nëse ju besoni se Edi Rama do të shkojë në Uashington për të marrë bekimin për regjimin oligarkik që po ndërton në Shqipëri besoj që jeni fare e qartë se kjo nuk mund të ndodhë. Në Uashington ai do të marrë të gjitha mesazhet dhe shqetësimet që i ka marrë dhe këtu nga Donald Lu, që dëgjova unë në takimet e mia në Uashington në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit, në Senatin amerikan, në Kongres. Dhe këto janë mesazhet që, citoj: Është e papranueshme që personat që duhet të jenë prapa hekurave janë sot në parlament dhe bëjnë sot ligjin në institucionet shqiptare, në doganat shqiptare, në polici. Al Kapon-et, është një term që u përdor këtu. Nuk më pëlqen të citoj këtu, ka folur dhe më ashpër, ka përmendur Shullazin me emër. Po kështu DASH, PE, OSBE-ODIHR ka folur qartë për vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri në 2015 dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një mesazh, një garanci e angazhimit amerikan që unë sjell sot në mënyrë transparente para qytetarëve. Kjo këngë Edi Ramës do t’i këndohet fare qartë dhe pa asnjë ekuivokë. Do japë efekt apo jo, është çështje tjetër… Së treti, Reforma në Drejtësi. Këto zgjedhje nuk kapen dhe prishen vetëm me kriminelë, kapen dhe prishen dhe me paratë e korrupsionit nga të cilat vetëm vitin e kaluar sipas institucioneve shqiptare, Ministrisë së Financës nga njëra anë dhe KLSH-së nga ana tjetër janë abuzuar, zhdukur dhe vjedhur 1.2 miliardë euro apo 400 euro për kokë. Para që kanë përfunduar në xhepat e oligarkëve shqiptarë, ndërkohë që shqiptarët kanë marrë arratinë…”, tha Basha.

Gjatë emisionit, Basha foli për shumëçka, ndërsa nënvizoi se, “beteja e sotme është për t’i kthyer Shqipërinë, shqiptarëve”.

Sa u përket zgjedhjeve të ardhshme, Basha tha se SHBA ka vendosur vijën e kuqe se vjedhja e votës nuk do të tolerohet më.

“…Tema numër një në Uashington ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sikurse ishte temë bisede me sekretarin Kerry. Dhe njësoj, dua t’ju njoftoj ju që unë vij, jo thjesht me optimizëm, por një vijë e kuqe e Shteteve të Bashkuara në Ballkan: Nuk do të tolerohet vjedhja e votës. Do të bëhet gjithçka për të krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, – tha kreu i PD-së.

Basha u pyet edhe për rolin e Berishës në PD duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë dualizëm. Por a do të jetë sërish Berisha në listën e deputetëve pas zgjedhjeve të 2017-ës. Basha nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai theksoi se do të jetë një listë përfaqësuese.

“Do të jetë një listë përfaqësuese dhe tani nuk është momenti për të diskutuar, por secili e kupton se çfarë do të thotë një listë përfaqësuese. Legjitimimi i këtyre listave do të bëhet në mënyrën më demokratike nga forumet e partisë dhe nga aleatët”, – tha ai.

Share: