Nga Ilir Levonja
Qysh në krye Bruno, po ta them se…, jo që nuk ma bëre mishin kokrra-kokrra. Por më përmbyse stomakun. Ky show politik i artistëve. Apo intelektualëve është vraja kombëtare e jona.
Sidomos kur e bëjnë me urra. Lëre Frojdin se vetëm botës mesjetare shqiptare nuk i shkon. Frojdi i përket një soji shoqërie që nuk e di çfarë është uria. Arratia, apo lufta e klasave. Çfarë është mendësia e një qytetari të mirënjohur kur thotë që më bëri nder, u tregua burrë me mua, më dha lekët… Frojdi mund të jetë mbret i subkoishencës. Por jo i kompromisit me shitje e blerje. As i showt sukses të natyrës demostrative. Si ai i anëtarësimit tënd. Për të shpëtuar paratë Zherar Depardjeu ia bëri në kokë pasaportës franceze.Kurse ti për të përfituar ato, ia bëre në kokë kalavarit të sojit tënd. Mirë që të vdekurit nuk ngrihen nga varret. I ndjeri Shllak i madh, Gjoni. Kushedi sa po i përpjek kockat. Jo se ti u bëre socialist. Asesi, por për prroçkat që thua. Mbi sukseset e ekonomisë, oratorinë dhe Nolin me shokë.
Larg qoftë, mu kujtua i ndjeri Tonin Tërshana. Ia dhanë çelsat e shtëpisë. Sa për ta vdekur. Nderi i skenës, i kurbetit, i mizerjes së politikës vëllavrasëse shqiptare.
Tani dy fjalë për vetvrasjen tonë.
Kjo puna e…, të më bërit mirë mua…, është provincializmi më arkaik i kohës tonë. Pasi vendi i tërë nuk është mu-ja. Nuk e di se si ke futur në shtëpi ato para. Kur përditë webet shqiptare luten, kërkojnë, publikojnë …, raste me tumore, transplante, sëmundje të rralla. Duket se një shoqëri e tërë përpiqet të ndreqet përmes vetvetes. Edhe pse ka mbi krye një shtet. Edhe pse ka dhe trumbeton në sheshe plot banderola, flamuj dhe surretër me projekte mbi prosperitetin dhe begatinë. Eshtë një teatër i gjallë. Ndiqe, bëhu ndonjëherë spektator se ia vlen. Për hirë të profesionit. Një shoqëri e tërë që beson, edhe pse lekët shkojnë tek ty. Apo edhe tek ata që këndojnë e recitojnë përshembull Ali Asllanin. Plakut ia bën në kokë me gjallje. Megjithatë soj i zhurmës dhe i kasetave merr paratë. Puth në ball udhëheqësin. Flet për burrni. Oratori e ideale. Flet për mu-e. Më bëri mirë mu-e.
Shqiptarëve u shkoi jeta me më bërë mirë mua. Jo vendit. Jo atyre të gjithëve.
Ti t’i gëzosh sukseset e Edi Ramës. Tratativat për një këst tjetër borxhi dhe me mbikqyrjet e përditshme nga FMN-ja. Pudra që u hedh vrragave të qyteteve shqiptare. Ti e di mirë efektin e grimit, ndofta merr edhe ca përqindje tek paga për pasojat e pudrës.
Mendësia më bëri nder mua, është vetvrasje, Bruno. Dhe një shembull i keq i imitimit të kapriçove të artistëve me emër nga bota.