Home KRYESORE Halli i Zyles dhe Vulturizmi politik në vend te solidaritetit.

Halli i Zyles dhe Vulturizmi politik në vend te solidaritetit.

Nga Dritan Shano

Që të ndodhë shkëmbimi i një produkti me para, në ekonomi duhet të përmbushen një numër rrethanash dhe proçesesh të cilat kornizohen edhe si miksi i marketingut. Proçesi i prodhimit të produktit është gjëja e parë. Gjetja e vendit të shitjes së produktit është e dyta. Vendosja e çmimit të produktit është e treta, dhe promocioni i produktit që blerësit ta dinë që ka një produkt, që shitet në aksh vend me aksh çmim është proçesi i katërt. Këto (për shkak të anglishtes) janë 4 P-të e marketingut – product, place, price, promotion. Vetëm specializimi në njerën nga proçeset dhe bashkëpunimi me agjente të tjerë ul kostot, ul risqet, dhe me gjasë rrit edhe fitimet. Politikantët shqiptarë, që kanë për detyrë të zhvillojnë politika duhet të lodhin trutë sesi zhvillohet secila <P> veç e veç. Si lehtësohet me çdo formë e mënyrë bashkërendimi i rrjedhshëm mes katër P-ve, që njerëzit të fitojnë, pasurohen dhe të jenë në gjendje të paguajnë taksa, dhe jo të mbeten në kurthet ligjore, të shtrënguar vetëm të paguajnë gjoba. Për shkak te politikave fiskale te shkëputura nga realiteti dhe trajtimit te njerëzve që më së paku nuk i bëhen barrë shtetit por trajtohen si kriminelë informalë. Kjo do ishte shenja, në mos e një ekonomie të strukturuar, të paktën e një mendimi politik të strukturuar, në favor të zhvillimit ekonomik.

***

Ekonomia jonë nuk e ka këtë lloj strukturimi. Zylja prodhon qepë. Gjen vendin e shitjes së qepëve. Vendos çmimin e qepëve duke parë rreth e qark. Bën edhe promocionin e qepëve duke i ekspozuar ato në trotuar, dhe pse jo duke bërtitur eventualisht herë pas here: qepë të njoma, qepë të freskëta!

Zylja i bën të gjitha vetë. Të katra P-të. Sepse ajo nuk ka ku t’i shesë qepët e veta, përveçse në ndonjë cep pallati. Nuk ka akses në treg. Nuk paguan dot një vend në ato pak tregje që ka Tirana. I ka larg. Çfarë fiton duhet ta lerë në bileta autobuzi. Ajo duhet dhe të punojë dhe të shesë, sepse nuk ka ndërmjetës, mes serrës së saj dhe blerësit. Ajo fiton vetëm 150 Euro në muaj. Ajo është si e gjunjëzuar ekonomikisht, por e kapur me thonj pas jetës. Është viktime e mungesës së ideve. Ideve politike dhe qeverisëse. Që i japin zgjidhje vështirësive që kanë rrëzuar Zylen përtokë. Këto janë hallet e Zyles. Gati gjysëm milioni shqiptarë kanë të njëjtat halle si Zylja. Ata që përcaktohen nga INSTAT si të punësuar në sektorin privat bujqësor. Dhe të gjithë ata herët a vonë do takohen me gjobistin. Ndoshta janë takuar. Por nuk kane dalë fotografi kur gjobisti i priste mandatin. Prandaj nuk kanë as fotografi me politikanet.

***

Pas publikimit dje të një fotoje ku Zylja – e cila nuk ka marrë ndonjë tender apo konçesion – po gjobitej, fotot e politikantëve që secili me mënyrën e vet i qanin hallin Zylës përmbytën mediat. Rasti i Zyles është ai tipiku ku shpërthejnë vulturat politike. Nuk është i vetmi. Të tillë mund të shohësh përditë. Politikantët dhe kur nuk ka të tilla i krijojnë. Ka njerëz që mendojnë vetëm për këtë. Dhe e quajnë punë. Dhe marrin para për këtë. Mbi momentin fatkeq të Zyles u vërsulën politikantët të bënin fotografi dhe video. Sepse sot imazhi virtual tenton të zëvendësojë jetën e vërtetë dhe psetë e saj. Njësoj si vulturat, që në natyrë i vërsulen një preje të lehtë, të pafuqishme, të plagosur, të rrëzuar në tokë, të vdekur.

Vulturizmi politik ka zëvendësuar solidaritetin e sinqertë. Më duhet të pranoj se tregu i vulturave është më i strukturuar se ekonomia reale. Këtu katër P-të rrjedhin lirshëm. Çdo vulturë është e gatshme të shndërrohet në produkt. Për këtë duhet një ide. Në këtë rast ajo është halli i Zyles, ose i kujtdo tjetër. Produkti krijohet atje ku është Zylja. Në rrugë, në shtepi, tek tregu. Çmimi që paguhet është thjesht kaburanti për të shkuar deri tek ajo, apo bateria e celularit që shërben për të bërë foton dhe për ta shpërndarë në rrjet. Promovimi ndodh në rrjet, në media. Halli i Zyles është i parëndësishëm tashmë, kur çdo politikant kërkon të krijojë avantazh ndaj kundërshtarit politik dhe të jetë kështu produkti fitues. Ky është lajm i keq për Zylen dhe të tjerët si ajo.

12799221_10154000254496952_6465280335951527767_n-905x395Vulturat i thanë Zyles se ajo ishte bërë hit në internet. A thua se ky ishte halli i saj. Disa “like” ne Facebook. Zylja i njoftoi politkantet se: “ne jemi njerëz që punojmë, ne jemi ekonomia, ne nuk kemi internet që t’i shofim këto gjëra që thoni ju”. Ky është lajm i keq për vulturat. Në fakt Shqipëria nuk ka nevoje për vulturizëm politik. Ka nevoje për ide politike. Ide që e zgjidhin, dhe jo që thjesht dalin ndonje fotografi duke u përqafuar me hallin e secilit prej nesh.

Share: