Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një intervistë për televizionin kosovar RTK ku ka folur edhe për ish-aleatin e tij në qeverinë e mëparshme, Ilir Metën.
Ai ka thënë se nuk është e natyrshme që partitë e djathta të bëjnë koalicion me ato të majta, si LSI, mirëpo Berisha, duke përjashtuar hyrjen në zgjedhje me një koalicion me LSI-në, nuk ka përjashtuar koalicionin paszgjedhor kur e kërkojnë numrat.
“Nuk besoj se PD do të shkojë dhe nuk shkon, jam i sigurt, në zgjedhje në koalicion me këto forca politike, por pas zgjedhjeve PD edhe mund të jetë e detyruar nga rezultati”, tha Berisha.
Berisha ka zbuluar se në vitin 1996 ka patur një fërkim me Ibrahim Rugovën, të cilin e cilëson si gjeniun e dytë shqiptar pas Skënderbeut.
Ai i kishte kërkuar Rugovës që të merrnin bashkë masa të ashpra ndaj regjimit të Milosheviçit, por Rugova ishte për zgjidhje paqësore.