Nga Mentor Kikia
Shtetet e Bashkuara janë shumë të rreptë në dhënien e vizave. Kur shtetasit e zakonshëm shqiptarë marrin një vizë amerikane, edhe për një vizitë dyjavore, ata shpërndajë llokume tek fqinjët. Zyra konsullore refuzon më së shumti dy kategori personash; Ata që mendojnë se mund të mos kthehen më në vendin e tyre, pra mund të qëndojë si klandestinë atje, dhe ata që konsiderohen të rrezikshëm për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Pas 11 Shtatorit kategoria e dytë u shtua shumë dhe filtri për çështjet e sigurisë u bë shumë herë më i imët. Mes atyre që refuzohen mund të jenë edhe persona të lidhur me krimin, por që në vendin e tyre ia kanë dalë të mos përballen me ligjin.
Ambasada nuk të jep asnjë shpjegim kur ta refuzon vizën. Thjeshtë të thotë se ti nuk mund të vish në Shtetet e Bashkuara dhe kaq. Por të mërkurën ambasadori Donal Lu bëri një veprim të paprecedent për një amdasador. Ai shpërndau publikisht një video, përmes të cilës njoftonte se ambasada do të refuzonte dhe anullonte vizat e dhëna për të gjithë gjyqtarët e korruptuar.
Më pas media njoftoi se kishte mësuar, se njeri ndër të anuluarit ishte edhe gjykatësi simbol i akuzave për korrupsion, Gjin Gjoni. Ambasada mund të refuzonte këdo nga gjykatësit, politikanët, prokurorët, biznesmenët(siç ka bërë edhe deri tani xhanëm, pa e mësuar askush) dhe nuk ishte e detyruar të jepte shpjegime përse e bëri këtë.
Ambasadori Lu mund të kishte zgjedhur të deklaronte edhe se “Shtetet e Bashkuara refuzojnë ti japin vizë çdo shqiptari që ka qenë, ka tentuar apo edhe ka menduar të shkojë të luftojë krah xhihadistëve të ISIS”- dhe do të ishte i “mirëkuptuar” nga të gjithë, sepse ai mbron interesat dhe sigurinë e vendit të tij.
Por ambasadori Lu zgjodhi të refuzojnë publikisht gjykatësit e korruptuar. Me atë akt ai ka shënuar një shkallë superiore të aksionit të tij diplomatik(në fakt aspak diplomatik) kundër korrupsionit në Shqipëri, e veçanërisht në gjyqësor. Ai nuk është mjaftuar me anulimin apo refuzimin e vizës, por tashmë po i njofton publikisht shqiptarët se këta persona nuk janë të dëshiruar në Shtetet e Bashkuara, jo sepse janë të rrezikshëm për këtë vend, as se mund të qëndojnë atej për të kërkuar punë në të zezë, por sepse janë të zinj për vendin dhe popullin e tyre.
Ambasadori Lu ka qenë deri tani më i rreptë se askush tjetër në Tiranë ndaj korrupsionit dhe ka marrë në patronazh mbikqyrjen dhe lobimin e hartimit dhe miratimit të paketës ligjore për reformën në drejtësi. Ai i detyroi gjykatësit që, ndërsa u mblodhën në Tiranë për konferencën gjyqësore, të fshehin nëpër skuta lagjesh supermakinat, me të cilat garojnë mes tyre sa herë bëhen të gjithë bashkë. Ai i detyroi ata të fusin dorën thellë në xhep, për të fshehur orët e tyre të shtrenjta.
Asnjë shoqëri nuk është imune ndaj korrupsionit, por ambasadori Lu vjen nga një vend ku, të paktën, drejtësia është e shenjtë. Ai po shërben për vendin e tij në një vend ku drejtësia është bërë mall që tashmë po shitet edhe me çmime reference. Pasojë e këtij korrupsioni është sot edhe numri i madh i personave të inkriminuar që janë në parlament dhe hallka të tjera të pushtetit. Pasojë e këtij korrupsioni është sot edhe korruptimi deri në palcë i vetë politikës dhe sistemit të demokracisë, ku vota është bërë gjithashtu mall e shkëmbehet sa me para, sa me vende pune e favore të tjera.
Padyshim që refuzimi i vizës nga ambasada e SHBA nuk është një vendim gjykate, që aforve të inkriminon, por është po kaq i fortë sa edhe një vendim gjykate. Më e pakta, qytetarët shqiptarë duhet të refuzojnë të gjykohen nga këta gjykatës. Duhet të kërkojnë dorëheqjen nga çështjet e tyre, vëtëm sepse ata janë të korruptuar.
Ndaj refuzimi publik i vizës për gjykatësit e korruptuar është shumë më shumë se një refuzim personal për ata njerëz. Eshtë refuzim për një sistem të tërë, të kalbur deri në palcë, është refuzim për vetë shtetin, politikën, për ata që i kanë emëruar këta gjykatës.
Ndërsa deklarimi publik i refuzimit është një veprim, padyshim, historik i një ambasadori amerikan. Dhe po nën të njëjtën frymë, edhe vendet e BE-së duhet të ndalojnë futjen në territorin e tyre të këtyre personave. Ndërsa nuk futen në burg, këta njerëz duhet të mbyllen në karantinë, pikërisht në vendin e tyre, për shkatërrimin e të cilit kanë kaq shumë kontribut.