Nga Luan Kurti
Krimi në Shqipëri ka marrë përmasa të frikshme. Vrasjet janë bërë gjëja më normale. Me to hapen dhe mbyllen emisionet e lajmeve në televizione dhe faqet e para të gazetave.
Vdekja na serviret në pjatë argjendi me përkushtim, njëlloj si ushqimi i përditshëm. Aq sa s’është çudi sikur një ditë të vetme të qëlloj të mos kemi ngjarje të tilla, do ngremë supet dhe do pyesim: “Ç’ka ngjarë? Diçka s’është në rregull sot!… Vendi është kthyer në një varrezë të frikshme dhe ne të mbijetuarit kalojmë mes kufomave pa kokçarje, me bindjen dhe shpresën se kjo nuk ka për të na ndodhur neve.
Duket se fati na ka rrasur në dorë shkopinjtë dhe atij që i bie më i shkurtri, është kurbani i radhës. Vdekja është e sigurtë, dhe ajo që ka rëndësi është mënyra e ekzekutimit, me pistoletë apo kallash mu në mes të sheshit, në sy të qytetarëve, të cilët përfitojnë nje show falas; me levë pas koke në errësirë në ndonjë rrugicë të fshehtë te lagjes, apo me ndonjë kallëp tritoli në derë të shtëpisë?
Natyrisht kjo është në dorë të përmbaruesit të krimit dhe viktima është i përjashtuar nga ky proces. Mbase do të ishte një risi sikur të pyetej ky i fundit dhe t’i kurseheshin ca vuajtje, madje t’i jepej kohë sa të gjente lekët, vendin e varrimit dhe të sistemonte ca halle dhe punë të pakryera. Kjo do quhej emancipim dhe shprehje civilizimi i shoqërisë tonë.