Home KRYESORE Eksodi biblik i shqiptarëve si një skenar ogurzi i mirëmenduar

Eksodi biblik i shqiptarëve si një skenar ogurzi i mirëmenduar

Nga Nikollaq Neranxi

66 mijë të ikur nga Shqiperia vetëm në vitin 2015 dhe këto të regjistruar nga vendet e BE-së, pa llogaritur të ikurit në të tjera vende.

Të dhënat e Eurostat bëjnë me dije se numri i azilkërkuesve nga Shqipëria u rrit me 439% në krahasim me një vit më parë. Të ikurit janë kryesisht të rinj, pjesa më e mirë e shoqërisë tonë të cilët nuk shohin asnjë dritë jeshile në vendlindjen e tyre.

Kjo është një nga dramat më të mëdha që mund t’i ndodhë një shteti dhe kombi, sepse është prova më kokëfortë se politikat e gabuara, po përzënë njerëzit të cilëve iu premtua një jetë më e mirë në këmbim të votës.

A ka hipokrizi më të madhe sesa të dëgjosh që po pranohen muxhahedinë e sirianë, ndërkohë që po përzë popullin tënd?! Nëse shumëkush mund ta shohë këtë si dështim të qeverisë, unë shoh diçka krejt tjetër.

Ky është një skenar i mirëmenduar për të përzënë ata individë “bezdisës” që të kërkojnë llogari për çdo gjë. Ata kërkojnë politika sociale për një jetë më të mirë, ata kundërshtojnë taksat e larta, shërbimet shendetesore skandaloze, pagat e ulëta, çmimet e larta, janë aq të “pafytyrë” sa kërkojnë pronat e tyre, kërkojnë të mbrojnë parqet e tyre, kërkojnë çdo të drejtë që iu takon, sepse iu është thënë se jetojnë në një vend demokratik.

Ndaj duhet t’ju nxihet jeta me çdo kusht që të ikin e të na lënë të qetë dhe në vend të tyre të sjellim njerëz të dëshpëruar që kanë kërkesa minimale, ata thjesht duan pak siguri sepse ikin nga lufta dhe konfliktet e forta në vendet e tyre.

Por realiteti shqiptar tregon se lufta nuk qenka asgjë para mendjeve diabolike që vrasin më shumë se plumbat e shkatërrojnë më shumë se fatkeqësitë natyrore. Nikollaq Neranxi

Share: